• |
ide | kryesore

Dalin pamjet për herë të parë, si u zbulua ngarkesa me 613 kg kokainë e Arber Çekajt dhe një rrëfim i tij nga burgu (VIDEO)

Arkiva, Lajme, Të fundit



Në episodin e fundit të këtij sezoni, emisioni Unpulished trajton trafikun e kokainës nga Amerika e Jugut drejt Shqipërisë. Fuqinë në rritje të grupeve shqiptare, të cilat tashmë nuk kanë nevojë për ndërmjetës me kartelet e jugut, duke u kthyer në atë që quhet ‘dorë e parë’. U ndalëm te rasti më i bujshëm i trafikut të kokainës nga Kolumbia në Shqipëri.

Unpublished sjell videot ekskluzive të asaj çfarë ndodhi në magazinat e firmës Arbri Garden më 28 shkurt 2018 ku u sekuestruan 613 kilogramë kokainë në një kontejner më banane.

Pamjet e arrestimit të Donaldo Lushaj dhe Armndo Pezakut, të cilët sipas prokurorisë, janë pjesëmarrës në grupin kriminal që trafikoi sasinë rekord të kokainës së kapur ndonjëherë në vendin tonë.

Ato tregojnë se operacioni ka qenë i mirëmenduar dhe policia nuk ka pasur vështirësi në neutralizimin e punëtorëve, të cilët sapo kishin filluar të shkarkonin bananet. I gjithë aksioni është ndjekur nga prokurori Edvin Kondili dhe drejtori i policisë së shtetit Ardi Veliu.

Gjithashtu, Unpulished zhvilloi një intervistë telefonike me Abër Çekajn, personi i cili sipas prokurorisë është organizatori i trafikut dhe krijuesi i grupit kriminal.

Për të prokuroria ka kërkuar dënimin me 21 vite burg. Nga burgu 313 ku ndodhet, ai mohoi provat e prokurorisë duke pretenduar se operacioni është dekonspiruar për të fshehur trafikantët e vërtetë.

“Unë nuk e di se cilin peshk të madh ka kapur drejtësia shqiptare në këto 30 vitet e fundit me thënë të drejtën. Sepse sot ata po lundrojnë të qetë, sot edhe në të gjitha ditët janë në bregdetet shqiptare, janë në bregdetet e Evropës ose janë në oqean. Unë nuk kam asnjë lidhje me peshkun, unë edhe në shenjën time jam dashi, nuk kam lidhje fare, jam nga Tropoja, nuk kam lidhje me jugun e Shqipërisë ku ka shumë det. Por problem është këtu nuk kam asnjë lidhje me drogën, asnjë lidhje me peshqit, asnjë lidhje me bretkosat. Kjo është një show mediatik i bërë nga mediat afër prokurorisë për të njollosur emrin tim edhe të familjes sime dhe për të mbrojtur trafikantët e vërtetë të cilët punojnë akoma edhe sot,” – shprehet Çekaj.

Në muajin shtator gjykata e posaçme pritet të japë vendimin për 3 personat e akuzuar për këtë çështje. Ndërsa prokuroria ka regjistruar hetim tjetër për të bërë të mundur zbulimin e personave të tjerë, të cilët mund të jenë pjesë grupit që trafikoi 613 kilogramët kokainë./ EuroNews Albania



Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *