• |
ide | kryesore

Mba dëmtohet sërisht, Partizani e nxjerr në merkato: nigeriani ka munguar në gjysmën e ndeshjeve

Sport
Mba



Christian Mba duket se është shumë më i brishtë se sa tregon fiziku i tij robust. Qendërsulmuesi i Partizanit ka pësuar një tjetër dëmtim, i treti në këtë sezon që është kompromentuar për nigerianin pikërisht falë problemeve fizike. Pasi ka humbur pjesën më të madhe të ndeshjeve në infermieri, Mba është ndalur sërish në stërvitjen e fundit të të kuqve, përpara tre ditëve pushim të fundvitit.

DËMTIMI I TRETË

Nigeriani ka pësuar një tërheqje muskulore të shkallës së dytë dhe do të mungojë për gati 1 muaj. 24 vjeçari ka luajtur vetëm 12 ndeshje nga 24 të mundshme dhe madje, edhe në 9 ndeshjet e kampionatit ka patur pak minuta: 384’ në katër si titullar, nga të cilat në 3 është zëvendësuar dhe 5 të nisura nga pankina. E tani, Mba rrezikon të mos jetë edhe kundër Teutës dhe Laçit, në rifillimin e kampionatit me fazën e tretë, e madje edhe më 28 janar ndaj Vllaznisë. Më shumë jashtë se brenda dhe nuk është ajo për të cilën të kuqtë investuan 100 mijë euro për ta marrë nga Trepça 89’ për të mbuluar largimin e Skukës. Ky dëmtim i ri hap skenarë të rinj për Partizanin dhe vetë Mba, që mund ta shohë veten në merkato.

Lexo më tej: Shehi duhet të japë indikacione për merkaton: Partizani nesër në Antalia ku e pret Volendam dhe Neftchi Baku

VETËM 1 GOL

Vetëm një gol ka shënuar këtë sezon, lojtari që duhet të mbante peshën kryesore të ofensivës së të kuqve, kështu që duke qenë se sulmuesi ka të interesuar, klubi mund të vendosë ta nxjerrë në shitje, për të kërkuar një profil më efikas para portës. Janari dihet nuk ofron shumë mundësi të mëdha, ndaj dhe Partizani do të marrë kohë, por nëse vjen mundësia për të kthyer Skukën, apo ndonjë nga lojtarët e tjerë që kanë bërë mirë në Superiore e tani kërkojnë minuta apo skuadër, Mba do të jetë i sakrifikuari i radhës në repartin e avancuar.



Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *