• |
ide | kryesore

Europarlamentarët votojnë për t’i dhënë fund ndërrimit të orës

Lajme


Parlamenti Europian ka mbështetur një propozim për të ndalur ndryshimin e detyrueshëm të orës, i cili zgjat orët e ditës gjatë verës në mbarë Bashkimin Evropian. Duke filluar nga viti 2021, çdo shtet anëtar i Unionit do të ketë mundësinë për të zgjedhur midis ruajtjes ose jo të sistemit aktual të orës në varësi të stinëve.

Propozimi për njehsimin e orës erdhi nga Komisioni Europian, institucioni i ngarkuar me hartimin e legjislacionit të BE-së, shtyrë prej një konsultimi publik ku 84% e të anketuarve ishin përgjigjur se iu kishte ardhur në majë të hundës me ndryshimin e orës. Megjithatë, eurodeputetët theksojnë se shtetet duhet të bashkërendojnë zgjedhjet mes tyre, me qëllim që të minimizojnë rrezikun e kostove marramendëse ekonomike, si pasojë e larmisë së sistemeve të papajtueshme të orës.

“Ndryshimi i orës duhet të ndalojë. Shtetet anëtare vetë duhet të vendosin nëse qytetarët e tyre jetojnë në verë apo në dimër.”- është shprehur presidenti i Komisionit, Jean-Claude Juncker. Sipas legjislacionit të ri, qytetarët e vendeve që vendosin të bëjnë orën e verës të përhershme, do të rrotullonin akrepat e orëve e tyre për herë të fundit në marsin e vitit 2021. Ndërsa, në ato vende që do të zgjidhet si orë e përhershme dhe standarte ajo dimërore, ndryshimi i fundit i orës do të bëhet me të mbërritur e diela e fundit e tetorit të vitit 2021.


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *