• |
ide | kryesore

Video/ Partizani fiton Superkupën: Lerda me fat e strategji befason Kukësin në shtesë

F1, Sport, Video



Dy minuta larg fitores, pastaj errësirë. Kukësi humbet Superkupën, që deri në minutën e 88 u duk se e kishte në dorë, duke u dorëzuar përballë një Partizani, që pati momentet e tij të dobëta, por u zgjua në fund dhe në shtesë i udhëhequr nga një Brown, që me tregolëshin e shënuar, që fiksoi shifrat 4-2, kandidohet për një fanellë si titullari në formacionin e Franco Lerda. Tekniku italian merr fitoren e parë dhe trofeun gjithashtu, pas katër ndeshjeve të para në Europë ku skuadra e tij kishte shënuar vetëm një gol.

Një formacion i kujdesshëm i italianit, më shumë difensiv se mendohej, për tiu përgjigjur Kukësit të Duros, që ndryshoi hierarkitë në skuadër, duke u munduar që në më pak se një muaj në pankinë, ti japë fytyrën e tij Bluve. E megjithatë Mala shënoi golin e avantazhit në Elbasan Arena për të Kuqtë pas vetëm 6 minutash lojë, duke befasuar ish-teknikun Duro: në një kënd gati të pamundur mesfushori ndëshkoi portierin Avdyli, duke i dhënë startin e duhur skuadrës së Lerdës.

Por Partizani ka limite dhe i tregoi pas neglizhencës së parë, në kohën kur kishte dy raste për ta mbyllur ndeshjen. Rroca gjeti filtrimin inteligjent në prapavijën statike me Boldor, Bitrin e Belicën të ngadaltë dhe Musta pasi kaloi edhe Hoxhën barazoi rezultatin. Sic duket është mbrëmja e ish-lojtarit të Partizanit, që kompletoi dygolëshin me një goditje dënimi spektakolare, që shtangu Hoxhën dhe kaloi balancën e fitores nga Kukësi. Partizani në fakt humbi mes dëshpërimit, moralit të rënë dhe nervozizimit dhe Kukësi përdori aftësitë e organikës me Ethemi e Musollin që vertikalizonin dhe depërtonin, duke u ndalur dy herë nga traversa.

Ndoshta pika e kthesës, ndoshta sepse fati e donte kështu, por Partizani i hoqi Superkupën Kukësit nga dora vetëm dy minuta nga fundi, kur Brown u kujtua se si rol bën sulmuesin. Xhamajkani në minutën e 88 shënoi golin e parë me fanellën e Partizanit, edhe pse në tentativën e parë me kokë të tij, Avdyli reagoi saktë. 2-2 e coi ndeshjen në shtesë, por pikërisht aty Partizani përmbysi rezultatin.

Protagonistët e kthesës së kuqe janë gjithnjë dy: Trashi kroson dhe Brown shënon golin e dytë personal në minutën e 94. Xhamajkani, pasi u ekzaltua në luftën në ajër, tregoi aftësitë me të majtën, duke gjetur këndin e pambuluar të portierit Avdyli. Partizani hipotekoi rezultatin me golin e katërt në shtesë me të njëjtin sulmues. Brown, fiksoi tre golëshin personal, këtë herë duke përdorur të djathtën e duke i dhënë të drejtë Lerdas për zëvendësimin e duhur në momentin e duhur.

Partizani rrëmben kështu Superkupën, trofeu i dytë në historinë e klubit, me pak fat e strategji, duke pritur rikuperimin fizik të lojtarëve si Ekuban e Aristotel, që mund ti japin një tjetër impakt skuadrës, që konfirmohet kështu skuadra për tu mundur në kampionatin që do të nisë së shpejti.



Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *