• |
ide | kryesore

Kaina Nunes zgjedh vendin e 10 në ligën e dytë koreane para Tiranës: Ahmataj mbetet me rezerva adoleshentë

Sport
Kaina



Në fillim shitja e Florent Hasanit, pastaj ikja e Ardit Hilës dhe tani edhe Kaina Nunes. Te Tirana që në fillim të janarit vendosën se do të vazhdonin përpara me ata që kishin, duke qenë se merkato ishte e bllokuar dhe asnjë përforcim nuk mund të vinte. Por ata që ishin tani nuk janë më dhe radhët kanë filluar të zbrazen.

Me llogari të bëra, rikthimi në forcë i Patrick, jashtë prej shumë kohësh e për të cilin duhet parë si do kthehet në fushë, mund të kompletojë treshen titullare të Ahmatajt me Abazajn e Latifin. Por zëvendësuesit e mbetur janë vetëm tre 19 vjeçarë që nuk kanë mbledhur asnjë minutë të gjithë bashkë. Zgjedhjet e para të zëvendësimeve të teknikut të Tiranës janë bërë titullarë tashmë. E në të gjitha repartet, ndoshta me përjshtim të mesfushës ku Tola, Qefalia e Haxhiu janë një farë sigurie, alternativat janë vetëm të rinj si Meta e Sula, edhe pse i pari ka patur një impakt të rëndësishëm në fushat e Superiores, në të 9 ndeshjet që është thirrur në detyrë.

Mungesa e alternativave nuk e ka bërë klubin të ndryshojë strategji, merkato mbetet e bllokuar dhe kalimi i brazilianit Kaina, 19 ndeshje dhe 6 gola për të, te Chungnam Asan FC, ndoshta tregon edhe diçka më shumë. Ashtu si Ardit Hila që iku nga pretendentët për titull te Elbasani në Kategorinë e Parë, edhe Kaina preferoi të firmoste me një skuadër që sezonin e kaluar e mbylli në vendin e 10-të në ligën e dytë të Koresë së Jugut. Një arsye duhet të ketë…



Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *