• |
ide | kryesore

Suedia për herë të parë në 18 vjet pa Ibrahimovic, Koresë i kujtohet 2002-i

Rusi 2018, Sport



Nuk janë skuadrat më kualitative të dy kombëtareve, por nuk i mungojnë ambicjet për të lënë gjurmë në Rusi. Përplasjen e tyre në Nizhni Novgorod, e para në një Botëror, Suedia e Koreja e Jugut kërkojnë ta fitojnë, kur dihet që janë shortuar bashkë me Gjermaninë e Meksikën në Grupin F.

Skuadra që e la Botërorin pa Italinë…

Formacioni i Janne Andersson kthehet të luajë në finalet e një Kupe Bote për herë të parë që nga 2006 dhe ka mbi vete një përgjegjësi të madhe dhe një status-quo prestigji, pasi ka lënë Rusi-2018 pa Italinë, të eleminuar në play-off. Nuk ka qenë në fakt asnjëherë pika e fortë e Suedisë mbrojtja: Nuk ka pësuar gol vetëm në 3 takime në 24 sfidat e fundit në Botëror, për më tepër që nuk fitojnë ndeshjen e tyre të parë që nga 1958, në shtëpi, kur mundën Meksikën e do tentojnë ta bëjnë kundër Koresë së Jugut.

Pas 18 vjetësh pa Ibrahimovic…

Do të vinte edhe dita që Zlatan Ibrahimovic të mos zbriste në fushë me fanellën e verdhë të Suedisë, por cështja është sa do ta suportojnë nordikët mungesën e gjigantit. Ata nuk humbasin një ndeshje në grupe që kur Kosta Rika i mposhti 2-1 në 1990, por këtë herë duhet ta provojnë veten pa Zlatan, për herë të parë në 18 vjet në një turne madhor. Megjithatë të besuarit Andersson sikur e kanë kaluar varësinë, të paktën statistikisht duke qenë se janë të pamundur në 4 ndeshjet e fundit në të gjitha kompeticionet. Liderët e rinj të skuadrës janë Emil Forsberg me 4 gola në kualifikuese dhe Marcus Berg shënuesi më e mirë me 8 gola.

Nga Ahn tek Son…

Ahn Jung-Hwan ishte njeriu simbol në Botërorin e 2002, por nga lavdia e vendit të katërt në turneun e shtëpisë, aziatikët janë një skuadër krejt tjetër, duke dështuar të fitojnë në 6 ndeshjet e fundit në finalet e një Botërori. Son Heung-Min është njeriu kyç i ofensivës koreane. Sulmuesi i Tottenham është shënuesi më i mirë në kualifikuese me 7 gola dhe do të jetë problemi kryesor për mbrojtësit statikë suedezë me shpejtësinë e tij. Tekniku Shin Tae-Yong pret shumë edhe nga Ki Sung-Yueng dhe Hwang Hee-Chan, dy elementë që mund ti japin tjetër imazh skuadrës aziatike.

Në debutim, Korea problematike…

Në Botëror, përjashto atë historik në 2002, nuk është se koreanët kanë statistikave të mira, por në ndeshjet e para aziatikët janë për tu evituar. Skuadra më e përfaqësuar në Botëror e kontinentit, është pamundur në 4 sfidat e fundit hapëse. Ka dhe një detaj sinjifikativ: 5 nga 8 golat e fundit në Botëror, Korea e Jugut i ka shënuar nga jashtë zonës. Megjithatë, 4-4-2 i suedezëve ekzalton forcën fizike të tyre dhe një mbrojtje solide përpara Olsen, që ka ruajtur të paprekur portën në 7 kualifikuese.



Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *