• |
ide | kryesore

Gjergj Cukali, “i forti i Myslym Shyrit” që ia ka hedhur drejtësisë prej 15 vitesh

Kryesore, Lajme



40-vjeçari Gjergj Cukali i njohur edhe si “I forti i Myslym Shyrit” u arrestua mbrëmjen e së enjtes nga policia e Tiranës pasi ai akuzohet se është personi që ka qëlluar mbi ish-policinë Arben Bilali në 30 janar të këtij viti në zonën e Selitës. I arrestuari nuk është një emër i zakonshëm. Ai ka një skedë të gjatë të historisë me drejtësinë që shpesh herë lidhet me emra mjaft të lakuar të botës së krimit në kryeqytet. Gjithsesi, ndër vite, drejtësia është treguar mjaft bujare me Gjergji Cukalin.

Ai është dënuar më parë për “Prodhim dhe shitje e narkotikëve”, “Armëmbajtje pa leje” dhe “Rrëmbim personi”. Etiketimi i Cukalit si një nga “të fortët e Myslym Shyrit” vjen për shkak të ngjarjeve të përsëritura që kanë ndodhur në këtë zonë ku ai ka qenë i përfshirë.

Një nga ngjarjet më të bujshme për të cilat u akuzua Gjergji Cukali ishte ajo e pengmarrjes së Fatjon Demirlikës në vitin 2004. Më 24 nëntor 2006, Gjykata e dënoi Cukalin me 10 vjet burg, me akuzën e heqjes së paligjshme të lirisë. Ngjarja kishte si motiv një konflikt për 100 mijë euro. Pasi mbaroi dënimin për pengmarrjen e Demirlikës, i ndihmuar edhe nga amnistia që i fali një vit burg, Cukali vazhdoi të kishte probleme me policinë.

Ai u arrestua për herë të dytë më 20 gusht 2012, pasi gjatë një kontrolli u kap nga patrulla e Policisë me një armë zjarri pistoletë pa leje dhe me një krehër me 17 fishekë. Gjykimi i shkurtuar i uli në 1 vit e 4 muaj dënimin me 2 vjet burg të dhënë nga Gjykata e Tiranës për akuzën e “armëmbajtjes pa leje”.

Në korrik të vitit 2016, policia zhvilloi një aksion për arrestimin e një grupi të shpërndarës të drogës, ku u konstatua se furnitori i tyre ishte pikërisht Gjergj Cukali. Por në korrik 2017, sërish falë gjykimit të shkurtuar, u dënua me 3 vjet e 6 muaj burg, si pjesëtar i një grupi të angazhuar në shpërndarjen e drogave të forta në kryeqytet. Cukali e priti këtë vendim në liri.

Image associée

Dy muaj para shpalljes së tij Gjykata e Lartë ia kishte zëvendësuar masën e sigurisë “arrest në burg” në “arrest shtëpie”, bazuar në një akt-ekspertim mjeko-ligjor, sipas të cilit qëndrimi në qeli i rrezikonte jetën. Masa e re u thye prej tij, veprim që i kushtoi rikthim në qeli.

Në maj 2018, në përballjen e radhës me gjykatën, u dënua me 3 muaj burg. Dënimi u ul në 2 muaj nga gjykimi i shkurtuar dhe në të njëjtin vendim gjykata urdhëroi lirimin, pasi dënimi ishte konsumuar me kohën e paraburgimit. Dërgimi në Apel i dosjes së grupit të drogës ka rezultuar me sukses vetëm për Gjergj Cukalin.

Tiranë: Policia arreston ‘të fortin’ e ‘Myslym Shyrit’...!

Në dhjetor 2018 Gjykata e Apelit vendosi pezullimin e ekzekutimit të dënimit me burg dhe lënien e tij në liri me kusht për 24 muaj. Apeli vlerësonte rrezikshmëri të pakët shoqërore të Cukalit. “Izolimi i të pandehurit nga shoqëria do të sillte një dëm shumë të madh në jetën e tij dhe të familjes së tij, dhe nuk do të ndihmonte aspak në arritjen e qëllimit të dënimit, edukimin dhe rehabilitimin e tij”, arsyetonte Apeli në vendim.

Tashmë Cukalin e pret një rrugë pak më e gjatë me drejtësinë. Burime nga Prokuroria e Krimeve të Rënda thanë se në makinën gjysmë të djegur të autoreve është gjetur ADN dhe gjurmë gishtash të Cukalit. Në qeli ndodhet edhe një 47-vjeçar i identifikuar si Arben Tirana i cili dyshohet se ishte personi që siguroi makinën e vjedhur të përdorur në atentat. ©LAPSI.al



2 Comments

  1. Koli,jari,lulu,muli te kater min te brendshem te pd njeri me trim se tjetri,pse nuk e arrestuan kete trimin prej letre,salihut srb nuk I interesonte,cantat me euro dhe droge I duheshin salihut per te mbajtur pushtetin me dhune

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *