• |
ide | kryesore

Video/ Kamza pikë në Durrës, favor Partizanit. Gjoka: “Nuk kemi kohë, të bëjmë lojën e askujt”

Sport, Video



Teuta është e paaftë të fitojë e të shënojë, edhe kur ka penallti në dispozicion. E tradhëtuar nga njeriu i saj i momentit, Kallaku, tekniku Blendi Shkëmbi duhet të shohë tashmë objektivat realë të mbetur, sepse me 10 pikë diferencë nga kreu, të mendosh titullin është e pamend. Java shkon krejt në favor të Partizanit, që ka parë të dy rivalët kryesorë të ndalojnë dhe Kamza që luftoi në Niko Dovana për barazimin, ishte shumë ndryshe nga ajo që luajti kundër Partizanit.

Ndoshta për shkak të bojkotit të braktisur për shkak të një pagese të bërë dhe një tjetre të premtuar, por një gjë është e sigurtë, tekniku Ernest Gjoka mohon cdo insinuatë për favor të qëllimshëm ndaj Partizanit: “Ne nuk kemi kohë, të bëjmë lojën e askujt. Nëse do bëhemi satelitët e dikujt, më mirë të dalim dhe të themi që ramë nga Kategoria”.

Mund të jetë edhe kështu dhe sipas renditjes duhet të jetë kështu, vetëm se sezoni i kaluar ku dashamirësia e kryeqytetasve i mbajti në Superiore është ende një kujtim i freskët.

Gjithësesi, në këtë rast, Teuta nuk ka për cfarë të ankohet: përballë gjeti një skuadër që me ekuilibër taktik dhe rinisjet në kundërsulm i bëri jetën të vështirë durrsakëve. Skuadra e Shkëmbit, duhet pranuar, ka mungesë eksperience dhe është pak e vështirë t’i superojë ngërcet psikologjike dhe presionin e të mosgabuarit. 10 pikë janë shumë dhe as Vajushi e Busic nuk mund të bëjnë mrekullinë në kohën e mbetur. Ose ndoshta po. Mbetet për tu parë…



Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *