• |
ide | kryesore

Tirana, në ‘Klasike’ shansi i fundit për ‘Final 4’: sot luhen ndeshjet e parafundit në Superiore

F1, Sport
Tirana



Sezoni i rregullt është pothuaj në fund: brenda katër ditësh do të jenë mësuar të gjitha verdiktet, përveç titullit kampion, për të cilin do të vendoset pas Final 4. E pikërisht për këtë objektiv, Tirana ka shansin e fundit kur të luajë në Klasiken me Vllazninë. Java e 35 e kampionatit të Superiores do të luhet sot, me të gjitha ndeshjet në orën 16:00.

Një javë me rëndësi maksimale ku do të vendoset shumë për verdiktet e këtij sezoni. Egnatia, Vllaznia dhe Partizani kanë siguruar matematikisht pjesëmarrjen në “Final Four” e megjithatë të dy ekipet synojnë vendin e dytë, për të patur avantazhet e parashikuara në Final 4. Mbetet gjithçka e hapur për vendin e katërt, ku katër skuadra luajnë për një vend. Dinamo City, Skënderbeu, Tirana por edhe Teuta do të luftojnë deri në javën e fundit për të siguruar vendin e katërt në kampionat.

DINAMO ‘ARBITËR’ I VENDIT TË PARË

Dinamo City do të përballet me Egnatian e vendit të parë, një sfidë mjaft interesante ku të dyja skuadrat kanë si objektiv vetëm fitoren. Rrogozhinasit nuk duan të humbasin kreun, pasi kanë udhëhequr gjatë gjithë kohës kampionatin, pikërisht në fund. Kjo vështirëson detyrën e Mehmetit, që mund të shohë të parakalohet nga Skënderbeu, me të cilin ndan pikët, dhe Tirana. Skënderbeu do të presë Laçin në Korçë, një ndeshje shumë e vështirë për vendasit që luftojnë për vendin e katërt në kampionat. Në anën tjetër, Laçi kërkon fitoren e radhës për të shpëtuar nga “play-out”.

TRENI I FUNDIT PËR TIRANËN

Në stadiumin “Arena Kombëtare” do të zhvillohet klasikja e futbollit shqiptar Tirana-Vllaznia. Kuqeblutë do të synojnë të regjistrojnë triumfin e tretë radhazi me Brdaric për të ruajtur vendin e dytë e për të tentuar të parin, vetëm dy pikë larg. Për Tiranën është mundësia e fundit për të shkuar në “Final 4” dhe rruga e vetme është fitorja në këtë sfidë. Partizani do të kërkojë të vazhdojë serinë pozitive teksa do të përballet në transfertë me Kukësin, me shpresë se Vllaznia e Egnatia mund të bëjnë ndonjë hap fals. Teuta do të luajë ndaj Erzenit me synimin për të evituar parkalimin e Laçit në zonën playout, por edhe për të tentuar katërshen e parë bë mënyrë sensacionale.



Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *