• |
ide | kryesore

Fitorja e koalicionit të ri Basha- Meta

Arkiva, Ide
ANDI_BUSHATI_PORTRET.jpg



Duhet pranuar me plot gojën se koalicioni i ri, jo ai qeverisës, por ai që u krijua për reformën në drejtësi, pra koalicioni Basha- Meta, doli tërësisht fitues në ndeshjen dhëmbë për dhëmbë me diplomatët kryesorë në Tiranë dhe Edi Ramën që u ishte atashuar atyre.

Kompromisi që u arrit dhe që pritet të enjten në kuvend, qe një pasojë e presionit të vazhdushëm që ushtroi Partia Demokratike, negociatorët e saj dhe së fundi dalja e Ilir Metës pro pozicioneve të tyre.

Ashtu sikurse u pa edhe sot, në shfaqen publike me fytyrë të prishur dhe me tone të rëna të kryeministrit Rama, ai e lexoi fjalë për fjalë letrën e komisionerti Han, ku thuhej, se “Operacioni Ndërkombëtar i Monitorimit do të bëjë rekomandime që nuk janë ligjërisht të detyrueshme”.

Po ç'do të thotë kjo?

Për të përcaktuar humbësit dhe fituesit në këtë histori duhet të shohim pak debatin që është zhvilluar në ditët dhe javët e fundit. PD dhe Ilir Meta që e ka mbështetur, kanë qenë gjatë gjithë kësaj periudhe kundër një roli vendimarës të të huajve.

Për të kundërshtuar këtë, pra për të hedhur poshtë veton e ekspertëve të ShBA dhe BE në emërimin e njerëzve që do të përzgjidhnin gjyqtarët dhe prokurorët e ardhshëm, PD e mbështetur nga LSI, i ra fort borive të sovranitetit kombëtar, parodizoi me rrezikun për t'u barazuar me Timorin Lindor, vuri alarmin për një republikë bananesh ku gjithçka do ta vendosnin të huajt.

Debati real që u zhvillua me pathos dhe me zjarr, qe, nga njëra anë mes sovranistëve dhe nga ana tjetër mes atyre që mendonin se ne duhet ta dorzojmë sovranitetin tonë tek të huajt, për arsye se klasa jonë politike në veçanti dhe shoqëria jonë, kanë dështuar të krijojnë këtë çerek shekulli një drejtësi të pavarur.

Këtë debat nuk e fituan këta të dytët.

Në këtë betejë ngadhënjeu çifti Basha- Meta. Sanksionimi i formulës së komisionerit për zgjerimin Hahn “se të huajt do të bëjnë vetëm rekomandime që nuk janë ligjërisht të detyrueshme” i dha fund kësaj polemike.

Tani me sa duket, pas kësaj fitoreje, politikanët shqiptarë të të gjitha palëve do të kenë ende të drejtë të fusin duart në punët e drejtësisë. Natyrisht ata do të jenë të detyruar të përballen me më shumë filtra, do të jenë më të monitoruar nga ndërkombëtarët, por tentativa për t'i hequr kthetarat e tyre nga drejtësia, ka dështuar.

Se si do të rezultojë ky eksperiment mbetet ende të shikohet.

Por si një nga njerëzit që ka mbrojtur idenë se midis dy të këqijave, zgjidhte më mirë një ekskluzivitet të ndërkombëtarëve (me gjithë gabimet, simpatitë, preferencat dhe subjektivitetin e tyre) sesa përzierjen e politikanëve shqiptarë në punët e drejtësisë, unë mendoj se kjo fitore e koalicionit të ri Basha- Meta është një dështim për reformën.

Ata që së bashku mund të përbëjnë një shumicë të qartë në komisionet e ardhshme parlamentare, do të vendosin për përzgjedhjen e njerëzve. Ata tani e kanë shumë më të lehtë t'i hedhin poshtë provat e ndërkombëtarëve, të mos i marrin parasysh faktet e servirura nga shërbimet e tyre sekrete, t'i konsiderojnë si “letra higjenike” rekomandimet pa fuqi ligjore të ekspertëve të huaj.

Pra ata tani kanë në dorë realisht t'i zvarrisin apo t'i tallin “ufot” e ardhur nga perëndimi që duan të gjykojnë juristët vendas.

Në këtë kuptim ata vërtet arritën një fitore të madhe politike. Vërtet dëshmuan se Shqipëria mbetet një vend sovran. Vërtet i dhanë një shpullë fytyrës “ambasadorëve të kapur nga Rama, Lu dhe Vlahutin”. Vërtet i dërrmuan shpresat e Ramës për të paraqitur betejën politike në Shqipëri, si një ndeshje mes perendimorëve dhe frontit kundër tyre.

Por bashkë me të gjitha këto, me fitoren e sotme ata shuan edhe një shpresë. Një shpresë të vakët dhe të zbehtë, shpesh herë të shikuar si e keqja më e vogël, se drejtësia do të qe ndryshe në këtë vend, nëse rolin e arbitrit të saj do ta luanin ndërkombëtarët dhe jo politikanët vendas.

Kjo nuk ndodhi dhe vështirë të mendohet se pas kësaj, njerëzit e dalë nga filtrimi që do të bëjnë Basha dhe Meta, apo Rama me të tijët, do të kenë tagrin që të bëjnë drejtësi për çështje si Gërdeci, 21 Janari, Ruga e Kombit, koncensionet në shëndetësi, serveri i tatimeve apo përgjimet e Tahirit.

Ne vërtet nesër do kemi një reformë në drejtësi, por nuk jemi aspak të sigurtë se do të bëjmë drejtësi. Ndaj Basha dhe Meta kanë të drejtë të thërrasin fitore. Fitore mbi Ramën. Fitore mbi Lu-në. Fitore mbi Vlahutinin. Fitore mbi të gjithë ndërkombëtarët që do të kenë thjesht rol këshillues. Por nuk e di se sa kjo fitore e tyre do të jetë e tillë edhe për shqiptarët. (Lapsi.al)