• |
ide | kryesore

Pakti i Maqedonisë së Veriut/ Kryeministër shqiptar pas 4 vitesh dhe vetëm për 100 ditë

-Instant, Kryesore, Lajme

Kryeministrin e Maqedonisë së Veriut, shqiptarët do ta kenë në krye të një qeverie teknike që zgjat vetëm 100 ditë para zgjedhjeve të tjera parlamentare, pra pas 4 vitesh. Kështu u ra dakort në marrëveshjen e firmosur mes Zoran Zaev dhe Ali Ahmetit, që bëri bashkë votat për qeverinë e re.


Premtimi kryesor i Ali Ahmetit në fushatë do të mbetet i tillë edhe për një mandat tjetër.


Pas negociatave, që zgjatën 5 ditë, të dy mund të thërrasin “fitore”. LSDM e Zaevit ka votat në parlament për një mandat të plotë. Ali Ahmeti ka në tryezë një marrëveshje politike që, nëse realizohet, i jep arritjen deri dje të paimagjinueshme, për një kryeministër shqiptar në Maqedoninë e Veriut, qoftë edhe për 100 ditë.

Në konferencën e përbashkët, kreu i LSDM-së, Zaev u kujdes ta theksojë se do të jetë kryeministër me mandat të plotë katërvjeçar, duke bërë kështu të ditur se ky post nuk do të ndahet në rrotacion me BDI-në.

Synimi i Bashkimit Demokratik për Integrim  të Ali Ahmetit kishte qenë drejtimi i qeverisë të paktën për një vit, por nga dita në ditë, ambicia u tkurr për të arritur tek drejtimi i një qeverie teknike në 3 muajt e fundit të mandatit, që gjithsesi konsiderohet një arritje historike, nëse realizohet. Gjithsesi mediat shkruajnë, se BDI ka marrë postin e Ministrit të Financave nga negociatat.

“Duhet ta përshëndesim guximin e zotit Zaev, që për herë të parë në këtë vend 100 ditë do të jetë kryeministër një shqiptar i propozuar nga BDI” u shhpreh Ahmeti.

Nga ana e tij, Zaev pranoi se emri i propozuar nga shqiptarët e BDI do të drejtojë qeverinë teknike në fund të mandatit të rregullt.

“Në 10 ditët e fundit të mandatit, partnerët në koalicion, me propozim të BDI, do të emërohet kryeministri i cili do ta udhëheq qeverinë në 100 ditët e fundit të mandatit të rregullt” tha Zaev.

Dy liderët nuk prezantuan planet e tyre për ndarjen e posteve qeveritare. Por, Zaev njoftoi se kryetar i kuvendit do të vazhdojë të jetë Talat Xhaferi nga BDI-ja.

“Lufta kundër koronavirusit do të jetë prioritet në punën e qeverisë, sikur edhe standardi ekonomik, rritja e pagave, lufta kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit. Jemi pajtuar për forcimin e sistemit të drejtësisë, hetimin e pasurisë së funksionarëve dhe të kaluarën e tyre”, ka deklaruar kryetari i LSDM-së, Zoran Zaev.

Në fushatë, Zaev e kishte përjashtuar kategorikisht emrin e një kryeministri shqiptar për Maqedoninë e Veriut, duke thënë se më shumë shanse kishte që të bënte koalicion me VMRO-DPMNE, sesa të pranonte këtë variant.

Të dyja palët janë tërhequr nga deklaratat e prera të fushatës, megjithatë duhen ende 4 vjet, për të parë shtetin e tretë të drejtuar nga një shqiptar në rajon.

2 Comments

  1. Kjo eshte idiotesi. Nje shqiptar do behet REALISHT kryeminister vetem kur te flase gjuhen e te gjithe qytetareve te shtetit me mire se kushdo tjeter, por edhe nese zgjidhet nje i tille nuk ka asnje garanci qe do te avancoje punet e shqiptareve sepse nuk do e zgjedhin eksluzivisht shqiptaret. Shikoni shembullin e Obames qe pasi qendroi 8 vjet ne zyre me votat edhe te te bardheve i la te zinjte rrugeve edhe me keq se te tjeret. E vetmja menyre qe te avancohen punet e shqiptareve eshte qe ata qe marrin vetem votat e shqiptareve si BDI-ja te mendojne vetem per punet e shqiptareve dhe jo per tenderat e veta. BDI-ja kete nuk e ben, prandaj shpik historia me kryeministra per t’i hedhur hi syve atyre qe jane lodhur me statuskuone por mashtrohen nga titujt formale. Nje kryeminister shqiptar nuk do ndryshoje asgje per shqiptaret posacerisht, por nese eshte i afte dhe i ndershem mund te drejtoje per mire punet e gjithe shtetit. Boll u mashtruat nga BDI-ja e konsumuar.

  2. Hahaha tamam marëveshje 100 ditët e fundit atëhere kur qeveria shkon në zgjedhje të reja kështu që nuk arrin kryeministri shqiptar!!!!!!

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike.

Kthehu