• |
ide | kryesore

Negociatat/ “Euroactiv”: Konsensus në rritje për Maqedoninë e Veriut, Shqipëria ngec në dritën e kuqe të Holandës

Lajme, Të fundit



Platforma mediatike e profilizuar në publikime online mbi politikat evropiane, “Euroactiv”, i ka kushtuar një artikull të posaçëm vendimit që pritet të merret nesër nga ministrat e Jashtëm të qeverive të vendeve anëtare të Bashkimit Evropian, për hapjen e negociatave të anëtarësimit për dy vendet me statusin e kandidatit, Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut. Në artikullin e përgatitur nga gazetari Jorge Valero, theksohet se Këshilli Evropian do të vendosë për shtyrjen e nisjes së bisedimeve të anëtarësimit, me gjasë deri në muajin shtator.

Referuar burimeve zyrtare të BE-së, “Euroactiv” nënvizon se ndërkohë që pothuajse të gjitha kryeqytetet evropiane janë të përgatitura t’i japin dritën jeshile Shkupit, Tirana zyrtare po lufton të arrijë unanimitetin e kërkuar mes 28 shteteve anëtare. “Shkupi vlerësohet në veçanti për arritjen e marrëveshjes historike me Greqinë mbi emrin, një çështje që ka bllokuar progresin për shumë vite…Të mërkurën e kaluar, parlamenti holandez miratoi një rezolutë tepër kritike ndaj Shqipërisë, në veçanti sa i përket korrupsionit dhe krimit të organizuar. Por, asnjë shqetësimin nuk është ngritur për Maqedoninë e Veriut.”- shkruan “Euroactiv”.

Në artikull i është dhënë rëndësi edhe mundësisë së shqyrtimit të mëvetësishëm të progresit  të arritur nga Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut, bazuar në procedurën e “decouplage”-t. “Ndarja e dy vendeve duket gjithnjë e më e mundshme teksa disa prej skeptikëve më të mëdhenj të zgjerimit, veçanërisht Holanda dhe Gjermania, janë gati të japin bekimin e tyre për Maqedoninë e Veriut.”- parashikon “Euroactiv”.

Në një intervistë të dhënë për  “Euractiv” javën e kaluar, presidenti i Maqedonisë së Veriut, Stevo Pendarovski, pranoi se problemi më i madh për vendin e tij përsa i përket vijimësisë së rrugës evropiane, është ndarja nga Shqipërinë. Pendarovksi përmendte precedentin e vitit 2011, kur Maqedonia e Veriut u shkëput nga Mali i Zi dhe të vitit 2013, kur u shkëput nga Serbia, që përfitoi hapjen e negociatave duke lënë pas Shkupin, i cili duhet të zgjidhte mosmarrëveshje me Greqinë. “Problemi më i madh është ‘ndarja’ me Shqipërinë. Shqipëria tani është në rrëmujë. Opozita është larguar nga institucionet dhe po bëhet më e tensionuar. Pra, çfarë mund të themi këtu? Kemi pasur rekomandime pozitive nga Komisioni më parë, dhe ne jemi ‘veçuar’.”- shprehej Pendarovski.

Në artikull përmendet më tej vizita në Bruksel e kryeministrit shqiptar, Edi Rama, i cili në konferencën e përbashkët me presidentin në ikje të Komisionit Evropian, Jean-Claude Juncker, shprehu pritshmëri për hapjen e negociatave. “Mendoj se është koha që Europa të bëjë atë që presim pas realizimit të kërkesave – të njohë meritën tonë dhe të ndezë dritën jeshile për negociatat e anëtarësimit”, tha Rama.

Sipas “Euroactiv”, data e hapjes së negociatave mbetet po ashtu një çështje në diskutim. Zyrtarët evropianë kanë shpjeguar se opsionet në tryezë janë: “sa më parë të jetë e mundur”, “jo më vonë se Shtatori”, ose të dyja bashkë. “Ndërkohë, grupi “miqtë e zgjerimit” ka shtuar presionin ditët e fundit për të kundërshtuar rezistencën ekzistuese. Një grup prej 13 shtetesh, (Estonia, Lituania, Letonia, Republika Çeke, Polonia, Sllovakia, Hungaria, Bullgaria, Italia, Austria, Kroacia, Sllovenia dhe Malta) lëshuan një deklaratë të përbashkët më 11 qershor duke rikonfirmuar angazhimin e BE-së për integrimin e Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Europian.”- përmbyllet artikulli.

 

 



Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *