• |
ide | kryesore

Nallbani pa doreza për Tiranën: “Duan ta destabilizojnë me aksionet e Bashkisë, Koliçi nuk është për Tiranën, presim Ngo’o”

Sport



Tirana është kantier ndërtimi dhe nuk bëhet fjalë vetëm për merkaton, por edhe për ristrukturimin që duhet të bëjë të harrohet drama e sezonit që sapo u mbyll, me rrezikun për rënien nga Kategoria e mungesën e licensimit. Pikërisht për këtë cështje, këshilltari i presidentit Refik Halili, ish-portieri Blendi Nallbani, ka folur hapur duke premtuar se për kampionatin e ardhshëm Tirana do të ketë likuiduar të gjitha borxhet, që e penalizuan këtë vit: “Tirana ka paguar, në dijeninë time – tha Nallbani – , shuma të mëdha për të mbyllur borxhet, por koha nuk premtonte. Kjo referuar sezonit që sapo u mbyll. Ajo që është e sigurtë është se Tirana në sezonin e ri do të tentojë të fitojë kampionatin dhe synon prezantimin në Europë. Nuk bëhet fjalë që borxhet të jenë më problem”.

Tirana ka lëvizur ndryshe nga herët e tjera me një strategji të mirëmenduar, në bashkëpunim me teknikun Ardian Mema, për të ndërtuar herët skuadrën: Torassa, Kale e Batha, por edhe Osmani janë lojtarë të Tiranës, ndërsa po synohen edhe tre lojtarë të tjerë, një portier, një qendërmbrojtës e një sulmues, pavarësisht se Ngo’o klubi po përpiqet ta mbajë. “Me 75% do të jetë përsëri Ngo’o, gjithnjë nëse nuk bën ndonjë kërkesë stratosferike – shpjegoi këshilltari i presidentit Halili -. Anglezi është një nga sulmuesit më të paguar në Superiore, 7 mijë euro dhe do të ulemi të bisedojmë për të vazhduar bashkëpunimin. Tirana ka në plan edhe një portier, një qendërmbrojtës e një sulmues”.

Për portën, një si Nallbani që e njeh mirë rolin ka përjashtuar ardhjen e Koliçit, një nga emrat e përfolur për bardheblutë: “Nuk mendoj se do të vijë Kolici. Tirana është një emër i madh, duhet tjetër stof për të mbrojtur portën bardheblu. Ilion Lika është portier me shumë vlera, por ka njëfarë moshe dhe nuk mund ta përballojë gjithë sezonin.

Me Tefik Osmanin, që duhet të mbyllë vetëm aventurën europiane me Teutën për tu veshur bardheblu, Tirana pret edhe një mbrojtës tjetër. Një lojtar nga kampionati grek dhe një brazilian janë sugjerimet e deritanishme, edhe pse ndjesia është se do të preferohet një shqiptar.

Në fund edhe një opinion për 34% të aksioneve që Bashkia Tiranë ka nxjerrë në shitje. Nallbani ka pohuar se më shumë bëhet zhurmë për të destabilizuar Tiranën, sepse përndryshe nuk konceptohet fakti që deri tani nuk ka një ofertë nga të interesuarit për tu bërë pjesë e klubit. “Në momentet më delikate të Tiranës fillojnë gjithnjë këto zërat për aksionet – tha Nallbani – . Ka shumë zhurmë, por asnjë ofertë. Aksionet janë në shitje, por askush nuk i ka blerë, duan vetëm të godasin emrin e Tiranës e ta vënë në vështirësi”.

Tirana ndërkohë është e impenjuar edhe me rinstrukturimin parcial të stadiumit, me fushën e re të Selman stërmasit, por edhe rregullimet në shkallët e stadiumit, për ta bërë impiantin gati për sezonin e ri.



Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *