• |
ide | kryesore

Kupa: Luftëtari nuk di të shënojë pa Dungën: Mema e ka lënë agresivitetin në kampionat

Sport



Ashtu si mendohej askush nuk zbilancohet në ndeshjen e vajtjes në gjysëmfinalet e Kupës së Shqipërisë, duke e lënë zgjidhjen për kthimin pas dy javësh, në mënyrë që të shpenzojnë gjithë bateritë në ndeshjen e fundjavës po në Gjirokastër. Luftëtari e Tirana barazojnë pa gola, në një lojë pa ritëm, të kujdesshme, për të mos u sforcuar. “Shpresoj që gjërat të ndryshojnë – u shpreh Ardian Mema pas ndeshjes -. Do jemi ekip më agresiv, sepse na duhen pikët. Gjirokastra po të luajë më sipër, mund të ndryshojnë edhe balancat e lojës”.

0-0, që nuk favorizon askënd në vecanti, edhe pse duket se Tirana kthimin në kryeqytet mund ta ketë më të lehtë. Duhet patur parasysh se në rast të shënimit të një goli nga gjirokastritët, bardheblutë duhet të shënojnë dy për të shkuar në finale dhe në kthim Luftëtari do të ketë në fushë edhe Dungën.

E duke qenë tek Dunga: pa kenianin bluezinjtë nuk dinë të shënojnë dhe janë apatikë në lojën ofensive, gjë që natyrisht tekniku Julian Ahmataj e ka të vështirë ta provojë: “Kemi shënuar në çdo ndeshje që kemi luajtur, përvec një ndeshje me Kukësin, dhe e dyta sot – tha Ahmataj pas barazimit -. Dunga ka bërë vetëm 5 gola. Kjo nuk është varësi, por rrit kualitetin në sulm”.

Tirana kishte mundësitë e saj me Kobina, që mund të kishte shënuar shumë herët një gol vendimtar për kualifikimin, duke qenë se do të shënohej në transfertë, por edhe Luftëtari kishte rastet e tij. Një status-quo e ruajtur për ndeshjen e kampionatit ku askush nuk do të kursehet për të arritur fitoren: “Nuk besoj se harxhuam shumë energji, pati shumë pasime. Nuk u vrapua me topin dhe mos harrojmë se kush do e mbajë topin, e lodh edhe kundërshtarin. Do e gjykojmë mirë për ndeshjen tjetër” përfundoi tekniku bardheblu, që përpara se të mendojë për gjysëmfinalen e kthimit të Kupës së Shqipërisë në 8 maj në “Selman Stërmasi”, është i përqendruar tek mbijetesa.



Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *