• |
ide | kryesore

Penalltia i heq fitoren me Sivaspor: Gega merr përgjigjet e pritura nga Partizani

F1, Sport



Në pritje të një qendërsulmuesi, që me shumë mundësi Partizani e ka identifikuar tek Kuame Karikari, atë që kishte treguar në 2018, të kuqtë e konfirmuan në miqësoren e parë të vitit të ri, me barazimin 1-1 kundër turqve të Sivasspor: performancë positive, bindëse në fakt për sa kohë në fushë ishin titullarët e zakonshëm të Skënder Gegës.

Tekniku mori përgjigjet që priste, jo më kot ruajti fizionominë e skuadrës së konsoliduar, duke preferuar në majën e sulmit Bardhin, të mbështetur nga Mensah dhe të asistuar në mënyrë konstante në krahë nga Mala dhe Asani. Jo vetëm ata që e nisën titullarë, por edhe rezervat apo eksperimentet në fushë, bindën Gegën.

Sigurisht, me ngarkesën e madhe të fazës përgatitore në këmbë gjërat ndërlikohen, por sinjalet e duhura Partizani i dha, sidomos me kondicionin fizik dhe veprimet në vertikal. Siguri në prapavijë, sepse për të kontrolluar ofensivën e turqve nuk ishte mision i lehtë, pavarësisht vendit të 9 në kampionat që ka Sivaspor, por edhe intensitet në presing, duke kërkuar daljet e shpejta në portën kundrështare.

Avantazhi i merituar për të kuqtë që nuk është se kanë bilanc të mirë kundër skuadrave turke në histori, erdhi në minutën e 47 kur Asani u konfirmua edhe njëherë protagonist me inteligjencën dhe rafinimin para portës. Numri 10 po bën një sezon të rëndësishëm, ashtu si gjithë të besuarit e Gegës, që i ka dhënë hapësirë në këtë test interesant edhe të sapoardhurve në skuadër si Hyseni.

Shtatë zëvendësime të teknikut që përvec mesfusherit të Flamurtarit, i ka dhënë minuta në pjesën e dytë edhe Xhikës, Cardosos, Kotes, Çinarit, Bitrit dhe Kalarit. Natyrisht skuadra humbi dicka nga qartësia taktike, duke lejuar barazimin e Sivaspor. Edhe pse vetëm pas penalltisë që u shndërrua në gol nga Gabriel Torje në minutën e 67.

Barazimi mbeti në forcë deri në fund, por është një rezultat motivues për kryeqytetasit, që dy ditë më pas do të luajnë miqësoren me Antaliasporit, për ta mbyllur kuadrin e testeve në 14 janar kundër Dinamo Zagreb.



Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *