• |
ide | kryesore

I shpëtoi atentatit me 2 të vrarë, çfarë tha “Çipuri” në spital

Lajme, Të fundit



I shpëtoi atentatit ku mbeti i vrarë kunati dhe shoku i tij në një pritë të dielën në Vlorë, por Armando Sulejmani u arrestua në spital. 43-vjeçari i njohur me pseudonimin “Çipuri” është vënë në pranga me akuzën “armëmbajtje pa leje”. Pas plagosjes iu gjet me vete një pistoletë pa leje. Grupi i hetuesve që po punon për zbardhjen e atentatit të ndodhur në zonën e “Ujit të Ftohtë” në Vlorë ka arritur të sekuestrojë të paktën 25 gëzhoja. Të gjitha i përkasin armës së llojit kallashnikov, ndërsa Sulejmani nuk ka arritur të kundërpërgjigjet me zjarr. 43-vjeçari ka marrë dy plagë nga plumbat.

“Çipuri” ka arritur të shpëtojë për faktin se ka qenë i ulur në pjesën e pasme të automjetit tip “Pasat” në momentin që iu bë atentati. Në drejtim të makinës ishte Arjan Hasanaj, 45 vjeç, i cili mbeti i vdekur në vend, ndërsa kunati i 43-vjeçarit, Orest Rexho, 37 vjeç, arriti të dilte nga makina për t’u shpëtuar plumbave, por u rrëzua përtokë vetëm disa metra larg saj. Autorët u kanë zënë pritë dhe u kanë qëlluar në befasi nga një automjet tip “Mercedez Benz”. Makina e autorëve u gjet e djegur disa minuta pas ngjarjes në Babicë të Vlorës. Brenda në automjet ndodheshin dhe tri armë kallashnikov. Nga verifikimet, rezulton se automjeti ishte i vjedhur ndërsa tagrat janë false.

Armando Sulejmani ndodhet në dhomat e paraburgimit në ambientet e spitalit dhe ruhet nga forcat e policisë. Ky është atentati i dytë që i mbijeton, pasi dhe në vitin 2016 ndaj tij u qëllua me breshëri automatiku, por mori vetëm një plumb. 43-vjeçarit i është komunikuar masa e arrestit në dhomën e spitalit. Nga marrja në pyetje e “Çipurit”, nuk ka arritur të sigurojë ndonjë informacion të vlefshëm për zbardhjen e ngjarjes. Ai ka deklaruar se nuk ka arritur të identifikojë asnjë prej autorëve.

Gjithashtu, ai ka deklaruar se nuk ka asnjë konflikt me persona të tjerë dhe nuk e di se kush mund të jenë autorët që i vranë shokun dhe kunatin. Sulejmani dyshohet nga Policia si një nga porositësit e vrasjes së Ferdinand Llanajt më 1 tetor të vitit 2017 dhe pikërisht kjo është një nga pistat që po hetohet.

“Çipuri” është një person me disa precedentë dhe njihet mjaft mirë nga Policia e Vlorës. Ai dyshohet se ka qenë pjesë e grupit kriminal të “Gaxhait” (i drejtuar nga Gazmir Brakaj), që ka vepruar në Vlorë gjatë trazirave të vitit 1997. Sulejmani u arrestua në Itali dhe u ekstradua në Shqipëri në janar 2008. Arrestimi u bë me urdhër të lëshuar nga Gjykata e Vlorës për një vrasje të ndodhur në vitin 2002 në zonën e “Skelës”, ku mbeti i vdekur Elton Tato dhe u plagos Robert Boraku.

Gjykata e Shkallës së Parë e dënoi Sulejmanin me 8 muaj burg për moskallëzim krimi ndërsa si autor cilësoi shokun e tij Sokol Sinomatin. Por, Gjykata e Apelit Vlorë, me vendim të dhënë në shtator 2003, dënonte Armando Sulejmanin për veprën penale të vrasjes me paramendim e kryer në bashkëpunim dhe vrasjes me paramendim e kryer në bashkëpunim e mbetur në tentativë, me 20 vite burg.

“Çipuri” pas ekstradimit e dërgoi çështjen në Gjykatën e Lartë, ku kjo e fundit në shkurt 2017 vendosi prishjen e vendimit të Gjykatës së Apelit Vlorë dhe rikthimin e çështjes për rigjykim me trup tjetër gjykues. Po Gjykata e Lartë, në shkurt 2014, e dënonte Sulejmanin me 16 vite burg për tri vrasje të kryera gjatë trazirave të vitit 1997.



Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *