• |
ide | kryesore

Dëshmia në SPAK/ Si i sigurojnë armët dhe eksplozivin grupet kriminale

Arkiva, Lajme, Të fundit



Dëshmia e të arrestuarit për atentatin në Kamëz ka hedhur dritë mbi tregtinë e armëve në Shqipëri. Armët përdoren më pas për të bërë krime. Para hetuesve Enver Jamaku ka treguar sesi në një rast u porositën pistoleta me silenciatorë gjatë funeralit të Nehat Kullës.

Dëshmia e Enver Jamakut që çoi prokurorinë sërish në gjurmët e një personazhi të përfolur të botës siç është i dyshuari Gjergj Cukali, ka zbardhur gjithashtu mënyrën si blihen dhe shiten armë në Shqipëri për t’i përdorur më pas në krime. Jamaku i cili është në prag të marrjes së statusit të bashkëpunëtorit të drejtësisë, tregon madje se në një rast është përdorur një ceremoni mortore për të porositur pistoleta me silenciatorë.

“Me Gjergj Cukalin u takova në verë kur morëm pjesë në varrimin e Nehat Kullës në Tujan dhe ai më kërkoi t’i siguroja dy pistoleta. Armët që i gjeta ishin një pistoletë me 15 fishekë dhe me silenciator”, – shprehet në dosje Jamaku i cili më herët ka siguruar përmes të dyshuarve blerjen e një kallashnikovi, një episod që mund të risjellë sërish rihapjen e dosjes për vrasjen e ish-policit Arben Bilali.

Jamaku, i arrestuar më herët për shpërthimin e telekomanduar ndaj Gjon Menes tregon se si pas porosisë foli me Cukalin përmes aplikacionit Skaj. Por teksa rrëfyesi i drejtësisë mbahet në burg së bashku me Ermond Jamakun dhe porositësin e kësaj ngjarjeje Gjergj Cukali, SPAK iu ka bashkuar atyre dhe 3 të arrestuar një ditë më parë që dyshohen si tregtare municionesh për grupet kriminale.

Teksa Jamaku pranon se pranoi të kryejë shpërthimin pasi i duheshin para për të blerë shtëpi, ai pranon se Cukali e takoi me njërin nga të dyshuarit që shisnin armë për ta mësuar se si do ta përdorte eksplozivin që do të telekomandohej nga një telefonatë e kryer nga një numër i blerë në tregun e zi. Personi më tha që telefonin ta mbaja të karikuar si dhe më mësoi se si do ta lidhja me kutinë.

Por pikërisht nga dëshmia e tij dalin në dritë dhe emrat e personave të tjerë, të cilët me urdhër të SPAK i vizitoi policia ku dhe sekuestroi antitanke, kallashnikovë snajper, radio policie dhe ushtrie si dhe mjete të blinduara. SPAK thotë se u zbuluan 18 baza kurse konsiderohen të zbardhura deri më tani 3 atentate me eksploziv, ai i mbetur në tentativë ndaj Artan Bylykut, ajo e vrasjes së mbetur në tentativë të Paulin Paplekës dhe shpërthimi në banesën e Edmond Saraçit. /TCH



Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *