• |
ide | kryesore

Partizani zbut ujqit: lufta me topa bore nuk ndal dot dominimin e të kuqve

F1, Sport



Fitore titulli. Ashtu duhet të konsiderohet triumfi i Partizanit në Korcë, i pari në tre precedentët sezonalë me Skënderbeun dhe në një moment kyc të kampionatit: me Kukësin që dihat pas shpine, në pritje të një hapi fals. Hap fals që skuadra e Skënder Gegës nuk e bën me Malën që shënon pas tre minutash, me dominimin karakterial në të ftohtin e qytetit juglindor dhe me Telushin që mund ti mbyllte llogaritë me herët. Shqetësimi i vetëm për kryeqytetasit, sepse ka dhe shqetësime, është mungesa e Trashit në javën e ardhshme, për kartonin e kuq në minutën e pestë shtesë.

Partizani e nis 2019 aty ku kishte mbyllur vitin tjetër, me një fitore që i jep kredibilitet në duelin me Kukësin për titull. Ndoshta goli i shënuar që në fillim, apo se Skënderbeu nuk po con më kokë prej 6 ndeshjesh radhazi, nga të cilat 5 humbje, por 4-2-3-1 i Gegës, me Cardoso pas shpinës së Bardhit ishte funksional dhe mund të bënte keq në më shumë raste.

Në të vetmin rast kur korcarët ishin superiorë, ishte minuta e 13 kur lufta me topa bore mbi Ibrahimin dhe këdo lojtar të të kuqve në distancë të afërt, mund të quhet fitorja e vetme e Skënderbeut në këtë ndeshje.

Ndoshta Partizani ka nevojë për pak më shumë qetësi, të mësojë të mbyllë ndeshjet e rëndësishme kur e ka mundësinë, për të mos i dhënë shansin Gripshit ti frikësonte në minutën e 92. Cardoso në fund të pjesës së parë e Telushi nga 11 metra në të 53 ishin raste që nuk duheshin humbur, sidomos kur në bazën e ndërtuar mbi lojtarë të rinj të talentuar Gega pret nga njerëzit e eksperiencës të bëjnë diferencën.

Këtë herë shkoi mirë: fitore dhe 40 pikë në vendin e parë, duke dtyruar tashmë Kukësin të përgjigjet në Kamëz përballë Lacit. Sa për Skënderbeut kontaktet me kreun humbën dhe kriza është totale…



Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *