• |
ide | kryesore

Të rikthyerit në kuqezi, kërkojnë të kapin momentin: “Andorra, më e rëndësishme se Franca”

F1, Sport



Sfidat e fundit eleminatore kërkojnë edhe sforcon e fundit të futbollistëve të Kombëtares, për dy ndeshjet kundër Andorras dhe Francës. Kuqezinjtë kërkojnë pikë, për të përmbushur objektivin e tyre që në këtë rast është kuotë pikësh. E pikërisht, duke qenë se bëhet fjalë për kampionët e botës dhe inaugurimuin me ndeshjen e parë ndërkombëtare, sfida e të enjtes me Andorran është anashkaluar disi mediatikisht, por jo për protagonistët në fushë, që e theksojnë këtë fakt në konferencën për shtyp.

“Mezi e prisja ftesën e radhës – tha Uzuni – Isha duke punuar fortë dhe prisja ftesën e radhës. Ndihem mirë pasi me Lokomotivën jam aktivizuar çdo ndeshje nga 90 minuta, kam asistuar kam shënuar. Besoj se jam në formë të mirë. Unë dua të luaj tek të 2 sfidat, por duhet t’i tregoj trajnerit që jam i gatshëm. Nuk jam ndjerë mirë kur nuk u grumbullova, por jam shumë i lumtur që u riktheva”.

Në të njëjtën linjë ka qenë edhe Emanuele Ndoji, që kthehet në fushë pas 3 muajsh mungesë: “Kam qenë 3 muaj jashtë. Kam filluar të stërvitem me ekipin dhe të luaj. Jam më mirë. Kam luajtur 2 ndeshje në Serinë A. Mund të kem 70 minuta në këmbë, por do të vendosë trajneri. Nëse jam mirë, do më aktivizoj”.

Dy lojtarët, Myrto Uzuni e Emanuele Ndoji, janë rikthyer të veshin fanellën kuqezi e tani kërkojnë të shfrytëzojnë momentin, për tu bërë të rëndësishëm për teknikun Edy Reja: “Jemi lojtarë të Kombëtares, mendojmë për ndeshjen e radhës, do të fokusohemi 100 % te Andorra, më pas do të mendojmë për Francën – shpjegoi Ndoji -. Është gjë shumë pozitive që të jenë njerëzit afër dhe të japin një karikim të fortë. Dua t’i ftoj tifozët edhe në Elbasan ndaj Andorrës. Kemi nevojë për ta edhe në Elbasan”, u shpreh Ndoji.

Mungesat në sulm të Cikalleshit e Sadikut kanë krijuar shansin për sulmuesin e Lokomotivës së Zagrebit, ndërsa breshiani ende nuk i ka 90 minutat në këmbë pas dëmtimit: “Mendoj që asnjë ndeshje nuk duhet nënvlerësuar – inistoi Uzuni – Jemi profesionist dhe duhet të hymë në fushë të bindur për fitore, pavarësisht se çfarë sjellë loja”.

Impianti i ri i kombëtares është një stimul më shumë dhe ndoshta do të shërbejë moralisht për kuqezinjtë në sfidën kundër kampionëve të botës, që në Francë bënë poker, por në kryeqytet nuk do ta kenë kaq të thjeshtë: “Do të luajmë në shtëpinë tonë të re dhe tifozeria do të jetë e gatshme për të na përkrahur. Besoj se ata do na shtyjnë të japim akoma me shumë”.

Shqipëria me 12 pikë kërkon të mbajë nën presion Islandën, që ka tre pikë më shumë, por në kohën që kuqezinjtë luajnë me Andorrën në Elbasan Arena, islandezët do të përplasen në transfertë me Turqinë.



Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *