• |
ide | kryesore

Koncesioni Milot-Fier/ Ministria shtyn në 28 tetor afatin për dorëzimin e ofertave, nga pandemia

-Instant, Arkiva, Lajme, Të fundit



Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë (MIE) ka shtyrë me një muaj afatin për dorëzimin e ofertave për projektin dhënie me konçesion/partneritet publik privat e projektimit, ndërtimit, operimit, mirëmbajtjes, rehabilitimit dhe transferimin e segmentit rrugor Milot – Thumanë – Kashar – Luzi i Vogël – Fier.

Data e re finale për paraqitjen e ofertave është 28 tetori, teksa më herët ishte 28 shtatori. Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë ka argumentuar se kjo vjen në një kohë kur kompanitë kanë kërkuar më shumë kohë për përgatitjen e dosjeve për shkak të vështirësive që janë krijuar nga pandemia.

“Duke vlerësuar situatën tepër të vështirë, të krijuar jo vetëm në vendin tonë por në mbarë botën nga gjendja epidemiologjike (sëmundja SarsCov2, virusi Covid-19), gjë e cila ka ndikuar në mënyrë të drejtpërdrejtë në veprimtarinë e subjekteve tregtare dhe më gjerë si dhe nisur nga kërkesa e vazhdueshme e operatorëve të ndryshëm, drejtuar AK për vështirësitë e hasura në përgatitjen si dhe dorëzimin e të gjithë dokumenteve të kërkuara sipas DPK dhe si rrjedhim me kërkesën për më tepër kohë në hartimin dhe plotësimin e tyre, vlerëson nevojën e shtyrjes së afatit të dorëzimit të ofertave të procedurës me objekt “Dhënie me koncesion/PPP Projektim, ndërtim, operim, mirëmbajtje, rehabilitim dhe transferim i segmentit rrugor Milot-ThumanëKashar- Luzi i Vogël- Fier” thuhet në dokumentin e MIE.

Projekti për rrugën Milot-Fier

Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë e hapi procedurën për rrugën Milot -Fier në muajin korrik të këtij viti. Kjo rrugë sipas prezantimit që bëri në atë kohë ministrja Balluku do të jetë e gjatë 115 kilometra dhe do të përshkohet për 75 minuta. Rruga do të ndërtohet nga koncesionari dhe do të jetë me pagesë.

Sipas dokumenteve qeveria është angazhuar që të garantojë maksimalisht 121 milionë euro për koncesionarin për 17 vitet e para të operimit nga vitit 2024 që parashikohet të jetë viti i parë deri në vitin 2040 teksa të ardhurat bazë përgjatë kësaj periudhe janë vlerësuar 1.7 miliardë euro. Koncesisoni ka një afat 35 vjecar por trafiku do të garantohet për më pak se gjysmën e viteve të operimit.  Kjo është garancia maksimale që ka vlerësuar qeveria në dokumentet e saj dhe si kriter përzgjedhës për operatorin do të funksionojë skema se kush do kërkojë më pak garanci nga shteti.

Sipas tabelës së dhënë nga MIE në vitin e parë të operimit të ardhurat bazë të vlerësuara nga shteti janë 60 milionë euro dhe garancia maksimale nga shteti është 4.2 milionë euro. Në vitin e dytë 2025 të ardhurat e parashikuara janë 62.6 dhe maksimumi që mund të garantojë shteti janë 4.3 milionë euro. E kështu vazhdon logjika me një garanci maksimlae prej 7 për qind të vlerës bazë të të ardhurave deri në 2040 kur parashikohet që vlera bazë e të ardhurave të jetë 1.7 miliardë euro për koncesionarin dhe maksimumi i garancisë që mund të jetë dhënë nga shteti në rast të mungesës së trafikut 121 milionë euro.



1 Comment

  1. Dod me thene me leket tona ky do te marre aksionet e pasurise shqipetare. Nuk kam pare me te urryer..Nje ndytesi e tille eshte e rralle..

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *