• |
ide | kryesore

Familja e komisarit të vrarë Artan Cuku padit policinë

-Instant, Arkiva, Lajme, Të fundit

Ka depozituar në gjykatë padi për dëmshpërblim monetar, familja e ish-kryekomisarit Artan Cuku, që u vra në prill të 2017.

Sipas informacioneve, familja ka kërkuar 30 mln lekë dëmshpërblim për momentin, por thekson se shuma mund të ndryshojë në varësi të aktit të ekspertimit.


Padia që është bërë nga gruaja e Cukut, Marjola Cuku, fëmijët dhe vëllezërit tashmë ndodhet në gjykatën Administrative.

Në padinë kundër policisë së shtetit dhe ministrisë së Financave dhe Ekonomisë kërkohet “Detyrimin solidar të të paditurve të dëmshpërblejnë paditësit për dëmin pasuror që u ka ardhur si rezultat i humbjes së jetës së familjarit të tyre, të ndjerit Artan Cuku për shkak të detyrës së tij, si ish drejtues i Policisë së Shtetit, në vlerën e cila do të llogaritet nga eksperti që do të caktohet nga gjykata”.

Familja thotë se Cuku është vrarë për shkak të detyrës. “Nisur nga rrethanat e sipërpërmendura, faktet që provohen nga provat shkresore që do të paraqesim në këtë proces, si dhe faktet e njohura botërisht, del në pah qartë që i ndjeri Artan Cuku është vrarë për shkak të detyrës së tij si pjesëtar dhe drejtues i policisë së shtetit, si dhe ka ardhur ‘midis të tjerash’ për shkak të veprimeve dhe mosveprimeve të paligjshme të Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit, si dhe shtetit shqiptar në tërësi”.

Por ku bazohet familja? “Atentati ndaj Artan Cukut u porosit nga Bledar Jabelli, dhe u ndërmjetësua nga Kristaq Leci. Kjo ngjarje mori shkak në dhjetor të vitit 2012 kur policia e Vlorës që në atë kohë që drejtohej nga Artan Cuku njoftoi me një konferencë për media se kishte arrestuar Bledar Jambellin, i dyshuar për tre vrasje me pagesë të Amarildo Delaj, Shpëtim Muka dhe Ervis Shehut, vrasje të kryera përgjatë viteve 2006 -2012. Sipas të dhënave që vijnë nga punonjës të burgjeve të asaj kohe dhe prova të administruara nga grupi hetimor, Bledar Jambelli pas arrestimit shkruante në murin e dhomës dhe të korridoreve “Artan Cuku do të vras”. Organet ligjzbatuese të shtetit shqiptar në tërësi dhe policia e shtetit nuk morën asnjë masë për Mbrojtjen e jetës së Artan Cukut, ku fatkeqsisht ky kërcënim rezultoi fatal për jetën e tij”.

Nga vdekja e Cukut, familja thotë se i është shkaktuar një dëm i konsiderueshëm pasuror dhe jo pasuror. “Në këtë rast, është e qartë që nga humbja e jetës së të ndjerit paditësve u është shkaktuar një dëm i konsiderueshëm pasuror dhe jo pasuror. Dëmi pasuror përbëhet nga të ardhurat që i ndjeri do të mund të mundësonte për familjen e tij që në kuptim të Kodit Civil në kuadër të kësaj kërkesëpadie nënkupton shpenzimet për ushqim e jetesë të fëmijëve të tij të mitur, të bashkëshortes dhe prindërve të paaftë për punë që kanë qenë në ngarkim të të vdekurit, plotësisht ose pjesërisht, si dhe të personave që banonin në familjen e të vdekurit dhe që gëzonin prej tij të drejtën e ushqimit, shpenzimet e duhura për varrimin e të vdekurit, në masën që ato i përgjigjen rrethanave personale e familjare të të vdekurit, si dhe të ardhurat e munguar të familjes të cilat do të siguroheshin nga puna e të ndjerit duke marrë për bazë pagën e tij në kohën kur ishte drejtues i policisë, si dhe të ardhurat e biznesit që ai drejtonte dhe kishte në pronësi që ishte shoqëria e sigurisë fizike, duke ju referuar pasqyrave financiare të kësaj shoqëri edhe dokumenteve të tjera. Përllogaritja e dëmit do të bëhet nga një ekspert kontabël i caktuar nga gjykata”.

Madje, në padi, familja akuzon se Artan Cuku u largua në mënyrë të paligjshme nga puna, nuk u rikthye dhe nuk u mbrojt, madje s’iu la as arma. Gjithashtu familja akuzon se është e qartë që vdekja ka ardhur midis të tjerash për shkak të heqjes së tij të paligjshme nga puna.

“Largimi nga puna i të ndjerit është e provuar me vendim gjyqësor përfundimtar që ishte i paligjshëm. Moskthimi i tij në punë ishte një veprim i paligjshëm. Mosmarrja e masave të nevojshme për mbrojtjen e jetës së tij nëpërmjet njoftimit, mundësimit të mbajtjes së armës, apo marrjes në mbrojtje nga efektivë të policisë së shtetit kanë qene veprime të paligjshme. Mosgarantimi i jetës së të ndjerit nga ana e RSH, është shkelje e dispozitave kushtetuese dhe e KEDNJ dhe lë vend për përgjegjësi pasurore dhe jo pasurore. Është e qartë që vdekja ka ardhur midis të tjerash për shkak të heqjes së tij të paligjshme nga puna, moskthimit të tij në punë edhe pse largimi i tij ishte i paligjshëm dhe ai ishte një aset i pazëvendësueshëm për Policë së Shtetit.

Është e qartë që vdekja ka ardhur midis të tjerash për shkak të mosmarrjes së masave për informimin e tij për rrezikun që i kanosjes dhe për mosmarrjen e masave të tjera për mbrojtjen dhe garantimin e jetës së të ndjerit. Përllogaritja e dëmit është atribut i ekspertit i cili do të caktohet nga gjykata në përputhje me nenet 224-230 të K.Pr.C. Për këtë rast kërkohet caktimi i një eksperti kontabël për përllogaritjen e dëmit pasuror dhe një eksperti psikolog për përllogaritjen e dëmit jopasuror” mbyllet padia.

Por në cfarë faze janë hetimet për autorët e vrasjes së Cukut? Deri tani i vetmi që është pas hekurave për vrasjen është ekzekutori Mikel Shallari, i dënuar me 10 vite burg, ndërkohë që bashkëpunëtori dhe mbi të gjitha porositësi ende nuk është vendosur përpara drejtësisë. Drejtësia shqiptare ngriti akuzën si porositës kundër Bledar Jambellit, i cili u kap në Greqi, por më pas u la i lirë nga gjykata e vendit fqinj.

Bledar Jambelli, i njohur ndryshe me emrin Rikardo Muho, u arrestua në dhjetor të vitit 2018 në Greqi, pas vrasjes së kryekomisarit Artan Cukut. Ai ishte i shpallur në kërkim ndërkombëtar dhe gjykata i kishte caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg” në mungesë. Por gjykata e Lartë greke e liroi Bledar Jambellin. Drejtësisë i ka shpëtuar edhe Kristaq Leci. Mikel Shallari mori statusin e bashkëpunëtorit të drejtësisë dhe rrëfeu porositësin. Në baze të hetimeve rezultoi se 38-vjeçari Jambelli e urdhëroi vrasjen e kryekomisarit për shkak se ai e kishte arrestuar në kohën kur mbante detyrën e Drejtorit të Policisë së Vlorës./ abcnews/

1 Comment

  1. Ai u be per rahmet, por skishte skaf qe nisej nga vlora pe marre nje here ok nga ai. E pati disiplinuar mire, sidomos para zgjedhjeve. Ishalla padia top dhe merrni edhe ca leke nga qeveria, u duhen. Se nga korrupsioni keni ato qe jetoni e shijoni.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike.

Kthehu