• |
ide | kryesore

Gafa e Merkelit, Trump dhe fundi i Perëndimit

Arkiva, Ide
giedon.jpg



Vizita e parë e Donald Trump në Evropë ishte e vështirë. Duke folur në një miting elektoral në Mynih, pak pasi presidenti amerikan ishte kthyer në Uashington, Angela Merkel njoftoi ‘vdekjen’ e aleancës perëndimore.

“Kohët kur mund të mbështeteshim plotësisht te të tjerët kanë mbaruar. Ne evropianët duhet të marrim fatin në duart tona. Sigurisht që duhet të kemi marrëdhënie miqësore me SHBA-në , Britaninë e Madhe dhe me fqinjët e tjerë, duke përfshirë Rusinë. Por ne duhet të luftojmë për veten tone dhe të ardhmen tonë”,  paralajmëroi Kancelarja gjermane.

Vërejtjet e zonjës Merkel kanë pushtuar  me shpejtësi tituj e gazetave.

“Duke thënë se Evropa nuk mund të mbështetet te të tjerët dhe se duhet të marrë në dorë fatin e saj, Merkel ka thënë atë që SHBA-ja është përpjekur të shmangë që nga Lufta e Dytë Botërore “, shkroi Richard Haass, kryetari i Këshillit për Marrëdhëniet me Jashtë

Është e lehtë dhe e përshtatshme të fajësohet Presidenti Trump për këtë gjendje. Por pavarësisht formulimit të saj të kujdesshëm, Merkel është sjellë gjithashtu në mënyrë të papërgjegjshme, duke bërë një deklaratë që kërcënon të zgjerojë një përçarje të rrezikshme në aleancën e Atlantikut.

Por të fajësosh zotin Trump është më e lehtë. Performanca e tij në Evropë ishte katastrofike. Në një fjalim para anëtarëve të NATO-s, Presidenti amerikan dështoi të rikonfirmonte Nenin e 5-të për mbrojtjen e të gjitha vendeve të aleancës.

Kjo nuk ishte aksidentale dhe dërgoi një mesazh të qartë se angazhimi i Amerikës për mbrojtjen e Evropës nuk mund të merret më si i mirëqenë. Kjo, nga ana tjetër, rrezikon inkurajimin e Rusisë për të provokuar mbrojtjen e NATO-s.

 Në samitin e G7-ës, Trump ishte i vetmi që nuk miratoi marrëveshjen e klimës në Paris. Gjithashtu ai iu citua gjerësisht se e kishte quajtur Gjermaninë “të keqe, shumë të keqe” për shkak të shitjes së shumë makinave në SHBA.

E ballafaquar me gjithë këtë, dhe me largimin  e Britanisë, Merkel mund të ndjejë se Gjermania nuk mund të mbështetet më tek aleatët amerikanë dhe ata britanikë. Megjithatë, fjalimi i saj ishte një gabim për të paktën pesë arsye.

-Së pari, është gabim të lejojmë që katër muaj nga Presidenca Trump të hedhim dyshime mbi aleancën transatlantike që ka mbajtur në paqe kontinentin evropian për plot 70 vjet. Është gjithashtu e mundur që zoti Trump të rrëzohet shumë shpejt nga pushteti

-Së dyti, presidenti amerikan kishte të drejtë që vuri në dukje se shumica e vendeve evropiane nuk përmbushnin objektivat e NATO-s mbi shpenzimet ushtarake. Sjellja e zotit Trump në Evropë ishte e pavend. Por argumenti i tij se është e paarsyeshme qe SHBA-të që të përmbushë pothuajse 75 përqind të shpenzimeve të mbrojtjes së NATO-s është i saktë. Kjo cështje është ngritur për diskutim gjithashtu nga Robert Gates, Ministri i Mbrojtes së Presidentit Obama. Duke pasur parasysh se Gjermania ka qenë më e shtrënguar në shpenzimet ushtarake , është e pacipë që SHBA-ja të konsiderohet si një aleat i pasigurtë.

-Së treti, duke nënkuptuar se aleanca perëndimore është tashmë duke u përcarë, zonja Merkel ka shumëfishuar gabimin që bëri Trump kur nuk mbështeti Nenin e 5-të.

Të dyja ngjarjet do të  inkurajojnë qeverinë ruse për të thyer aleancën perëndimore. Kjo, nga ana tjetër, e bën situatën e sigurisë në Evropë edhe më të rrezikshme.

-Së katërti, zonja Merkel u tregua e padrejtë që vendosi Britaninë e Madhe dhe Amerikën në të njëjtën pozitë. Në diskutimet mbi ndryshimet klimatike, Britania u bashkua me BE-në dhe jo me Shtetet e Bashkuara. Qeveria e Theresa May ka qenë gjithmonë e gatshme të theksojë angazhimin e Britanisë ndaj NATO-s.

Megjithatë, nëse Merkel ndjek negociatat e Brexit në frymën e tanishme konfrontuese,  duke kërkuar i Mbretërisë së Bashkuar të paguajë shifra të mëdha para se të diskutojë mbi një marrëveshje tregtare, ajo rrezikon krijimin e një profecie vetë-izoluese dhe një antagonizëm të qëndrueshëm midis Britanisë dhe BE-së .

Një “Brexit” me të vërtetë i vështirë mund të vërë në pikëpyetje angazhimin e Britanisë ndaj NATO-s , veçanërisht nëse SHBA-ja tërhiqet nga  aleanca perëndimore.

Gabimi përfundimtar në qasjen e zonjës Merkel është “shurdhimi” i saj ndaj jehonave të historisë. Një nga gjërat me të vërtetë mbresëlënëse në lidhje me Gjermaninë moderne është mësimet që ka marrë nga historia.

Pra, është e habitshme që një lidere gjermane të qëndrojë në një tendë birre në Bavari dhe të njoftojë ndarjen nga Britania dhe SHBA-ja, duke i krahasuar këto dy vende me Rusinë.

Rezonancat historike duhet të jenë të ftohta. Nuk mund të sugjerojmë se Merkel është në të njëjtin nivel moral dhe politik si zoti Trump. Presidenti amerikan ka shfaqur në mënyrë të përsëritur përbuzje për vlerat thelbësore perëndimore

Si rezultat, disa madje e kanë shpallur Kancelaren gjermane si udhëheqësen e vërtetë të Perëndimit. Mesa duket ky titull u dha para kohe. Realiteti i trishtë është se Merkel nuk ka për qëllim të shpëtojë aleancën perëndimore. /Financial Times – Përshtati Syri.net/