ide | kryesore

Kujtimet e Visar Zhitit: Edi Rama i bërtiti operativit të Sigurimit që më ndiqte kudo!

Dossier

Në rrjedhën e rrëfimeve të Visar Zhitit bien në sy edhe dy momente që e kanë lidhur me Edi Ramën artist dhe kryeministër; dikur në Lushnjë, kur Visari punonte në një fabrikë tullash dhe në kohën kur diskutohej emërimi i tij si ambasador i Shqipërisë në Vatikan.

DY BËRTITJE TË EDI RAMËS DHE E TRETA, IMJA, E HESHTUR…

…Të të tregoj për një bërtitje të Edi Ramës për mua, e kam futur dhe te libri “Ferri i çarë”. Sapo isha liruar nga burgu dhe punoja si skllav në fabrikën e tullave në Lushnjë, ishte ende diktaturë… të paktë ishin ata që guxonin të rrinin me mua e më të paktë ata që më vinin në shtëpi… Edi më vinte… mbrëmjeve vonë… lexoja poezi të miat, nga të fshehtat, dhe Mondi thotë se e ka parë të përlotej…
Në këtë kohë, Edi bënte një afresk në murin e muzeut të qytetit, si Pikaso, thoshin, moderniste. Ata të partisë, veteranët, kërkonin të shembej muri, ka sjellë liberalizëm, atje në Tiranë, ku është pedagog në arte, le të bëjë si të dojë ai, po jo këtu, apo u bën qejfin të internuarve, nejse, pikërisht në këtë kohë, Sigurimi i Shtetit prapë më ishte qepur keqas dhe donte të më bënte bashkëpunëtor. Metoda sovjetike, staliniste, tortura psikologjike, kërcënime, s’e di a kishte ndonjë poezi me këtë temë Jevtushenkoja. Unë nuk po pranoja vendosmërisht.
Dhe një paradite, teksa po pinim kafe andej nga “Blerimi”, Bujari, Mondi, Edi, Ladi, më kishin marrë dhe mua, “me biografi të keqe, armikun”, isha ndërresa e dytë, pasdite duhej të shkoja në fabrikë, kur u shfaq operativi i Sigurimit të Shtetit, ai që më përndiqte, u ul diku përballë, që ta shikoja dhe të më shikonte, ngultas si në filmat sovjetikë, sikur donte të më hakërrehej: eeej, e njeh veten ti, i porsadalë nga burgu, me kë rri, ç’do këtu?… dhe u ngrita rrëmbimthi, ika befas nga bari.
Ç’pati? – kishte pyetur Edi, më tregon më pas. Shiko andej, i treguan operativin. Dhe ai, i gjatë sa dukej sikur shmangeshin shandanët e rinj për t’i hapur rrugë, dhe gjithë nerva, i bërtiti operativit: ç’do këtu ti që tremb njerëzit, kush je ti që s’i lë të pinë as një kafe të qetë?… Vonë, tani afër, do të më jepej rasti të bisedoja me Edi Ramën për Shën-Peterburgun, ku ai kishte qenë për një vizitë me familjen e tij, kërkonin një grua, një lidhje e hershme… dhe kishte mbetur i mahnitur nga “Venecia e Veriut”. Çfarë qyteti, më tha, sa art, sa shije, sa poezi ka ai vend…
Edhe Moska… Isha përzishëm, ndërkaq arrija të ndiqja rrëfimin e tij, po më fliste si mik, si dikur, nuk më shikonte, teksa lëkundej mbi poltronën kryeministrore, vazhdonte të vizatonte, sigurisht mbi ndonjë shkresë, shkëmbente ngjyrat, edhe tonin në të folur, ishte dhe s’ishte aty, skica po përplotësohej, mbase ishte gati tani për të shkuar pas të tjerave në ndonjë ekspozitë në Berlin a Firence, ndërsa në gazetat e huaja dilnin titujt… vizatimet e një Kryeministri… dhe m’u nëpërmend, s’di se si, se pikërisht ai për mua kishte bërtitur prapë.

3 Comments

  1. po rama te ka fut ne burg o kazan si lubonja.po kush guxonte asokohe pa qen krymb stalini te shkonte ne shkoder nga tirana e lere te shkonte ne shen petersburg,moskv a tjeter ku ku ka qen rama,kristaqi,olsi e aneta.lere zhiti te beri ram pleh .a nuk beri enveri mehmet shehun te modh por e vrau.rama,ruqi,xhafa leta ti kan ndersy zagaret,e ti thua me mbrojti.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike.

Kthehu