• |
ide | kryesore

Loja e madhe e Ibrahim Rugovës

Arkiva, Blog


Nga Adriatik Kelmendi

Presidenti Rugova e kuptonte se nuk është e rëndësishme vetëm të kesh të drejtë, por t’i bindësh edhe të tjerët se ke të drejtë. E kjo varet edhe nga leximi i saktë i momentumit politik. I aleancave dhe koordinimeve strategjike. Ose më saktë – i kuptimit të Politikës së Madhe, Lojës së Madhe. Rugova e kuptonte Politikën e Madhe. Dhe luante në skenën botërore si një Lojtar i Madh.
1.

KUR DYERT E RËNDA të drurit të vjetër u mbyllën në sallën e pallatit treshekullor vjenez të stilit barok, Daun-Kinsky – aty ku për herë të parë po takoheshin zyrtarisht delegacionet e Kosovës dhe të Serbisë në procesin e definimit të statusit final të Kosovës – fizikisht po mungonte vetëm një njeri. Arkitekti kryesor i asaj që sapo po merrte formën përfundimtare – shtetësisë së Kosovës.

Zaten edhe ky takim po mbahej me një muaj vonesë. Ishte data 20 shkurt 2006. Takimi ishte shtyrë, për shkak të vdekjes së kryearkitektit. Më 21 janar ishte ndarë nga jeta Presidenti Ibrahim Rugova.

Por hijerëndësia e tij ishte e kudondodhur në ato ditë të acarta dimri.

Ne, një grup gazetarësh që kishim udhëtuar nga Prishtina për t’i përcjellë takimet e shumëpritura, si dhe anëtarët e delegacionit të Kosovës, po e përmendnim porosinë e tij të madhe një natë më herët, teksa ishim bërë bashkë në restorantin e një gastronomi shqiptar nga Maqedonia, dhe patjetër të nesërmen në prag të hyrjes në pallat.

Porosia e prerë s’lejonte asnjë mundësi dykuptimësie: “Kosova e pavarur, shtet i njohur, i integruar në Bashkimin Evropian dhe në NATO dhe në miqësi të përhershme me Shtetet e Bashkuara të Amerikës”.

2

IKJA E TIJ PO ndodhte në finale. Pra, kur qartazi po fillonte një proces negociator i nivelit më të lartë të mundshëm, në OKB-në dhe nën parimet udhëheqëse të Grupit të Kontaktit. Sikur të thoshte se e tija ishte ta sillte gjithçka deri këtu: Ta njoftonte botën për shtypjen e shqiptarëve, ta ndërkombëtarizonte çështjen e shtetësisë së Kosovës, ta organizonte shtetin paralel, t’i bënte bashkë shqiptarët rreth kësaj ideje dhe mbi të gjitha – kryesoren – t’i ndërtonte aleancat e Kosovës me Perëndimin.

“Shtëpia nuk mbahet pa miq”. Kësaj ideje, të cilës i ishte përkushtuar me gjallje, po ia bënte një shërbim të madh të fundit. Me ikjen në amshim, në ceremoninë lamtumirëse të varrimit do t’i vinin burrështetas e ministra nga shumica e shteteve të Bashkimit Evropian, sekretarë amerikanë dhe udhëheqës nga e gjithë bota, si për t’ia konfirmuar edhe një herë se ai i kishte lidhur ngushtë aleancat që pashmangshëm do të çonin në kurorëzimin e ambicies së pathyeshme jetësore. Varrimi i tij madhështor ishte vula e fundit ndërkombëtare se misioni po përmbushej – shteti i Kosovës po vinte.

Se Rugova me kohë e kishte kuptuar gjeopolitikën dhe rëndësinë e momentumit.

Rugova e kuptonte Politikën e Madhe.

Dhe luante në skenën botërore si një Lojtar i Madh.

3.

E FILLOVA ME KËTO detaje për të lëvizur para dhe prapa në kohë, i rrekur për të qëmtuar idenë politike dhe filozofinë diplomatike të jetës së Presidentit Rugova.

Se sa herët ai e kishe kuptuar atë që është sigurisht më e rëndësishmja. Se shtëpia nuk mbahet pa miq.

Dhe tjetra: Se sa është e rëndësishme ta kuptosh pozitën dhe momentumin gjeopolik.

Siç dihet mirëfilli, Dr. Rugova, duke qenë në pozitën e kryetarit të Lidhjes së Shkrimtarëve të Kosovës, shpejt u vendos në krye të rezistencës ndaj politikës etnonacionaliste në ardhje të Sllobodan Millosheviqit. Duke lëvizur nga ky pozicion, i mbështetur edhe nga shumë kolegë të tij intelektualë, ai e kuptoi shpejt se kohët po ndryshonin.

Më 23 dhjetor 1989, kur u themelua Lidhja Demokratike e Kosovës, kishte kaluar vetëm një muaj pasi që ishte shembur Muri i Berlinit, i cili do të çonte valë ndryshimi që nga bashkimi i dy Gjermanive, deri te hapja e Shqipërisë, Rumanisë, Bullgarisë…

Vizioni i Dr. Rugovës ishte aq i madh saqë me themelimin e LDK-së ai shënoi edhe themelimin e pluralizmit politik në ish-Jugosllavi. Dhe ndër të parët ne shtetet e Evropës Juglindore.

Pikat kryesore të programit politik: Orientimi ynë është Euroatlantik, sistemi ynë politik është demokracia parlamentare, shqiptarët i takojnë oksidentit. Dhe mbi këto parime nuk bëri asnjëherë kompromis.

4.

ÇKA U ARRIT nën Dr. Rugovën në vitet 1990?

Mbëltimi i idesë se shqiptarët duhet të synojnë shtetin e pavarur të Kosovës, si një kompromis optimal, i cili do t’i njohë të drejtat e të gjithë banorëve të vet pa dallime etnike, besimi dhe të tjera.

Natyrisht, në kohën kur Dr. Rugova dhe LDK-ja kishin filluar këtë rrugëtim, për shumëkënd në botë do të ketë tingëlluar si misioni më i pamundur, të cilin do t’ia kishte vënë dikush vetes si qëllim.

Shqiptarët në Kosovë ishin etnia më së paku e zhvilluar, treva – më e varfra, niveli i arsimimit – më i ulëti, krahasuar me të gjitha njësitë e tjera federative të Jugosllavisë së atëhershme. Për më tepër, Kosova, ndonëse kishte kufij administrativë, asnjëherë nuk kishte qenë shtet i mëvetësishëm, Shqipëria po përjetonte ditët e saj më të vështira të ndryshimeve të regjimit komunist, kurse Millosheviqi ishte në majën e tij të pushtetit dhe popullaritetit.

Nën udhëheqjen e Dr. Rugovës, Kosova mbajti gjallë atë që u kthye në “shtet“ me sistemin paralel të arsimit, shëndetësisë dhe financave. Por mbi të gjitha, nuk i harroi edhe tri gjëra thelbësore: përbashkimin e shqiptarëve (të cilët e përkrahën atë dhe LDK-në me rreth 90%), kërkimin dhe trashjen e aleancave, si dhe ndërtimin e simbolikës së shtetit.

Kështu përveçse u arrit që të gjitha forcat politike në Kosovë të kishin një kërkesë të përbashkët – Kosovën e Pavarur – u arritën edhe pozita aleancash lobuese si ato me Bob Dole dhe kryetarin e sotëm të SHBA-së, Joe Biden, lidhjet me Vatikanin dhe Shën Egjidion e shumë të tjera.

Si dhe mësimi i vetes dhe të tjerëve se Kosova një ditë sigurt do të jetë shtet i njohur: Flamuri dhe stema e Kosovës (e Dardanisë), ideja e monedhës së Kosovës, prodhimet unike e deri te kafshët (qeni i Sharrit), që të gjitha si porosi se Kosova ka jo vetëm potencial, por edhe identitet shtetëror.

Kur jemi te aleancat, në udhëheqjen e Presidentit Rugova me miq ishin arritur edhe dy angazhimet direkte të dy presidentëve amerikanë, para ndërhyrjes ushtarake të Paktit NATO ndaj Jugosllavisë. “Kërcënimi i Kërshëndellave”, kur Presidenti i SHBA-së, George H. W. Bush, nëpërmjet një letre, më 25 dhjetor 1992, paralajmëronte Millosheviqin se SHBA-ja do të intervenonte ushtarakisht në Kosovë nëse Serbia nis luftën. (“SHBA-ja, në kuadër të konfliktit në Kosovë, shkaktuar nga aksionet e Serbisë, do të jetë e gatshme të përdorë forcë ushtarake kundër serbëve në Kosovë dhe Serbi”).

Si dhe, gjashtë vjet më vonë, në maj të vitit 1998, përsëritjen e të njëjtës nga Presidenti Bill Clinton, kur delegacioni kosovar, nën drejtimin e Presidentit Rugova – se SHBA-ja nuk do të lejonte një Bosnjë të dytë në Kosovë.

Sidoqoftë, ajo që është gjithashtu tepër e rëndësishme, në të njëjtën kohë, Presidenti Rugova kishte dëgjuar edhe këshillat amerikane, që shqiptarët e Kosovës të mos provokonin dhe të mos keqtrajtonin popullatën serbe të Kosovës. Fjala e dhënë vlerësohej.

5.

KOMPROMISET. Kompromiset në të mirë të shqiptarëve dhe të Kosovës po ashtu kanë qenë një ndër tiparet kryesore të prijësit Rugova, si në planin organizativ, ashtu edhe në atë të arritjes së qëllimit madhor. Ai ishte koshient se ndonjëherë për të arritur qëllimin, duhet edhe shmangur pak dhe lëshuar rrugë, ose edhe ndoshta hequr dorë përkohësisht nga arritja e madhe, si strategji e rrugës së përbashkët me miq e aleatë drejt misionit përfundimtar.

Kur edhe një herë ndërruan rrënjësisht rrethanat politike, Kosova u la jashtë Konferencës së Daytonit, Millosheviqi nga një pjesë e botës po shihej si paqebërës, kurse në terren kosovar kishte ndryshuar gjithçka, në skenë kishte dalë UÇK-ja dhe forcat serbe po kryenin masakra, Rugova në fund sërish mori rolin e përbashkuesit.

Në Konferencën e Rambouillet-së do të lejonte me largpamësi që delegacioni i Kosovës të udhëhiqej nga drejtori politik i UÇK-së, Hashim Thaçi, teksa do të pranonte të nënshkruante një dokument, i cili nuk do ta sillte pavarësinë e Kosovës menjëherë. Ideja – Kosova me nënshkrimin e Marrëveshjes së Rambouillet po lidhte aleancë me SHBA-në dhe Perëndimin, si garancia më e madhe për lirinë dhe shtetësinë e Kosovës.

CILA ËSHTË SITUATA pas vdekjes së Rugovës?

A u vazhdua filozofia politike e tij për aleancë me Perëndimin?

A mjafton vetëm të kesh të drejtë, apo edhe t’i bindësh të tjerët se ke të drejtë?

Është aq e vështirë të kujtohen të gjithë ato që kanë arritur shqiptarët dhe Kosova për gjithë ato vite, në kohën kur mendohej se jemi krejt pa gjasa, dhe ku jemi sot.

Nën udhëheqjen e drejtpërdrejtë politike të Kosovës nga Presidenti Rugova, pasuar edhe nga lufta e drejtë e UÇK-së, Kosova ka rritur t’i bindë shtetet më të fuqishme të botës për të drejtën e popullit të Kosovës për liri dhe pavarësi.

Në kohën, kur Serbia kishte rreth 100 mijë trupa ushtarake dhe policore në Kosovë, Kosova e nënshkroi Marrëveshjen e Rambouillet si kompromis. Por kështu e fitoi përkrahjen e botës demokratike dhe Kosova u çlirua.

Në kohën e bisedimeve nën udhëheqjen e Presidentit Ahtisaari, Kosova sërish pranoi një kompromis – pavarësinë e kushtëzuar. E fitoi përkrahjen e botës demokratike dhe ndodhën mbi 115 njohje, anëtarësime në organizata dhe institucione të rëndësishme ndërkombëtare, u njoh e drejta e Kosovës për të pasur ushtri.

7.

KU JEMI SOT? Në 25-vjetorin e çlirimit dhe 15-vjetorin e pavarësisë, Kosova mjerisht është nën masa ndëshkuese të Bashkimit Evropian, nën masa ndëshkuese të shteteve, të cilat ndihmuan në çlirimin dhe pavarësinë e Kosovës.

Institucionet e Kosovës përballen çdo ditë me kritika dhe izolim, për shkak të hapave që vlerësohen si të pakoordinuar dhe të njëanshëm nga shtetet demokratike të Perëndimit.

Kosova sot është në pozicionin më të vetmuar, më të papërkrahur dhe më të izoluar në botë dhe rajon, që nga fitimi i lirisë dhe që nga shpallja e pavarësisë.

Natyrshëm, dikush arsyeshëm mund të thotë se Kosova vetëm po e kërkon të drejtën e saj në qeverisjen dhe administrimin e gjithë territorit, sipas ligjeve dhe Kushtetutës së vet. Kjo natyrisht është legjitime. Por, siç duket, përfaqësuesit e Kosovës sot nuk po ia dalin t’ua shpjegojnë të tjerëve se Kosova ka të drejtë. Se nuk është e rëndësishme vetëm të kesh të drejtë, por t’i bindësh edhe të tjerët se ke të drejtë.

E kjo varet edhe nga leximi i saktë i momentumit politik. I aleancave dhe koordinimeve strategjike. Ose më saktë – i kuptimit të Politikës së Madhe, Lojës së Madhe, po, me shkronjë të madhe.

8.

A KEMI MENDUAR ndonjëherë, çka do të mund të ndodhte sikur delegacioni kosovar të mos e pranonte kompromisin – duke synuar më të madhen menjëherë – dhe mos ta nënshkruante Marrëveshjen e Rambouillet-së në marsin e ’99-s në Paris?! A do të bombardohej Jugosllavia (Serbia), sikur luftimet të shtyheshin deri pas sulmeve të 11 Shtatorit në simbolet e fuqisë politike, ushtarake dhe financiare të SHBA-së? Bota ndryshoi shumë, prioritetet ndryshuan edhe më shumë!

Ose, a kemi menduar se çka do të ndodhte sikur Ekipi i Elefantëve – duke synuar më të madhen menjëherë – të mos e pranonte si kompromis Pakon e Ahtisaarit, më 2007?! Atëherë kur Putini nuk e kishte fuqinë që e ka sot, ose kur Kina nuk ishte kjo që u bë?

Jo gjithmonë, më vonë nënkupton – më mirë. Këtë e ka kuptuar tashmë në mënyrën më të ashpër turinjve Serbia.

Por, këtë e kuptonte më mirëfilli Presidenti Rugova.

Se ai ishte Lojtar i Madh i Lojës së Madhe. Diçka që mbase do të duhej t’ia kujtonim vetvetes në këtë 25-vjetor çlirimi më tepër se kurrë!

(Ky tekst mbështetet në fjalën e autorit, mbajtur në Konferencën Ndërkombëtare “Rugova dhe Perëndimi”)


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *