• |
ide | kryesore

Kur do rikthehet “House of the Dragon” dhe pikëpyetjet që la sezoni i dytë

F1, Stil
house of the dragon



Një luftë dragonjsh po vjen në Westeros… dhe po ashtu edhe tërbimi nga fansat. Në një konferencë për shtyp pas finales së vakët të sezonit 2 të serialit “House of the Dragon”, krijuesi Ryan Condal shpjegoi arsyet e mbylljes në vetëm 8 pjesë. Ai e lidhi gjithçka me menaxhimin e burimeve. Thënë troç: u kanë mbaruar paratë. Megjithatë ai theksoi se ideja e atyre që kanë shkruar “House of the Dragon” është ndarja në 4 sezone.

“Ne donim t’i ribalanconim ngjarjet në atë mënyrë që të kishim 3 sezone të shkëlqyera televizive. Kur po përpiqeshim të montonim shfaqjen, e cila kërkon një sasi të madhe burimesh, konstruksione, forca të blinduara, kostume, efekte vizuale… u përpoqëm t’i japim betejës së Gullet-it, që është padyshim ngjarja e dytë më e rëndësishme në “Fire & Blood”, kohën dhe hapësirën që meriton.

Ne po ndërtojmë atë ngjarje që do të ndodhë shumë shpejt dhe duhet të jetë gjëja më e madhe deri më tani. Ne thjesht donim të kishim kohën dhe hapësirën për ta bërë këtë në një nivel që do të emociononte dhe kënaqte fansat në mënyrën e merituar. Ne gjithashtu donim të ndërtonim edhe pak pritshmëri. Prandaj kërkoj falje për pritjen” – tha ai.

Kur u pyet nëse “House of the Dragon” do të shfaqet për 5 sezone, Condal u përgjigj: “Jo, mendoj se janë katër”. Ai gjithashtu përmendi se sezoni 3 do të hyjë në prodhim në fillim të vitit të ardhshëm dhe ka të ngjarë të përbëhet nga 8 episode të tjera.

Kush do të kthehet në sezonin 3 të “House of the Dragon”?

Kryesisht të gjithë! Sezoni 2 (çuditërisht) mori vetëm disa jetë në Westeros, mes tyre princin e ri Jaehaerys, Rhaenys Targaryen dhe dragoin e saj, Melys. Episodi 7 pa gjithashtu Lord Blackwood të përmbushë fundin e tij, ndërsa House Darklyn pati disa humbje të rënda. Ser Criston Cole ia preu kokën Lord Darklyn në episodin 4 dhe në episodin 6 Seasmoke dogji Steffon Darklin. Pavarësisht këtyre viktimave, personazhet e mbetur të kastit duhet të kthehen për sezonin 3. Pritet që edhe disa aktorë të rinj t’i bashkohen serialit, përfshirë atë që do të luajë Daeron Targaryen.

Çfarë do të ndodhë në sezonin 3?

Sipas vetë mbretit Aegon II, aktorit Tom Glynn-Carney, “gjithçka është në ajër”. Në fillim të kësaj vere, ai i tha revistës “Esquire” se “po flet nga një kënd që nuk di asgjë për planin, por dyshon shumë se ata do të bëjnë atë që bënë me “Game of Thrones”. Unë mendoj se historia jonë do të vazhdojë dhe të gjithë do të vazhdojnë përpara” – tha ai.

“Librat janë themeli se ku po shkojmë në mënyrë narrative, por gjërat janë rregulluar. Është Bibla, por gjithashtu nuk është. Shkrimtarët e serialit tonë janë të shkëlqyer dhe duhet t’u jepet merita për krijimin e tyre. George R.R. Martin duhet t’i jepet merita për krijimin e tij. Por nuk janë e njëjta gjë” – tha ai.

Megjithatë, “House of the Dragon” i ka qëndruar shumë pranë materialit burimor. Bazuar në finalen e sezonit 2, duket se seriali po shkon drejt Betejës së Gullet. Corlys Velaryon po lundron për t’u bashkuar me bllokadën e tij, dragonjtë po mblidhen për të luftuar dhe Rhaenyra po deklaron se koha për të goditur është tani.

Ndërkohë, krahu i “jeshilëve” arriti të marrë ndihmën e piratëve të Triarkisë, Aegon II u arratis në Lindje dhe Aemond ka shkuar në Harrenhal me Cole për të luftuar me Daemon.

Kur do të jetë premiera e sezonit 3?

HBO ende nuk ka njoftuar një datë zyrtare të publikimit. Fillimisht do të jetë “A Knight of the Seven Kingdoms” e cila ndodh shumë kohë pas ngjarjeve të “House of the Dragon”. Ka të ngjarë të ketë një premierë diku në vitin 2025. ©LAPSI.al


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *