• |
ide | kryesore

Zyrtare/ Mavraj tek Aris, Panucci merr frymë qetësisht

Sport



Mërgim Mavraj është zyrtarisht tashmë një futbollist i Aris, duke firmosur një kontratë dy vjecare me klubin grek. Një lëvizje e rëndësishme për shtatlartin e përfaqësueses, pas vështirësive të kohëve të fundit në Gjermani. Në fakt klubi i Selanikut kishte kohë që insistonte për Mavrajn, por tratativa ishte bllokuar nga kërkesat ekonomike të mbrojtësit. Negociatat mes klubit grek dhe Mavrajt zgjatën disa javë, pasi oferta që i bënte klubi ishte 250 mijë euro në sezon, ndërsa Mavraj kërkonte 350 mijë euro, shumë që u përmbush nga Aris dhe solli edhe firmën në kontratë.

Tek Aris do të jenë tashmë bashkë dy lojtarë të rëndësishëm të kombëtares shqiptare. Prezenca e Migjen Bashës në rradhët e Aris ka qenë një motiv më shumë për Mavraj që të firmos kontratën dhe sezonin e ardhshëm të luajë në Superligën helene. Frymëmarrje edhe për teknikun e përfaqësueses kuqezi, Christian Panucci, që tek Mavraj ka ndërtuar gjithë repartin difensiv. Luhatjet e prezencave të mbrojtësit me klubet kanë ndikuar jo pak në performancën difensive të kombëtares dhe italiani ka treguar se nuk mund të bëjë pa liderin e mbrojtjes, duke e thërritur për ndeshjet e Ligës së Kombeve, si lojtarin e vetëm që nuk kishte akoma një skuadër.

Kontratë dy-vjeçare për 32 vjecarin, që konsiderohet një goditje e rëndësishme e Aris, për eksperiencën e madhe që disponon. Lajmin për mbërritjen e shqiptarit e ka konfirmuar presidenti i Aris Selanik, Theodor Karipidis. Megjithatë mbrojtësi do të bashkohet me skuadrën e tij të re vetëm në përfundim të impenjimeve të kombëtares shqiptare në Ligën e Kombeve.



Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *