• |
ide | kryesore

Vota pro Albin Kurtit në Kosovë reflekton edhe në Shqipëri

-Instant, 2, Arkiva, Ide

Realiteti, si në Shqipëri, edhe në Kosovë, po ndeshet sot me disa probleme thelbësore të akumuluara – përtej akumulimit të mëkateve të personave që na kanë qeverisur – që bëjnë thirrje për ndryshim. Le të rendis disa nga këto:


– Kriza morale, politike, kulturore e krijuar nga një kapitalizëm i egër neoliberist, konsumist, i deformuar rëndë nga kombinimi i tij me korrupsionin, mungesën e shtetit të së drejtës, të mediave të lira dhe (në Shqipëri veçanërisht) ekonominë e trafiqeve të drogës.


– Kriza e ndeshjes me globalizmin që në kushtet e varfërisë, paaftësisë dhe krimit rrezikon t’i shpërbëjë të dyja vendet tona të vegjël dhe të brishtë në hapësira për shfrytëzim të shfrenuar me rrënim të trashëgimisë natyrore, kulturore, shpirtërore, indit social etj..

– Sundimi i një elite politike kulturore, që e ka tjetërsuar pushtetin si shërbim ndaj publikes në kapje të shtetit në funksion të bizneseve e interesave private të veta dhe të klientelës së vet.

– Ikja në këto kushte jashtë vendit për të mbijetuar e njerëzve të papërfaqësuar nga kjo elitë dhe të pambrojtur nga institucionet e këtij shteti të kapur.

– Mosaftësia apo mosinteresi për t’u emancipuar nga kujdestaria apo protektorati i ndërkombëtarëve, të cilët, rëndom, në funksion të interesave gjeopolitike apo të bizneseve të shteteve që përfaqësojnë, kanë një aleancë me elitën e korruptuar në pushtet.

Sigurisht, të dyja vendet kanë edhe problemet e veta specifike. Për Kosovën do të përmendja ato të pazgjidhura, lidhur me njohjen ndërkombëtare, ato të njohjes reciproke me Serbinë si dhe ato të krimeve të Luftës. Për Shqipërinë do të theksoja problemin e narkoshtetit që e ka çuar vendin në një stad shumë më të avancuar sesa në Kosovë për sa i përket shtetit të kapur dhe autoritar. Por do të thosha se ky problem i Shqipërisë mbetet kërcënim i hapur edhe për Kosovën, jo vetëm për shkak të ndikimit të madh që ka Shqipëria në Kosovë, por edhe sepse ky stad i Shqipërisë mund të mbërrijë edhe në Kosovë, nëse do të vazhdojnë problemet që përmenda më sipër. Sepse një ekonomi e përqendruar në pak duar dhe e dështuar për sa i përket aftësisë për prodhim, kompeticion dhe respektim të ligjit mund të degjenerojë lehtë në ekonominë e narkotrafiqeve së bashku me të gjitha rreziqet për demokracinë, meritokracinë, ekonominë e qëndrueshme që sjell bashkëpunimi politikë – biznes – krim, që po shfaqen sot në mënyrë dramatike në Shqipëri.

Ndër partitë politike shqiptare që kanë qenë në pushtet këtej dhe andej kufirit, po të vesh re, problemet që rendita nuk artikulohen si probleme që kërkojnë riformulime themelore të programeve të tyre politike. Ato, më së shumti, konsiderohen si vështirësi të tranzicionit apo mëkate liderësh të caktuar dhe, si rrjedhojë, nuk shohim të paraqesin programe politike për ndryshimin e këtij realiteti përveçse reformës në drejtësi të imponuar nga ndërkombëtarët që, në fakt, ka dështuar më herët në Kosovë dhe tashmë në Shqipëri.

E vetmja parti që jo vetëm i ka denoncuar problemet që përmenda, por edhe premton t’i përballojë duke ofruar edhe një program alternativ, është Vetëvendosja e Albin Kurtit.

Ja pse gjykoj se një votë për Vetëvendosjen në 14 shkurt do të ishte një votim për të mbajtur gjallë një shpresë për ndryshim jo vetëm për Kosovën, por edhe për Shqipërinë.

***

Cila është rezerva lidhur thirrjen e saj “krejt dhe drejt”. Kjo thirrje që nënkupton se i duhet dhënë i gjithë pushteti Vetëvendosjes në mënyrë që të bëhen punët drejt, përmban një rrezik mossuksesi, përveçse autoritarizmi, që duhet mbajtur parasysh. Është shumë thjeshtëzuese ta ndash popullit “e mirë” nga elitat dhe institucionet “e këqija”, pra, kur popullit i thuhet se fajin e kanë elitat e korruptuara, duke i përcaktuar armikun kundër të cilit duhet të bashkohet. Në fakt, e keqja që duhet ndryshuar është shumë më komplekse sepse, tek e fundit, synohet të ndryshohen shumë nga ata që cilësohen si armiq, çka do të thotë, në një kuptim më të thellë, se synohet të ndryshohet vetë populli “i keq” që i ka pjellë, votuar dhe mbështetur dhe që, me siguri, do t’i mbështesë në masë të konsiderueshme edhe në këto votime. Pra, në emër të një ndryshimi që synon edhe rritjen e demokracisë si pushtet i popullit, duhet nisur nga parimi se, për ta përmbushur demokracinë, nuk duhet ta thjeshtësosh, por ta ndërlikosh. Që do të thotë se për ta bërë të flasë e vendosë popullin, zërat e tij duhen shumëfishuar, se duhet të ketë polifoni dhe jo një solist të vetëm.

Panorama

9 Comments

  1. Gjë që ka sjellë në të gjitha rastet reagimin e ambasadores amerikane Yuri Kim, e cila e ka mbështetur fort reformën në drejtësi dhe e ka deklaruar se po shënon progres hap pas hapi.

    Heshtja e ditës së sotme nga “kuarteti” drejtues i opozitës po konfirmon akuzat ndaj tyre, se janë kundëer reformës në drejtësi, pasi mund të jenë së shpejti subjekt i hetimit të SPAK për shkeljet e ligjit, vrasjet në mes të bulevardit me 21 janar 2011, ‘bllokun’ e famshëm apo ruyshfetin 700 mijë euro, Rrugën e Kombit apo shpërthimin e Gërdecit.

    Për më tepër që sa kanë qënë në kryetar të KLD, ish Presidenti Bujar Nishani dhe ai aktual Ilir Meta, me mbështetjen e Sali Berishës, e kanë shpëtuar tre herë këtë gjyqtare nga pezullimi!

  2. Z.Lybonja,e pershendes deshiren dhe thirrjen t’ uaj për ndryshime në Shqiperi dhe Kosovë.Por,për mendimin tim,perkunder diagnostifikimit deri diku të sakët, terapia e zgjedhur dhe përkrahur nga ana juaj mendoj se nuk është e qëlluar,nuk garanton dhe jep shpresë se Kosova do të bëhet ajo siq ne qytetaret e saj e duam.Ti mbështësh shpresat në VV dhe liderin e saj ,është të kthehesh mbrapa në kohë,më së paku, ti numrosh ditët ,muajt dhe vitēt e pashpreses.
    Ta mbështesësh shpresen te një parti të extremit të majtë,me orjentim populist,e cila ne faqen 45 të programit të saj shkruan se ,për të ardhë në pushtet,duhet provokuar gjendjen e jashtëzakonshme dhe pas marrjes së pushtetit gjithashtu duhet qeverisur përmes masave të jashtëzakonshme; të një partie ku lideri suprem i saj nuk njeh institucionet e shtetit:Gjykaten Kushtetuese,Komisionin zgjedhor ,Gjykaten supreme etj .gjithnjë kur vendimet e ketyre institucioneve bin ndesh me interesat partiake dhe të tijat më duket shumë e pavend.
    Të mbeshteshës një parti që gadi dy deka e gjysem ishte në anën e kundërt të historisë – kur
    Ishte kunder marveshjes së Rambujesë; kundër pakos së Ahtisarit; kur dekalaraten e presidentit Xhorxh
    Bush në Shqiperi për pamvarsimin e Kosovës e quante gënjeshtër; kur ishte kundër MSA ;mosbesues i shpalljes së pamvarsisë;kundër himnit dhe flamurit të Kosovës;mosbesues në administraten amerikane,e cila me forcë e përkrahi themelimin e ushtrisë së Kosovës; kur ishte kundër shkurjes ne Shtënin e Bardhë për nënshkrimin e zotimeve për peërmirsimin e mardhanjeve me Serbinë ,ku Kosova fitoj njohjen nga Izraeli; kur vuri në pikpytje intrrvenimin e NATO- s në Kosovë; përkeqësoj mardhanjet me SHBA në ate masë sa që administrata e presidentit Tramp u kërcnu me terhekjen e ushtarve amerikan nga baza ushtarake Bonstill etj.etj.Pa përmendë qeverisjen e papergjegjëshme të 52 ditëve.Duhesh të jeshë shumë naiv dhe mosnjohës i rrethanave politike në Kosovë thënë më së buti.
    Z.Lubonja kësaj rradhe zgjedhësit votojnë kundër elitës politike që ishte në pushtet e jo se VV dhe lideri i saj afrojnë ndonjë program që permirson gjendjen socio- ekonomike të qytetarve të Kosovës.

  3. Në radhë të parë më vjen keq për Lulin, mbi të gjithë për Lulin me barrën më të madhe. Pastaj edhe për Edin. Monika e ka punën ndryshe se kur t’i dojë qejfi ia le partinë Ilirit si pilaf, dhe merr rrugët.

    Po çfarë mund të bëjë Luli me këta burra që, si klloçka, i ka mbledhur dhe i ngroh? Janë burra me nga 100 e më shumë kile, por lëpihen rreth një burri tjetër. Edhe në këtë rast Lul Basha del më i preferuari nga meshkujt se nga femrat, sipas një sondazhi të publikuar sot. Kryetarët e partive aleate, të gjithë burra, nuk i ndahen Lulit aq sa kënga e Naim Frashërit thotë për qengjin që ‘blegërin dy a tre herë/ edhe turret e merr dhènë…’.

    Ky është halli i madh i Lulit, e prandaj e them atë fjalën ‘mëshirë’. Mëshirë, edhe mirënjohje ndaj Lulit, në fakt. Mirënjohja ka lidhje me barrën që ky lider i partisë ‘klloçkë’, në njëfarë mënyre, ia heq shoqërisë. Kryetari i PD ka marrë nën flatra nja gjashtë burra që ‘nuk i duhen as dreqit

    1. Ti zonjë apo zonjushë, me vie keq që po ta them troç, por qenke shumë largë realitetit! Të fillojmë nga marrëveshja e Rambuillet (e cila nuk ishte aspak e mire për Kosovën nëse e ke lexuar marrëveshjen), në atë kohë VV nuk ka ekzistuar dhe Z. Kurti ka qenë në burg në Serbi. Si ka mundësi ai ta këtë kundërshutar atë! Edhe lidhur me bombardimet e NATOs, është me të vërtetë qesharake të thuhet që Kurti i ka kundërshtuar edhepse ato kanë ndodhur para se të krijohej VV-ja. Sa për planin e Ahtiisarit, ne të gjithë e dijmë që ai ishte një kompromis I dhimbshëm për shqiptarët të cilët vuajtën me shekuj nga represioni serb dhe ai plan (të cilit po ja shohim pasojat edhe sot – sidomos me zajednicën e cila do të jetë një republika srpska brenda territort shqiptar) dhe nuk e di çfarë ka të keqe të kundërshtosh një plan të tillë!
      Sa për qeverisjen disa mujore të qeverisë Kurti, unë nuk di ndonjë të keqe që pati qeveria e tij! Sa për tërheqjen e trupave amerikane nga Kosova, këto janë dokrra të këtyre horrave që ishin në pushtet përgjatë 20 viteve dhe e katandisën vendin dhe popullin deri në këtë gjëndje se nuk kishte kurrë asnjë plan tërheqjeje trupash amerikane! Trump e mori atë që meritoi!
      Më vie shumë keq, por reagimi që i bëre ti Z. Lubonja është një reagim shumë bosh që asapak nuk përkon me ato që tha Z. Lubonja (të cilat janë 100% të sakta)! E gjithë kjo gjendje tek shqiptarët në të dy anët e kufirit (kriza morale, kriza ekonomike, kriza politike, kulturore, problem i imigrimit të të rinjëve) është shkaktuar pikërisht nga politikanët që i kemi në pushtet për rreth 20 vite me radhë dhe jo për shkak të ndonjë veprimi të pretenduar të VV-së!

  4. Duke u nisur vetem prej titullit se nuk kam sy e nerva te lexoj me tej. Them se shqiptaret e ketushem nuk jane aq qytetare sa ata kosovare. Kur kosovaret bridhnin boten, ne ketej kufirit hapnim trashera e benim bunkere e llogore. Nuk hane pyke shqiptaret e shqiperise o jo.

  5. Beni, Beni ,mos spekulo!Albin Kurti gjatë bisedimeve në Rambuje nuk ishte në burg.Në burg ka qenë shumë më vonë.Ai me Adem Demaçin ishin kunder nënshkrimit të marveshjes.Gjatë asaj kohe,për çdo ditë, ke mundë ta gjeshë në kafiterit e komleksit ” Qafa” në Prishtinë.
    Krejt( jo të gjitha) të bëmat e Albinit,te cilat i rradhita ne postimin e meparshem, janë të filmuara më zë dhe figurë,të cilat mund ti gjesh në arhivat e biblotekës shtetrore të Kosovës në Prishtinë.
    Një pytje shoku Beni?Athu pse VV,në kohë të fundit, i fshiri të gjitha provat komprimituese nga faqja e saj në kompjuter.
    Ta them unë: në mënyrë që ti shoku Ben dhe të tjerë si puna jote , ta keni mundësinë për të spekuluar.
    Perndryshe disave,dëshmitar të kohës, nuk na nevoiten provat filmike apo prova tjera.I kemi pa dëgju dhe perjetu drejperdrejtë.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike.

Kthehu