• |
ide | kryesore

Këshillat/ Çfarë duhet të bëni dhe çfarë jo, kur godet vala e të nxehtit

Kryesore



Me valën e nxehtit që ka përfshirë të gjithë globin, që nga Japonia në Britaninë e Madhe, që nga Algjeria në Kaliforni, secili nga ne e ka gati një këshillë për tjetrin për t’u freskuar. Por kush janë faktet që i qëndrojnë shkencës, kur vjen puna tek përballimi i të nxehtit? Lexoni më poshtë disa shpjegime për ato këshilla që jepen rëndom në këto ditë të nxehta. Ndoshta deri dje i keni menduar se janë zgjidhja më e mirë për t’i shpëtuar vapës mbytëse, por jo të gjitha mund të jenë të vërteta:

1) Më mirë pija e ftohtë, sesa e ajo e nxehtë

Konsumimi i sa më shumë lëngjeve është gjëja më e mirë për t’u bërë kur nis vala e të nxehtit: sepse qëllimi është të qëndrosh i hidratuar, sepse kjo i bën mirë edhe veshkave. Por ka një debat në këto raste: Eshtë më mirë të konsumosh pije të ftohta apo të nxehta?

Teoria që këshillon pijet e nxehta, thotë se këto e ngrohin organizmin nga brenda, duke provokuar djersitje të trupit dhe për pasojë edhe ftohjen e tij.

Trupi i njeriut mund të prodhojë deri në dy litra djersë në një orë, që ka efekte të menjëhershme në uljen e temperaturës së organizmit.

Por kini kujdes! Nëse lëngjet nuk zëvëndësohen shpejt, rrezikoni të kaloni në dehidratim, ndaj ka raste kur konsumi i lëngjeve të nxehta nuk këshillohet.

Disa argumentojnë se nuk duhet të konsumoni shumë çaj apo kafe sepse këto përmbajnë një stimulues të dehidratimit, që është kafeina. Por nga ana tjetër, kafeina në sasi të vogla nuk ka efekte në dehidratim.

Disa studime të tjera mbështesin idenë se pijet e ftohta kanë më shumë efekte në ftohjen e trupit.

Për të pasur një provë të njërës apo tjetrës mënyrë, janë zhvilluar eksperimente që kanë matur temperaturën e personave që kanë konsumuar pije të ftohta dhe të nxehta.

Nga rezultatet e para doli se pijet e ftohta ishin më efektive për të ulur temperaturën e trupit.

Por kujdes! Këto eksperimente patën një problem. Vullnetarëve iu mat temperatura vetëm në një pjesë të trupit, në zonën rektale, pra jo shumë larg stomakut, aty ku shkon menjëherë lëngu i ftohtë i konsumuar.

Kur temperatura e vullnetarëve u mat në pjesë të ndryshme të trupit, me tetë termometra të ndryshëm, rezultoi se pijet e nxehta shkaktonin ftohje më të madhe të trupit, sepse shkaktonin djersitje më të madhe.

Nga këto eksperimente u kuptua se pijet e nxehta do t’ju ftohin më shumë- duke ju bërë të djersini më shumë. Por kujdes, nëse ka shumë lagështirë apo nëse jeni veshur në mënyrë të tillë që djersa nuk mund të avullojë, në këtë rast zgjedhja më e mirë është një pije e ftohtë.

Verdikti: Pijet e nxehta ju freskojnë më shpejt- vetëm nëse nuk jeni në një ambjent me shumë lagështirë

2) Freskohuni me një ventilator

Flladi i një ventilatori duket se të freskon fillimisht, por dihet se këto pajisje nuk e ulin temperaturën e ambjentit. Thjesht qarkullojnë ajrin, për të krijuar një erë të lehtë që e ndihmuar trupin e njeriut të nxjerrë nxehtësinë përmes lëkurës dhe përmes avullimit ose ftohjes së djersës.

Ventilatorët përdoren gjerësisht. Por prova se vërtet e ftohin temperaturën e ambjentit, nuk ka. Autorët e Cochrane Reviews kërkuan në të gjithë botën për disa nga llojet më të mira të këtyre pajisjeve, për të kuptuar më shumë mbi efektin që kishin në ambjente të ndryshme.

Tentativa e tyre në vitin 2012 me ventilatorë të llojeve të ndryshme doli në rezultate të paqarta, sepse shumica e studimeve ishin thjesht vëzhguese. Disa dolën në përfunfimin se ventilatorët e freskonin ambjentin, disa të tjera, kur temperaturat ishin shumë të larta, e bënin akoma më të vështirë gjendjen.

Mendohet se ventilatorët janë zgjidhja më e mirë, kur temperaturat janë nën 35 gradë celcius. Mbi këtë temperaturë, ajri i nxehtë që qarkullon mund ta shtojë marrjen e nxehtësisë nga trupi, duke përkeqësuar gjendjen.

Ndaj, nëse është shumë vapë, ventilatorët mund të ndikojnë në rritjen e dehidraditimit për trupin e njeriut. Akoma më pak të nevojshëm, bëhen ventilatorët, nëse ajri është me lagështirë, pasi duke e qarkulluar atë, e bën më të vështirë avullimin e djersës në lëkurë.

Sigurisht që deri kur të ketë eksperimente të çertifikuara, asgjë nuk mund të thuhet mbi efektin e ventilatorëve në një vend të nxehtë.

Ajo që dimë është se ventilatorët nuk janë përherë shpëtimi nga vapa. Në vitin 1999 në Sinsinati, në SHBA, 17 vetë ndërruan jetë për shkak të t nxehtit- 10 prej tyre i kishin ventilatorët ndezur kur u gjetën pa jetë. Gjithsesi nuk është e qartë. Ndoshta pa ventilatorë, do të kishin vdekur më herët

Verdikti: Duhet më shumë informacion… por nëse temperaturat janë më shumë se 37 gradë celcius, mirë është ta fikësh ventilatorin.

3) Vetëm të moshuarit duhet të kenë kujdes nga vapa

Eshtë e vërtete se vizitat në urgjencë shtohen gjatë valëve të të nxehtit dhe se shumë prej pacientëve janë të moshuar.

Temperatura ku organizmi funksionon në formën më të mirë, ka një mesatare mes 36 dhe 37.5C. Termoreceptorët në lëkurë, organet dhe indet e trupit e ndjejnë menjëherë rritjen e temperaturës, qoftë edhe 1C. Nëse temperatura në ambjent është më e lartë se ajo e trupit tonë, nisim të djersijmë për t’u ftohur.

Ne gjithashtu reflektojmë nxehtësi, duke dërguar më shumë gjak në duar dhe në këmbë, kjo dhe arsyeja që gjatë natës ka raste i ndjejmë më të nxehta gjymtyrët. Ky sistem termorregullues, kërkon që zemra të punojë më fort, për këtë arsye, të moshuarit pësojnë atak kardiak apo edhe pushim të zemrës.

Ndryshe nga efektet që krijon në organizëm moti i ftohtë, kjo mund të ndodhë më shpejt në vapë: shumica e vdekjeve ndodhin gjatë 24 orëve të para të valës të së nxehtit.

Problem tjetër për të moshuarit është se kanë një ndjeshmëri më të vogël ndaj ndryshimeve të trupit të tyre, ndaj dhe shpesh nuk e vënë re se temperatura e trupit të tyre është rritur, që do të thotë se mund të dehidratohen pa e kuptuar, ndryshe nga të rinjtë.

Por kjo nuk do të thotë se vetëm të moshuarit janë në rrezik. Foshnjat dhe të sëmurët kronikë janë po ashtu të ekspozuar ndaj rrezikut të të nxehtit. Po ashtu edhe personat me probleme shëndetësore, kjo për arsyen e thjeshtë se e kanë më të vështirë të hapin një dritare, të marrin një gotë ujë apo veprime të ngjashme.

Gjithsesi të moshuarit nuk janë të vetmit që duhet të kujdesen nga temperaturat e larta. Vala e të nxehtit në Europë në vitin 2003, llogaritet të ketë shkaktuar të paktën 30 mijë viktima, disa të tjerë thonë se shifra e vërtetë është 70 mijë. Nga 15 mijë që vdiqën në Francë, 1321 ishin nën moshën 64 vjeç.

Verdikti: False, të moshuarit duhet të jenë veçanërisht të kujdesshëm nga vapa, por po ashtu duhet të ruhen edhe të tjerët

4) Hapni të gjitha dritaret

Hapja e dritareve është veprimi i parë që bëjnë shumë prej nesh, kur është nxehtë. Por gjatë ditës kjo mund të jetë veprimi i gabuar.

Sepse në fakt, duhet hapur vetëm dritarja ku ajri jashtë është më i freskët se ai brenda në shtëpi, që ka shumë mundësi të jetë gjatë natës. Nëse jashtë moti është shumë i nxehtë, dritaret duhen mbajtur mbyllur. Sepse me shumë mundësi, ajri brenda është më i ftohtë.

Verdikti: False- nëse ajri jashtë është më i nxehtë. Por gjatë natës, hapja e dritareve sigurisht që është një lehtësim.

5) Pini birra

Në filmin e vitit 1958 “I ftohtë akull në Aleks”, personazhei kryesor, sapo ia ka dalë të arratiset nëpër shkretëtirë. Kur afrohet pranë banakut, porosit një gotë birrë të ftohtë, që pasi e rrëkëllen me një frymë thotë shprehjen e famshme: Ia vlejti gjithë ajo pritje!

Tani, nuk është nevoja për të kaluar shkretëtirën e Afrikës Veriore për të dëshiruar një birrë, në fund të ditës. Por a do të të ndihmojë për t’u freskuar?

Nëse është vetëm një, nuk të bën keq. Në studime të ndryshme, njerëzit kanë kryer aktivitete deri kur temperaturat e trupit janë rritur dhe pasi kanë pirë birrë, me ose pa alkol, janë vëzhguar efektet në organizëm.

Në një studim të vitit 1985, kur stërvitja ishte bërë në një ambjent me lagështirë, ashtu siç pritej, niveli maksimal i urinës në organizëm u provokua menjëherë pas birrës, një shenjë jo e mirë kjo. Sepse tregon se trupi më shumë humb, sesa përthith lëngje.

Por në krahasim me birrën pa alkol, ose me pak alkol, diferenca ishte shumë e vogël. Një studim i mëvonshëm, gjeti rezultate të ngjashme. Megjithëse uji konsiderohet si më efektivi për hidratimin e trupit, edhe birra po ashtu ka efekte të mira hidratuese.

Gjithashtu një studim i bërë në Spanjë, pas një vrapimi 40 minuta në pistë, doli në përfundimin se birra ka efekte hidratuese shumë të larta.

Këto kanë qenë studime modeste, dhe nuk kishin si qëllim të vëzhgonin lëvizjet e temperaturës, ndaj nuk mund të themi nëse birra të freskon apo jo. Por ato tregojnë se një, ndoshta dy gota birrë më shumë të hidratojnë sesa të dehidratojnë. Ndoshta, jo më kot, ajo gota e birrës në film, ia ka vlejtur vërtet.

Verdikti: E vërtetë- të paktën për një ose dy birra./ Përshtati në shqip nga BBC, Lapsi.al



Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *