• |
ide | kryesore

Thellohet bilanci/ 7 viktima dhe dhjetëra të plagosur nga tërmeti në Kroaci

-Instant, Arkiva, Lajme, Të fundit



Nga tërmeti i fuqishëm që goditi Kroacinë këtë të martë, një vajzë 12-vjeçe humbi jetën në qytetin Petrinje, ndërsa trupat e pajetë të 6 personave të tjerë u nxorën nga rrënojat në qytetin Glina. Dhjetëra të tjerë kanë mbetur të plagosur.

Tërmeti me magnitudë 6.4 të shkallës Rihter është ndjerë pas orës 12:00 në kryeqytetin kroat, Zagreb, por edhe në Bosnje dhe Hercegovinë dhe Serbi. Sipas EMSC, epiqendra ishte 46 kilometra në juglindje të Zagrebit.

Kryqi i Kuq tha se në qytetin e Petrinjës, 58 kilometra nga Zagrebi, situata është shumë serioze dhe se ekipet e tij janë në terren. Presidenti i Kroacisë, Zoran Millanoviq, tha se do të duhen fonde të mëdha për të rindërtuar qytetin e Petrinjës.

EMSC tha se ky është tërmeti më i fortë që ka goditur Kroacinë këtë vit dhe se tërmetet e kësaj fuqie mund të shkaktojnë dëme të konsiderueshme pranë epiqendrës.

Ministria e Punëve të Brendshme bëri thirrje për përmbajtje dhe të respektohen masat kundër koronavirusit edhe në vendet e hapura.
Centrali bërthamor në Krshko të Sllovenisë është mbyllur si masë paraprake.

Një ditë më herët (28 dhjetor) një tërmet më i butë, prej 5.2 shkallësh të Richterit, dridhi pjesën qendrore të Kroacisë dhe kryeqytetin e saj, Zagreb, duke shkaktuar dëme në disa ndërtesa. Tërmeti u pasua nga një dridhje tjetër, me fuqi prej 4.9 shkallësh.

Në muajin mars, një tjetër tërmet prej 5.3 shkallësh të Richterit shkaktoi dëme të konsiderueshme në Zagreb. Një person vdiq dhe së paku 27 u plagosën.



Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *