• |
ide | kryesore

E shtuna e zjarrtë e futbollit Europian; dy derbi dhe dy sfida për kreun

F1, Sport



Futbolli Europian shfaq sot repertorin e saj më të mirë, me përplasje të mëdha, dy derbi e dy sfida titull. Emocionet e derbit kryeqytetas, pas atij në Tiranë, spostohen në Romë. Në Serie A Roma e Lazio do ta zhvillojnë betejën e tyre në orën 15.00. Orar që është bërë i zakonshëm në Itali për sfidën mes tyre, duke qenë se është më i përshtatshëm për të kontrolluar tifozët armiq të këtyre skuadrave.

Lazio e ideuar nga Igli Tare, e nën drejtimin e Simone Inzaghit, vjen nga katër fitore radhazi, por përballë do të ketë një kundërshtar të plagosur nga një start sezoni të dobët, por me moralin e rritur pas fitores së fundit në mesjavë.

Koha sa për të shijuar emocionet e një futbolli me adrenalinë, sepse në orën 18.00 në fushë zbresin kampionët e Italisë, në sfidën direkte për kreun, e që ndoshta do të ketë peshën e saj edhe tek titulli. Juventus-Napoli, një sfidë mes atyre që karakterizuan sezonin e kaluar. Nuk është më Higuain, për ti nxjerrë nga vetja napoletanët, por bardhezinjtë prezantohen me Cristiano Ronaldon, për të cilin tekniku i Napolit, Carlo Ancelotti nuk i kursen komplimentat: “Ai meriton të fitojë gjithmonë Topin e Artë”. Juventus është me pikë të plota pas 6 javësh, ndërsa Napoli ka vetëm një humbje e do të tentojë ta stabilizojë renditjen në Stadium.

Beteja e kreut luhet edhe në Angli, me pothuaj të njëjtën situatë, vetëm se këtë herë kryesuesit e pathyer ende të Premier League luajnë në transfertë. Në orën 18:30 në Stamford Brigde Chelsea do të presë Liverpool, vetëm tre ditë pasi e eleminoi nga Kupa e Legës. Të kuqtë e Jurgen Klopp kanë 6 fitore rradhazi, ndërsa londinezët e Sarrit kanë një ndalesë, që e mbajnë dy pikë më pak në renditje, por në distancë parakalimi, pikërisht kur dy skuadrat të zbresin në fushë për sfidën që do tregojë shumë për forcën e pretendentëve për titullin kampion.

Mbrëmjen e madhe të futbollit e mbyll një tjetër derbi kryeqytetas, por këtë herë në Spanjë. Në orën 20:45 Real Madrid e Atletico Madrid luajnë një nga ndeshjet më të nxehta, e pas Superkupës Europiane të humbur nga madrilenët, Lopetegui nuk mund të bëjë një tjetër gabim në shtëpi, kundër rivalëve të qytetit. Simeone në anën tjetër ka gati strategjinë e tij dhe një Griezmann që kërkon të tregojë se është i denjë për Topin e Artë…



Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *