• |
ide | kryesore

Video/ Tre gola për vendin e dytë: Bylis nuk është më “mace e zezë”, Partizani i bën tris

-Instant, F1, Sport, Video



Nuk e diskuton në asnjë moment fitoren Partizani, që kishte objektiv vendin e dytë në renditje, në përfundim të fazës së tretë të Superiores. E ndoshta edhe fakti që e nisi ndeshjen 1-0 pothuaj që në tunel ishte një ndihmesë e madhe për një skuadër plot kualitet, përballë një skuadre që luan për mbijetesë. E kështu, në “Air Albania” nuk pati histori mes të kuqve e Bylis, sfidë e përfunduar 3-0, që i ngjit skuadrën e Dajës në kuotën e 47 pikëve, në shoqërinë e Vllaznisë e dy pas Teutës kryesuese.

Daja megjithë tentacionin për ta nisur me Ferhan Hasanin, nuk ndryshoi formacionin tip, me Junior në qendër të sulmit dhe brazilianit iu deshën vetëm 15 sekonda për të shënuar golin e avantazhit, duke shfrytëzuar gabimin e portierit Qirko. Bylis u detyrua të ndryshojë krejtësisht strategjinë, sepse nuk mund të priste më kundërsulmin në një ndeshje të nisur në disavantazh. Të kuqtë u munduan të siguronin rezultatin, por pjesa e parë u mbyll me epërsinë vetëm të një goli.

Partizani shtoi presionin në pjesën e dytë, për të mos i dhënë asnjë mundësi mallakastriotëve të fitonin shpresë. E në fakt, Jasir Asani dyfishoi shifrat në minutën e 69, ndërsa Çinari vulosi fitoren në të 84. Bylis bëri gjithcka mundej, por si erdhën gjërat, të besuarit e Dovedan nuk mundën të shmangin një humbje që i mban në pozita të vështira.

Me këtë sukses, Partizani u ngjit në vendin e dytë me 47 pikë, dy pikë larg kreut. Tani janë 9 ndeshje deri në fund, ku do të vendosin mbi të gjitha përplasjet direkte me Teutën kryesuese, Vllazninë me të cilën ndajnë vendin e dytë, por edhe Lacin që është dy pikë larg. Për momentin, ajo që kënaq Dajën, pas një periudhe jo optimale, është se të tre sulmuesit shkuan në gol…



Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *