• |
ide | kryesore

Njohja e Flamurtarit nuk e ndihmoi “dezertorin” Mema ti prishte festën e ditëlindjes Dajës

F1, Sport



Një datëlindje nuk ka kuptim pa festë dhe dy ditë pasi bëri 52 vjec Ilir Daja i gëzohet 3 pikëve të Flamurtarit, në ndeshjen që mbylli fazën e parë të kampionatit, kundër Tiranës. Një zhgënjim i madh për debutuesin në pankinën bardheblu, Ardian Mema, që shpresonte shumë në faktin që “njihte si xhepat e tij kundërshtarin”. Ish-asistent trajneri i Flamurtarit, që “dezertoi” një javë para sfidës nga kampi vlonjat, sic duket nuk njihte aq mirë të ardhurin rishtaz tek kuqezinjtë, Danilo Alves, që vendosi ndeshjen me golin e minutës së 72.

“Ekipi u shpreh shumë mirë në fushë, – shpjegoi Mema -, por na duhet pak kohë për të realizuar ato momentet që bëjmë në stërvitje. Sepse lojtarët kanë momente që bëjnë gabime. Edhe goli që bëri Flamurtari erdhi nga një gabim i joni. Dhe kur bën këto gabime kështu ndodh. Këtë ndeshje e vendosën episodet”.

Në fakt, nuk është se perfomanca e bardhebluve ishte për tu harruar, agresive në fraksione loje dhe të shpejtë në kundërsulm, por përpara nuk arritën të ndëshkonin asnjëherë Flamurtarin. Tani renditja bëhet e rëndë, sepse nga zona e rënies bardheblutë i ndajnë vetëm dy pikë.

Nuk është se bënë shumë më mirë kuqezinjtë, por treguan maturi në strategjinë që kishin zgjedhur. Koshientë se Tirana kishte nevojë për pikë dhe do të zbilancohej, vlonjatët pritën castin e duhur, të favorizuar edhe nga një mosmarrëveshje difensive mes Hoxhallarit e Turtullit, që lejoi Hysenin të kalonte edhe Likën përpara se braziliani Alves të vendoste ndeshjen.

“Duruam, kishim nerva të forta, dhe nuk kaluam në aventurë, dhe ky tre pikësh na jep një qetësi – u shpreh Daja pas ndeshje -. Në fazën e dytë, kemi më shumë ndeshje në shtëpi, duke rritur nivelin e lojës, duke afruar edhe tifozët vlonjatë, do i bëjmë gjërat më mirë.

Një fazë e parë e mbyllur me të njëjtat simptoma. Daja duhet të kurojë aspektin sulmues: shkoi në gol lojtari inekzistent në fushë, ndërsa të tjerët e kanë të vështirë marrëdhënien me golin. Tirana vazhdon të pësojë lehtësisht edhe me Memën në pankinë: 11 gola në 9 javë e përkthyer në shifra mbrojtja e tretë më e keqe e Superiores.



Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *