• |
ide | kryesore

Elon Musk bën historinë me Space X/ Raketa që do na çojë në Mars kalon testin me sukses (VIDEO)

F1, Planet



Epoka e re hapësinore filloi të martën, edhe pse deri diku ndihej si e vjetër, por në një mënyrë të mirë.

Raketa e kompanisë ‘Space X’, Falcon Heavy, më e fuqishmja në përdorim sot, u nis me sukses nga Cape Canaveral, duke mbajtur brenda një ngarkesë e cila llogaritet se do të transportohet drejt planetit Mars një ditë.

Raketat shtytëse dërguan atë kryesore deri në hapësirë dhe më pas u kthyen në tokë duke u ulur si helikopterë, të gatshme për t’u përdorur sërish.

Sikurse po thonë të gjithë: Kjo është një epokë e re hapësinore.

Ajo çka dukej si e njohur, megjithatë e mrekullueshme, ishte të shihje një raketë aq masive të nisej për në hapësirë, dhe e destinuar të shkojë më larg se çdo gjë tjetër që mund të imagjinojë njeriu.

E vetmja gjë që mund të të shtonte edhe më shumë emocionet do të ishte nëse në bordin e anijes do të kishte njerëz. Por jo. Aty ishte një makinë Tesla Roadster e kuqe, me një manekin në timon.

“Makinë e kuqe për një planet të kuq” – shkroi në Twitter disa muaj më parë Elon Musk, miliarderi themelues i kompanisë ‘Space X’ dhe ‘Tesla’.

Dhe ajo që e bën më të dallueshme këtë epokë të re hapësinore është se tani raketat do të zhvillohen nga kompanitë private dhe jo qeveritë. Taksapaguesi amerikan nuk duhet të paguajë asnjë cent për këto raketa.

Raketa Falcon Heavy që u nis dje kushton plot 90 milion dollarë. Kjo duket një shifër e madhe, por jo kur e krahason me konkurrenten e saj, Delta 4, e cila kushton 450 milion dollarë.

Kjo raketë 90 milion dollarëshe ka kapacitete të ngrejë një avion Boeing 737 deri në hapësirë dhe brenda të ketë vend për disa makina Tesla.

Pasi sheh videon se çfarë arriti të bëjë ‘Space X’ ditën e djeshme, fillon dhe mendon se çfarë mundësish mahnitëse krijon ngjarja e djeshme.

‘Space X’, mund të fillojë t’i bëjë oferta kompanive të tjera, madje dhe qeverive, për t’i mundësuar misione hapësinore të vështira.

U desh lidershipi aventuresk i Elon Musk dhe shokëve të tij që tek ne të ringjallet entusiasmi për misionet hapësinore.

Sot tingëllon si budallallëk kur mendon se gara hapësinore e shekullit të 20 mes SHBA-ve dhe Bashkimit Sovjetik shoqërohej me fjalë solemne që pohonin rëndësinë e qëllimit demokratik të amerikanëve kundër makinacioneve të errëta sovietike për dominimin e botës.

Asokohe, ajo garë hapësinore frymëzoi breza të tërë nxënësish në të gjithë botën. Ata kishin ëndërra të mëdha dhe ambicie, edhe pse nuk mungonin njerëzit që ankoheshin se misionet hapësinore ishin kosto e madhe për taksapaguesit.

Ju mund të pyesni tani, po NASA çfarë po bën ndërkohë?

NASA po ndërton versionin e vet të raketave të mëdha ndërplanetare. Në vitin 2020 pritet që të kryhet testi i parë i kësaj rakete, që ka për qëllim tranportin e njerëzve sërish në Hënë, por edhe më larg. Megjithatë, asgjë nuk është e sigurt.

Nëse ka një garë hapësinore sot, ajo është mes ndërmarrjeve private dhe programeve qeveritare.
Diçka në lidhje me këtë epokë të re të hapësirës dhe lojtarët e saj të shumtë është e qartë. A ja vlejnë gjithë këto përpjekje?

Nuk këmi si ta dimë nëse nuk e provojmë. Ka shumë mundësi që këtë përgjigje të jepte si Elon Musk, ashtu edhe NASA. Nuk është përgjigja më e detajuar apo përgjigja më e kënaqshme, por derisa të gjendet një tjetër, uluni dhe shijoni shfaqjen.

CNN, përshtati ©LAPSI.AL 



Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *