• |
ide | kryesore

Si i zhyti Enveri në kënetë 2500 të burgosur politikë me punë të detyruar, dëshmia rrëqethëse

Dossier



Arkiva Online e Viktimave të Komunizmit/ Kujtimet e Beqir Ajazit: Hoxha e kishte parë me leverdi të madhe, sepse në vend të mekanizmave të sofistikuara të kohës, që kushtojnë shumë dhe harxhojnë shumë karburante, ai do të përdorte të burgosurit politikë, paçka se do të linin kockat aty gjysma e tyre…

Në pranverën e 1948, do të niste puna për tharjen e kënetës së Maliqit në Korçë. Diktatori Hoxha e kishte planifikuar, sipas një skenari të njohur, kopjuar nga idhulli i tij Stalini. Ajo çka kushtonte më lirë ishte krahu i punës, krejtësisht falas i të burgosurve politikë. Kishte ngritur një kamp të rrethuar me tela me gjemba, me komandë të armatosur, dhe brenda tij kishte izoluar mbi 2500 të burgosur politikë, të cilët çdo ditë do të hapnin kanale zhytur në ujë, deri në brez, nën pickimin vdekjeprurës të mushkonjave, sëmundjeve dhe urisë.

Shumë prej të burgosurve të çuar me dhunë në atë kamp, lidhur me zinxhirë, do të linin jetën në atë kënetë, shumica të sëmurë e të groposur për së gjalli në baltën e kënetës.

Një nga ata që kanë lënë kujtime dhe dëshmi mbi këtë kamp, është i ndjeri Beqir Ajazi, i cili është cituar nga studiuesi Kastriot Dervishi në librin e tij “Burgjet dhe kampet e Shqipërisë komuniste”. Në këtë libër është botuar një pjesë e dëshmisë së tij për këtë kamp.

Beqir Ajazi:

“Enver Hoxha kishte përgatitur prej vitesh një sasi të madhe materiali, kishte ngritur një kamp shumë të madh pune në fshatin Vloçisht të Fushës së Korcës, i cili mund të zinte deri 3000 veta brenda. Kështu që në pranverë të vitit 1948, ai kisht embledhur gati të gjithë të burgosurit politik të tërë burgjeve të vendit dhe i kishte grumbulluar atje, me qëllim që të thante kënetën e Maliqit dhe të bonifikonte kështu fushën moçalore të Korçës. Për ti hyrë kësaj pune Enveri kishte leverdi të madhe, sepse në vend të mekanizmave të sofistikuara të kohës, që kushtojnë shumë dhe harxhojnë shumë karburante ai do të përdorte të burgosurit politikë, ashtu siç kishte bërë edhe modeli i tij Stalini në kanalin Vollga-Don, paçka se do të linin kockat aty gjysma e tyre. Të ndërtoje një vepër të tillë, duke u dhënë punëtorëve nga 800 gram bukë të zezë dhe nga një lugë supë, kjo ishte një nga ‘mrekullitë e sistemit socialist, që provonte epërsinë e tij mbi sistetim e vjetër dhe të kalbur kapitalist, ku shfruytëzohet njeriu nga njeriu”.

Prandaj që në fillim të majit, qeveria kishte grumbulluar në kamp të Vloçishtit mbi 2500 veta nga armiqtë e popullit dhe kriminelët e luftës”.

Burimi: “Burgjet dhe kampet e Shqipërisë komuniste”, autor Kastriot Dervishi



1 Comment

  1. Sa per dijeni,drejtor i ketij kampi,ka qene i vellai i Rita Markos,nje kriminel i lindur,qe hipur mbi kale,kontrollonte punen e te burgosurve,te zhytur deri ne bel,ne llumin e kenetes.Korcaret e njohin shume mire kete kriminel dhe per ilustrim,nje histori:Nje shok-moshatar me kete drejtor,ish tregtar,nuk kishte deklaruar florinjte qe kish fituar,Drejtori Marko,e dinte mire ,qe shoku i vet kish patur fitime.E arrestojne dhe e torturojne,por tregtari,nuk tregon gje.E cojne ne mocal dhe e vene ne zonen me te thelle,te punoje i zhytur ne balte.Nje dite iu sos durimi drejtorit dhe i shkon me kale ne kenete dhe e pyet,he more,akoma nuk te kane ardhur ment?Po nuk kam more,ti e din mire se pak tregeti kam patur,i pergjigjet tregtari.Drejtori,i merr nje cfurk nje rojeje dhe me cfurkun,ne qafe ,e zhyt tregtarin ne balte,disa here,duke e bere gat te vdekur ,tregtarin,dhe vijoi deri sa i shkreti,nuk duroi dot me dhe tregoi ku i kish fshehur,ata pak florinj,qe kish.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *