• |
ide | kryesore

Izet Haxhia mbërrin në Shqipëri. Një muaj për t’u marrë vendimi mbi dosjen ‘Hajdari’

Kryesore, Lajme



Izet Haxhia, ish truproja i Sali Berishës, u ekstradua nga Turqia. Ai mbërriti sonte në aeroportin e Rinasit në masa të rrepta sigurie. Disa ditë më parë Izet Haxhia u vetëdorëzua në policinë turke, me qëllim që të niste procedura e ekstradimit të tij drejt Shqipërisë.

Lajmin e vetëdorëzimit ai e njoftoi përmes faqes në Facebook. Izet Haxhia u arrestua në vitin 2006 në Turqi, por drejtësia turke nuk ishte shprehur ende për ekstradimin e tij, ndonëse pala shqiptare kishte bërë kerkesa të vazhdueshme në kohën kur në pushtet ishte Sali Berisha.

Për 12 vjet me radhë gjykata turke kishte urdhëruar thjesht që ai të mos largohej jashtë vendit, ndërsa në shkurt të këtij viti befas u mor vendimi që ai të ekstradohet. Izet Haxhia është dënuar nga gjykata shqiptare me 25 vite burg për vrasjen e Azem Hajdarit, akuzë të cilën ai nuk e ka pranuar kurrë. Ekstradimi i tij në Shqipëri mund të çojë në hapjen e dosjes ‘Hajdari’.

Pak ditë pas vetëdorëzimit tek autoritetet turke, Haxhia ka zgjedhur në Shqipëri avokatin Fran Dashi, i cili do të mbrojë interesat e tij gjatë dhe pas ekstradimit.

Sipas avokatit, Haxhia do të rigjykohet dhe dosja “Hajdari” do të rihapet. Ai gjithashtu shprehu bindjen se klienti i tij është i pafajshëm, dhe se pikërisht për këtë arsye kërkon një proces të rregullt ligjor, ndryshe nga ai i disa viteve më parë.  Në një intervistë në shkurt të këtij viti, Haxhia deklaroi se nuk ka asnjë garanci për jetën dhe ka bindjen se ndaj tij do të përdoren të gjitha metodat për ta eliminuar fizikisht. Por sipas ish-truprojës së Berishës, me rikthimin e tij në Shqipëri, pas 19 vjetësh, do të kërkojë edhe rihapjen e çështjes “Hajdari”, për të qartësuar jo vetëm pozicionin e tij për ngjarjen për të cilën akuzohet, por edhe për të folur me emra për persona të tjerë të përfshirë në këtë ngjarje.

Lidhur me dosjen ‘Hajdari’ ai ka thënë se do të paraqesë provat që implikojnë disa persona shumë të rëndësishëm në këtë vrasje, por pa përmendur emra.

“Këta persona janë pjesë e një klani politik e mafioz shumë të fuqishëm, me qëllime të caktuara. Nuk është përmendur emri i tyre si projektues dhe urdhërdhënës të vrasjes së Hajdarit, por edhe të ministrit të Bukoshit, Ahmet Krasniqi. Unë e kam guximin t’i shoh në sy të gjithë ata që më kanë akuzuar me të padrejtë dhe në mënyrë tinëzare. Kur këto hiena t’i kem përballë në sallën e gjyqit, atëherë do të ballafaqohem me të vërtetat e mia që do të jenë makthi i tyre. Nuk kam besim te drejtësia, pasi ajo ka qenë dhe vazhdon të jetë një patericë e fuqishme e politikës”, deklaronte Haxhia.

Kërkesa për rishikim mund të paraqitet brenda 30 ditëve nga data kur personi është ekstraduar. Pra, referuar legjistacionit shqiptar, tashmë drejtësisë i mbetet një muaj kohë për të vendosur nëse do të rihapet procesi gjyqësor ose do të lihet në fuqi dënimi prej 25 vitesh.

Me ekstradimin e tij në Tiranë mbetet të presim se si do të rrjedhin gjërat. Haxhia gjatë kohës që ishte në Turqi, ka hedhur akuza të rënda ndaj ish-kryeministrit Sali Berisha si të implikuar në vrasjen e Hajdarit. Nga i anatemuari kryesor ai ishte shndërruar në të preferuarin e mediave të majta që nuk lanë rast pa e shtrydhur lëngun e fundit të limonit të tij për të rrëfyer gjëra në dëm të opozitës së sotme. Shumë burime nga opozita zyrtare dyshojnë se vendimi për ta kthyer tani pas mëse 12 vitesh Haxhinë, mund të jetë i lidhur me ndonjë kombinacion me sfond politik.

Dihet se në Turqi ku ai fshihej prej kohësh pushteti i drejtësisë është tërësisht në duart e liderit autokrat Erdogan. Dihet gjithashtu për lidhjet e forta të pushtetit të Tiranës me vëllain turk të shpallur aleat strategjik. A kanë lëvizur edhe këto mekanizma për ta kthyer në Tiranë ish badigardin e Berishës të shndërruar aktualisht në armikun e tij numër 1. Kjo pritet të shikohet pas zbarkimit në Rinas të Izet Hxhisë.

©LAPSI.al 



2 Comments

  1. Kjo eshte loge Turku shqiptar.
    Pa lejen e families hajdarii nuk mind te hapet dosja.Deshmitaret e i.h.do sulmojn due azemin per se vdekiri?

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *