• |
ide | kryesore

Mesfusha nën ton, goditjet standarde problem: ja çfarë treguan në fushë kuqezinjtë

F1, Sport



Skemë e re, rezultat i vjetër e megjithatë gjëra të mira kuqezinjtë e Edy Reja me 3-5-2 e pakolauduar treguan në Rekjavik, pavarësisht humbjes 1-0.

Berisha ishte më pak i impenjuari në 90 minuta. Tek goli shtatlartësia e pengoi të reagonte pak më shpejt në goditjen tokazi të Gudmundsson, por vlerat e një portieri të sigurtë i tregoi në minutën e 3 shtesë, kur nuk lejoi golin e dytë.

Dermaku i rikthyer në kombëtare, pas një sezoni në nivele të larta me Cosenza, i ka dhënë centimetra të rëndësishme prapavijës. i fortë në luftimet trup më trup ka peshën e tij në golin e pësuar, duke e ndarë fajin me Ismajlin.

Mbrojtësi i Hajduk ruan pozicionin, duke treguar se ndër tre qendrat është ai që e ka aplikuar më mirë këtë variant taktik. Mundohet të dalë me top në këmbë nga zona, dublohet mirë me Dermakun, neglizhoi vetëm ndaj Gudmundsson.

Veseli ndihet shumë më komod me treshe në qendër se kur luan në krah. Nuk kalon vështirësi edhe kur në anët e tij afrohet Sigurdsson dhe konfirmohet i besueshëm për Reja, edhe pse vështirë se mund ti rezistojë kthimit në dispozicion të Djimsiti.

Hysaj nuk luan në pozicionin natyral, por si një kapiten i mirë përpiqet me shembull personal të vihet në mekanizëm. Një pjesë e parë e mirë, ku u ekzaltua edhe në goditjen e vetme që impenjoi Halldorsson, por në pjesën e dytë nuk kishte kthjelltësinë për të kontribuuar në aspektin ofensiv.

Lenjani luajti edhe për ti treguar Panucci sa gabim e kishte. Është roli i preferuar dhe i jep shumë dorë Veselit prapa. Sidomos në pjesën e parë është insistues në krahun në kompetencë të tij, nga ku vijnë krosimet më të rrezikshme për dyshen e sulmit, bie ndjeshëm në 45 minutat e dyta.

Abrashi, ndër mesfushorët e qendrës është ai që spikat më shumë. I pakapshëm në rikuperime, mesfushori luan sasior në të gjithë sektorët e fushës. Mundohet të punojë mes linjave, por pika e fortë janë kontrastet të gjitha të fituara. I cmuar, por ndonjëherë më nervoz se duhet.

Basha duhet të merrte në dorë regjinë, por kabina ishte bosh dhe mesfushori bëri vetëm shpërndarjen. Mungoi inisitiva dhe vertikalizimi i manovrës, që e karakterizon.

Xhaka rolin e tij të mbështetjes së sulmit nuk arriti ta bëjë, i mbytur nën presingun e Bjornasson. Konfirmohet partneri ideal për Abrashin në fizicitetin që duhet të garantojnë në mesfushën me 5 për regjistin, por shpesh humbi orientimin dhe mesfusha krijoi një handicap.

Cikalleshi lëvizi nëpër të gjithë frontin dhe sidomos në pjesën e parë ishte lojtari më impenjativ i kuqezinjve për prapavijën e Islandës. Kërkonte shpesh afrimin me krahët, por jo aq sa duhet me Balajn në qendër. Nuk është e bukur që një sulmues e mbyll ndeshjen me asnjë goditje drejt portës.

Kjo vlen edhe për Balaj, që mundësinë më të mirë e kishte në minutën e 47 kur humbi kohë me kontrollin e topit, duke sfumuar një rast të mirë. Nuk është e lehtë nga ana tjetër të përballesh me shtatlartët e Islandës.



Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *