• |
ide | kryesore

Djegia e Kuvendit/ Deputetët: Do propozojmë deklasifikimin e informacionit që Meta mori nga SHISH

Lajme, Të fundit



Informacioni sekret i Shërbimit Informativ Shtetëror (SHISH) për djegien e godinës së parlamenti më 8 qershor, gjatë protestës së opozitës së bashkuar joparlamentare, do të propozohet për t’u deklasifikuar nga deputetët e mazhorancës.

Disa prej anëtarëve të Komisionit Hetimor parlamentar kanë thënë për televizionin “Top Channel” se ky dokument që përbënte bazën kryesore të mbrojtjes së presidentit të Republikës, Ilir Meta, në argumentin e vendimit të tij për anulimin dhe shtyrjen e zgjedhjeve lokale, duhet t’i tregohet publikut.

Dokumenti nuk e cënon sigurinë kombëtare apo të ndikojë në ndonjë hetim proaktiv të SHISH apo prokurorisë”, citohet të ketë pohuar për “TCH” njëri nga anëtarët e Komisionit Hetimor, në kushtet e anonimatit.

Sipas të njëjtit burim, në të tilla kushte, shqiptarët duhet të njihen me këtë informacion, mbi të cilin të cilin kreu i shtetit u bazua për të çdekretuar 30 qershorin si datë të paracaktuar për mbajtjen e lokaleve.

Ndërkohë, Presidenca ka njoftuar se ditën e sotme do të publikojë qendrimin mbi draft-opinion e Komisionit të Venecias lidhur me kushtetuetshmërinë e dekreteve të Metës. Mësohet se bashkëngjitur qendrimit të presidentit, do të jenë të listuara edhe disa pyetje ndaj ekspertëve të “Venecias”, me qëllim shterimin përfundimtar të çështjes në fjalë.

Më datë 27 shtator u publikua raporti paraprak pas misionit faktmbledhës të ekspertëve të Komisionit të Venecias, në kuadër të kërkesës për dhënien e një opinioni nga Komisioni Hetimor i ngritur për verifikimin e ligjshmërisë së vendimit të Metës për çdekretimin e 30 qershorit si datë të paracaktuar për mbajtjen e lokaleve. Në draft-raport shkruhej ndër të tjera se sipas “Venecias”, presidenti ka tejkaluar kompetencat që i jep Kushtetuta, por duke theksuar nga ana tjetër se nuk bëhej fjalë për një shkelje të rëndë, në bazë të të cilës mund të merret vendimi për ta shkarkuar.

Në mungesë të një dispozite ligjore, Presidenti mund të anulojë zgjedhjet për organet e qeverisjes vendore, vetëm në një situatë e cila plotëson kriteret për marrjen e masave të jashtëzakonshme”. Edhe atëherë Presidentit i duhet një bazë ligjore specifike për të shtyrë zgjedhjet.”- vërehej në raportin paraprak. ©Lapsi.al

 

 

 



Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *