• |
ide | kryesore

Kampionat pa bomber – Nuk ka më Pejic, Ekuban, Sowe apo Salihi: më i miri tani ka 9 gola në 22 ndeshje

F1, Sport



Titulli fitohet duke shënuar, ose të paktën pretendetët kryesorë janë gjithnjë ato skuadra që kanë në organikë sulmues nga ato që janë të aftë të shkojnë tek 20 golat sezonalë, nga ato që të zgjidhin ndeshjet edhe kur skuadra është në ngërc. Në këtë këndvështrim panorama që të ofron Superioria është e thatë, pa larmi, e të jep madje nostalgji për kohët kur Pero Pejic udhëhiqte Kukësin drejt titullit me zhurmë golash. Kroati mbetet një prej sulmuesve më prolifikë të kampionatit, gjithnjë pranë në mos përtej barrierës së 20 golave.

Të njëjtën gjë bëri Ekuban tek Partizani. Sulmuesi pati startin të ngadaltë, por më përpara se të transferohej për tek Leeds, la gjurmë që në kryeqytet nuk janë fshirë ende. Skënderbeu i mësuar me golat e Hamdi Salihit, që gati gati i dhanë edhe titullin e vetëm të munguar në 8 vitet e fundit, përsëriti zgjedhjen e fortë me Sowe – një forcë e natyrës, që e prezantoi vetën dhe Skënderbeun edhe në Euriopa League.

E të tillë kalibër, të vjen keq, por në asnjë skuadër të Superiores nuk gjen më. Mjafton të llogarisësh se më i mirë është Latif i Teutës me 9 gola në 22 javë. Për qendrën e durrësakëve është një sezon pozitiv individual, por krahasuar me bomberat e të shkuarës gjërat nuk funkionojnë. Kukësi ka dy sulmuesit më produktivë, nga të cilët tashmë jo gjithnjë luajnë të dy, por si Reginaldo ashtu dhe Shkurtaj, respektivisht me 8 dhe 7 gola, janë larg pritshmërive të një qëndërsulmuesi skuadra e të cilit kërkon titullin kampion. Pa llogaritur pastaj skuadrën kryesuese të kampionatit që ka shënuar më shumë me mesfushorë se me qendërsulmuesin…



Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *