• |
ide | kryesore

Nis një epokë e re në Champions: yjet e Mbappé e Haaland errësojnë Messi e Ronaldon

-Instant, Sport



Dy ditët e Champions League që sapo kanë përfunduar ishin me të vërtetë të rëndësishme për futbollin botëror, e ndoshta do të mbahen mend për një kohë të gjatë, sepse pas rreth 15 vitesh në të cilat dueli mes Lionel Messi dhe Cristiano Ronaldo ka ndezur tifozët në të gjithë botën, duket se ka ardhur momenti i ‘dorëzimit të stafetave’: dueli që do të shënojë epokën e re të futbollit ndërkombëtar është ai mes Erling Haaland dhe Kylian Mbappé. Ndërsa Messi zhytet në problemet e Barcelonës dhe Ronaldo zhduket në natën e keqe të Juves, yjet e dy fenomeneve të rinj tashmë po shkëlqejnë në futbollin evropian.

Mbappé dhe Haaland janë gati të marrin fronin, skeptrin dhe kurorën. Kjo natyrisht nuk do të thotë se Messi e Ronaldo kanë mbaruar. Ata me siguri do të fitojnë përsëri, por dualiteti që karakterizoi topin e mijëvjeçarit të tretë duket i përfunduar dhe i ka hapur rrugë një rivaliteti të ri. Ishte veçanërisht e qartë në mbrëmjen e Camp Nou, që pa shembjen e Messit përballë fuqisë së madhe teknike dhe fizike të Mbappé. Tre gola që e bëjnë atë, vetëm 22 vjeç, francezi i tretë më prolifik në historinë e grupeve të Champions League dhe shënuesi i tretë më i mirë në historinë e PSG, duke marrë parasysh të gjitha garat (111), pas vetëm Zlatan Ibrahimovic (156) dhe Edinson Cavani (200). Për më tepër, Mbappé është lojtari i dytë në historinë e Ligës së Kampionëve që ka shënuar një hat-trick në Camp Nou si kundërshtar (i pari ishte Andriy Shevchenko në nëntor 1997 me fanellën e Dinamos së Kievit).

“Kur pashë që Mbappé shënoi tregolësh në Barcelonë le të themi se më dha më shumë motivim. Duhet t’i them faleminderit”, tha Haaland pasi shënoi dygolëshin që mundi Sevillan, duke rrëfyer kështu që vëzhgon dhe studion rivalin e tij: “Unë në konkurrencë me të? Jo, thjesht po them që e pashë duke shënuar dhe kjo më dha një shtytje më shumë. Për mua ishte një stimul”, ka thënë norvegjezi, i cili kundër andaluzianëve shënoi golin me numrin 41 që kur ka veshur fanellën e Borussia Dortmund (në 42 paraqitje). Numra të çmendur, të cilët bëhen pothuajse të pabesueshëm kur bëhet fjalë për Champions League: Haaland tani është lojtari më i shpejtë që ka shënuar 10 gola për një skuadër në kompeticion (në vetëm 7 paraqitje), ai ka shënuar 18 gola në 13 prezenca të Ligës së Kampionëve dhe tashmë ka shënuar në turne më shumë se kampionë të tillë si Zidane, Tevez dhe Adriano.



Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *