• |
ide | kryesore

Atentati ndaj Aleksandër Ndokës, familjarët shprehen se nuk kanë asnjë dyshim për autorët

Lajme, Të fundit

Hetimet mbi vrasjen e Aleksandër Ndokës në Lezhë janë thuajse në pikën zero.  As dëshmitë e familjarëve të tij nuk kanë ndihmuar grupin e hetimit të fokusohet drejt një piste që do t’i ndihmonte ata drejt identifikimit të autorëve.


Kur kanë kaluar tri ditë nga atentati që i mori jetën 48-vjeçarit, vëllai i ish-deputetit socialist Arben Ndoka, identifikimi i autorëve duket gati i pamundur, pasi sipas të dhënave nga grupi i hetimit, ata nuk kanë lënë prova në vend. Përveç gëzhojave të kallashnikovit që u gjetën në vendngjarje, hetuesit nuk kanë administruar asnjë provë tjetër të vlefshme.


Ndërkaq, në lagjen “Nëne Tereza” të Lezhës, ku mendohet se kanë lëvizur autorët, ndodhej vetëm një kamerë sigurie e një biznesi. Kjo ishte shpresa e vetme e hetuesve, por nga këqyrja e saj nuk rezulton asnjë automjet apo person që mund ta lidhë ngjarjen me autorët.

12 personat që u shoqëruan në lidhje me ngjarjen, janë liruar që të gjithë. Ata janë marrë në pyetje, por nuk është administruar asnjë informacion me vlerë që mund të ndihmojë hetuesit për zbardhjen e kësaj ngjarjeje të rëndë.

Pas ceremonisë mortore, në pyetje për ngjarjen janë marrë edhe vëllezërit dhe të afërmit e 48- vjeçarit (nuk konfirmohet nëse është pyetur edhe ish-deputeti). Por ata kanë thënë para grupit hetimor se, nuk kanë asnjë dyshim se kush mund të fshihet pas vrasjes së Aleksandrit.

 


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike.