• |
ide | kryesore

Vrasja e Vajdin Lames dhe Klodian Saliut/ Policia jep detaje për operacionin “Asgjë nuk harrohet”

Arkiva, Lajme, Të fundit



“Asgjë nuk harrohet” është një film shqiptar i para viteve 90. Me këtë emër policia e shtetit ka koduar operacionin për kapjen e 6 personave të cilët akuzohen për 2 ngjarje të rënda të 15 viteve më parë ku u ekzekutua biznesmeni Vajdin Lame në Tiranë dhe Klodian Saliu në Durrës. Ky i fundit u qëllua me breshëri arëmsh në autostradën Durrës – Tiranë më 26 shkurt 2005 rreth orës 22:00 ku humbi jetën në vend ndërsa një miku i tij i cili ishte në makinë mbeti i plagosur.

Një natë më pas në orën 23.50, një shpërthim eksplozivi tronditi Tiranën. Në ashensorin e shtëpisë së biznesmenit Vajdin Lame ishte vënë një sasi e madhe lënde plasëse ku Lame dhe miku i tij Artan Arsi humbën jetën në vend. Policia e shtetit thotë se janë ekzekutuar 4 masa sigurie “Arrest në burg”, si dhe një urdhër ndalimi i lëshuar nga SPAK

“Gjatë operacionit policor të koduar “Asgjë nuk harrohet”, strukturat e Policisë së Shtetit, nën drejtimin e SPAK-ut, kanë kapur dhe vënë në pranga shtetasit Viktor Ymeri dhe Indrit Rusi.

Njëkohësisht, falë bashkëpunimit të shkëlqyer mes Policisë së Shtetit dhe Policisë së Republikës së Kosovës u bë e mundur që të kapej në qytetin e Prizrenit, shtetasi Indrit Taullai. Për këtë shtetas kanë filluar procedurat e ekstradimit nga Republika e Kosovës.

Gjithashtu, po nga strukturat e Policisë së Shtetit është bërë ekzekutimi i masës së sigurimit “Arrest në burg”, caktuar ndaj të hetuarit Emiliano Shullazi (aktualisht i paraburgosur për një vepër tjetër penale).
Si dhe janë shpallur në kërkim ndërkombëtar shtetasit Lulzim Berisha dhe Plarent Dervishi për të cilët vijon puna intensive për lokalizmin dhe kapjen e tyre” – thuhet në njoftimin e policisë.

“Për këta shtetas, pas provave të grumbulluara nga hetimet e kryera, Gjykata e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka caktuar masat e sigurimit “Arrest në burg”, konkretisht: Lulzim Berisha, Plarent Dervishi, Indrit Taullai dhe Luftar Reçi të dyshuar për veprat penale “Vrasja me paramendim” kryer në bashkëpunim në formën e grupit të strukturuar kriminal, në dëm të shtetasit Kleidi (Klodjan) Saliu, “Mbajtja pa leje e armëve luftarake me pasoja të rënda”, “Grupi i strukturuar kriminal” dhe “Vrasja në rrethana të tjera cilësuese”, kundër dy ose më shumë personave, kryer në bashkëpunim në formën e grupit të strukturuar kriminal, në dëm të shtetasve Vadin Lamaj dhe Artan Arsi.

Gjithashtu, po me këtë vendim, Gjykata ka caktuar masën e sigurimit “Arrest në burg”, ndaj shtetasve Emiljano Shullazi dhe Viktor Ymeri për veprat penale “Vrasja në rrethana të tjera cilësuese”, kundër dy ose me shumë personave, kryer në bashkëpunim në formën e grupit të strukturuar kriminal, në dëm të shtetasve Vajdin Lamaj dhe Artan Arsi.

Po nga strukturat e Policisë së Shtetit është bërë kapja dhe ndalimi edhe i shtetasit Indrit Rusi. Policia e Shtetit falënderon autoritetet e Policisë së Kosovës për gatishmërinë dhe bashkëpunimin e shkëlqyer të treguar në kapjen dhe prangosjen e të kërkuarit Indrit Taullai.
Njëkohësisht, Policia e Shtetit falënderon partnerët dhe agjencitë e tjera ligjzbatuese ndërkombëtare për mbështetjen, bashkëpunimin dhe gatishmërinë e treguar për të lokalizuar dhe kapur personat e tjerë të përfshirë në këtë grup të strukturuar kriminal” – thuhet në njoftimin e policisë. ©LAPSI.al



1 Comment

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *