• |
ide | kryesore

Injoranca në pushtet mund t’a coptojë Kosovën

1, Ide



Gjatë një çerek shekulli në politikën kosovare qe vendosur një parim, që nuk bisedohet për tërësinë tokësore të Kosovës. Hashim Thaçi mund të mos e dinte këtë, siç nuk di për shumë gjëra, por kjo nuk e zhvesh nga përgjegjësia e as nga obligimi që të ruajë parimet që janë ndërtuar më parë.

Nga Veton Surroi

1.

Në një koktej në Rezidencën zvicerane në Beograd, më 1993, ambasadori zviceran insistoi që të takohesha me Mihajlo Markoviqin, nënkryetar i Partisë Socialiste të Serbisë. Markoviqi ishte njëri prej filozofëve më të njohur serbë, gjatë viteve gjashtëdhjetë ishte rreshtuar me intelektualë kroatë dhe sllovenë që i përkisnin një mendimi të majtë evropian, kritikë ndaj komunizmit jugosllav. Gjatë viteve tetëdhjetë ishte rreshtuar në Akademinë e Shkencave të Serbisë me nacionalistët, dhe qe njëri prej autorëve të Memorandumit famëkeq.

Ambasadori na njoftoi dhe pas pak na la vetëm, aq sa të mund të themi se dinim për njëri-tjetrin. Dhe, sa për të filluar me hapjen, si në një lojë shahu, nga ana e tij:

– Çështja e Kosovës duhet zgjidhur me dialog. Unë jam kundër dhunës, gjithnjë kam qenë kundër dhunës.

Hapja ishte e mirë. Mund të vazhdoja me përgjigjen që do të mbyllte bisedën. Për shembull, të thosha se duke qenë autor i Memorandumit, ai kishte përgatitur dhunën që po bëhej në ish-Jugosllavi. Ideja qendrore e Memorandumit, të pabarazisë së Serbisë, ishte motor i një lëvizjeje nacionaliste që në fund do të zhbënte me dhunë Jugosllavinë.

Apo, mund të thosha, siç bëra:

– Meqë jeni kundër dhunës, si do ta zgjidhnit problemin e Kroacisë e të Bosnjës, që degjeneruan në luftë të tmerrshme?

2.

Pamja e ne të dyve, duke biseduar në Rezidencën zvicerane, intrigoi mysafirët e tjerë të cilët na rrethuan. Që të gjithë arritën në momentin kur, pas një shpjegimi të gjatë historik, dr. Markoviqi e jepte recetën e zgjidhjes së problemit:

– Zgjidhja është rivendosja humane e popullatës.

– Si do ta bënit atë rivendosje – pyeta unë?

– Do të merreshim vesh për parimin, fillimisht. Pra, prijësit serbë, kroatë e boshnjakë do të merreshim vesh se kjo është zgjidhja, do të hapnim hartat dhe do të propozonim, fshat për fshat, shtëpi për shtëpi, se si do të rivizatoheshin territoret. Në një fshat nga i cili largohen boshnjakët do të vinin serbët e larguar nga fshati ku janë boshnjakët a kroatët shumicë dhe kështu me radhë.

Duke mos u besuar veshëve, pyeta edhe një herë:

– Si do ta bënit? Si po mendoni se do ta bëni këtë rivendosje?

Ai konsideroi se pyetja ime nuk kishte të bënte më me parimin, por me zbatimin e tij teknik dhe u përgjigj lehtësisht:

– Ah, me autobusë, me ndërmarrje transportuese…

Fjalët që i dëgjoja nuk ishin mendime eksploruese e të thëna në një koktej rasti; ishin pjesë e një studimi të thellë. Dhe më intriguan sa për të parë se sa i thellë ishte projekti me një pyetje të thjeshtë:

– Çka bëhet me ata që nuk duan të largohen? Çka të bëhet me familjen e cila e ka ndërtuar shtëpinë dhe jetën në atë shtëpi dhe nuk do ta braktisë e të shndërrohet në refugjatë në një mjedis të ri? Nuk mbetet tjetër pos të dëbohet me dhunë nga aty?

Dr. Markoviqi bashkëndjeu me simpati pyetjen time, rrudhi krahët dhe tha:

– Çdo gjë është më mirë sesa lufta.

Në atë moment ndërhyri Nenad Çanak, lider i Socialdemokratëve të Vojvodinës:

– Ju jeni fashist, propozimi juaj është fashizëm dhe forma e vetme se si realizohet ky propozim juaji fashist është me luftën të cilën e iniciuat ju, fashistët serbë!

3.

Biseda rreth “këmbimit”, “rivendosjes humane të popullatës” apo sido që të quhet projekti i radhës i ndarjes territoriale përfundoi aty. Dr. Markoviqi në atë koktej nuk arriti të elaboronte përfundimisht logjikën e ndarjes, atë që bashkëmendimtari i tij në Akademi (së bashku me jo pak të tjerë) kishin biseduar, hartuar, dizajnuar dhe propozuar: zgjidhjen e çështjes së Kosovës në bazë të ndarjes territoriale-etnike.

Por, ky parim hyri si mendim institucional gjithandej. Anëtarët e Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Serbisë dilnin herë pas here me ndonjë libër a shkrim. Ushtria serbe vizatoi hartat e eventualiteteve luftarake, dhe njëra prej hartave u aplikua në luftën e Kosovës më 1999 me dëbimin e popullatës shqiptare e pastaj me përpjekjen e ndarjes së Veriut (të suksesshme deri më sot) dhe lidhjes (së pasuksesshme) të kësaj pjese me Pejën dhe Deçanin. Pas luftës njëri prej propozimeve të para të Kishës ortodokse serbe në Kosovë ishte krijimi i enklavave serbe dhe lidhja e tyre territoriale nëpërmjet rrugëve të veçanta komunikimi. Në negociatat e Vjenës delegacioni i Serbisë e transformoi këtë kërkesë në atë për Asociacionin e komunave serbe, kërkesë që u pranua nga Hashim Thaçi në “dialogun e Brukselit”, kur tashmë Kosova ishte e pavarur.

4.

Gjatë viteve 2017 dhe 2018, një çerek shekulli më vonë, ideja e dr. Markoviqit u rishfaq në takimet mes Hashim Thaçit dhe presidentit të Serbisë.

Në listën e hapave – njëherë dakordohemi për parimin, pastaj ulemi mbi harta dhe në fund thërrasim ndërmarrjet transportuese -Thaçi tashmë ka tejkaluar hapin e parë dhe gjendet në të dytin. Ai ka pranuar parimin se është i mundshëm “këmbimi human” i territoreve a popullsisë, siç e ka bërë edhe presidenti i Serbisë. Ka gati një vit që gjendet në fazën e dytë, atë të “ulemi mbi harta”. Për këtë fazë u ka deklaruar diplomatëve, jo pa mburrje, se është i gatshëm të negociojë “metër për metër”, “shtëpi për shtëpi”. Këto fjalë i kisha dëgjuar nga dr.Markoviqi më 1993.

Gjatë një çerek shekulli në politikën kosovare qe vendosur një parim, që nuk bisedohet për tërësinë tokësore të Kosovës. Hashim Thaçi mund të mos e dinte këtë, siç nuk di për shumë gjëra, por kjo nuk e absolvon nga përgjegjësia e as nga obligimi që të ruajë parimet që janë ndërtuar më herët, janë treguar si të drejta, i kanë sjellë dobi Kosovës dhe nuk duhet të ndërrohen derisa vendi të bindet se duhen parime të tjera.

Ka një çerek shekulli që tashmë është elaboruar pse negociatat me Serbinë nuk kanë kurrfarë ardhmërie mbi parimet e ndarjes etnike dhe rirregullimit territorial: nuk i bëjnë mirë Kosovës, nuk u ndihmojnë serbëve të Kosovës, në fund nuk i ndihmojnë as Serbisë. Implikimet negative për regjionin, që nga Bosnja e deri në Maqedoni, janë edhe më të tmerrshme.

Negociatat me Serbinë kanë mundësi, dhe nevojë, të vendosen mbi parime të tjera, të paprovuara deri tani. Në vend të parimit të ndarjes mund të ndërtohet parimi i bashkëpunimit, i bashkëpunimit në barazi.

Por, për ta bërë këtë duhet edhe një parim tjetër: largimi i injorancës.
/Koha Ditore/



1 Comment

  1. Nëse do të ishte vetëm pasojë e injorancës një veprim i nxituar politik me Serbinë, kjo do të ishte gjysma e së keqes, por më duket se rreziku mund të jetë gjetkë.
    Është mbase rreziku që politikanë në dy shtetet shqiptare, me komplekset e fajeve të së kaluarës, bëjnë kalkulime se mund ti shpëtojnë ndëshkimit duke mos përfillur interesat kombëtare, duke ju bindur diktatit të interesave gjeostrategjike të realitetit politik në Europë.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *