• |
ide | kryesore

Pse Shkodra thërriti “vdekje, vdekje serbit”

Arkiva, Ide
vjosa musliu_0.jpg



Ndeshja e futbollit mes Kosovës dhe Kroacisë për kualifikimet e Botërorit do të duhej të kujtohej si moment turpi. Jo për shkak të inflacionit të golave që mori Kosova, por për shkak të histerisë shoviniste e të sinkronizuar nga të dyja krahët e tifozëve.

Artikulimi i shovinizmit, i përjashtimit dhe denigrimit të tjetrit është praktikë e gjatë në historinë e tifozerisë së futbollit. Pavarësisht ndërlidhjes dhe varësisë të vendeve, rajoneve, kulturave, në stadiume futbolli përsëri shfryhen diskurse nacionaliste, slogane të pastërtisë etnike dhe denigrimit të tjetrit. Këtë nuk e kanë shpikur as tifozët kroatë, as ata kosovarë. Argumenti banal se «të tjerët» e kanë bërë edhe kundër nesh (duke aluduar te tifozët serbë), nuk e justifikon në asnjë mënyrë këtë gjë.

Në njërën anë, Kroacia ka kohë që po luan një lojë të rrezikshme me të kaluarën e saj fashiste. Në këtë platformë janë rishfaqur përsëri edhe narrativa të tjera anti-serbe. Slogani i tifozëve kroatë «Za dom! Spremni» – ka kohë që artikulohet nëpër revistat më serioze shkencore që merren me problemet e nacionalizmit. Ajo që mbetet thellësisht e diskutueshme është nëse duke artikuluar thirrje shoviniste e raciste tifozeritë e futbollit shpërfaqin një aspekt politik e sociologjik më të gjerë shoqëror, apo nëse në stadiume (kryesisht të futbollit) formësohen diskurse përjashtuese të cilat më vonë gjejnë adaptim edhe në kontekste tjera sociale e politike.

Në anën tjetër, Kosova vetëm muaj më parë arriti triumfin rrëqethës të pranimit të saj në FIFA dhe kështu të drejtën për të garuar në arenën ndërkombëtare. Kërkesa dhe lobimi për ta pranuar Kosovën si shtet anëtar në organet e larta të futbollit europian dhe botëror, pavarësisht shtetësisë së saj të gjymtë, u artikulua edhe si e drejtë historike, si riparim për të gjitha që sporti kosovar ka kaluar gjatë viteve ‘80 e ‘90. Slogani «Kosova do të luajë» ishte gjetje e bukur për ta argumentuar pranimin edhe thjeshtë si të drejtë «për të luajtur me top». Ky slogan rikujtoi edhe njëherë se pavarësisht komodifikimit të skajshëm që i është bërë futbollit si sport, pavarësisht skandaleve që e lidhin atë me industritë më të korruptuara të korporatave të mëdha, futbolli është një lojë. Për shumëkënd, loja më e bukur!

Por, ende pa e nisur mirë rrugëtimin e saj futbollistik, tifozeria e Kosovës u akomodua mirë e lehtë në skajet më të errëta të tifozerisë. Thirrje të tilla shoviniste janë të dënueshme jo vetëm në aspektin etik apo moral. Të dyja tifozeritë do të mund të dënohen nga organet e larta sportive.

Ajo që nuk kuptohet nëpër turmat me nivel të lartë testosteroni, është se thirrja për të vrarë është një thirrje për vetëvrasje politike e sportive. Vetëvrasje jo vetëm për njërin prej yjeve të flamurit gjithpërfshirës, por vetëvrasje të idealit për Kosovën që do të luajë. Kosova është ekip i ri në këtë garë. Duhet ta mbështesim fort e më fort. Por jo duke brohoritur për vrasje. Duhet të dëshmohet qartë se Kosova është bërë pjesë e futbollit ndërkombëtar për të luajtur, jo për të vrarë!/ Dialog Plus