• |
ide | kryesore

“Në kampionatin tim do isha i pari”: Shehi karikon Tiranën para Bylis

-Instant, F1, Sport



Një rikuperim rekord, një transformin i një skuadre në vështirësi në një që synon mbrojtjen e titullit. Orges Shehi ka bërë një rrugëtim të rëndësishëm, që me një llogari shifrash do të përkthehej vendi i parë, nëse kampionati do të llogaritej që kur trajneri u ul në pankinën bardheblu. “Ky është fakt. Kemi rikuperuar shumë, ka qenë distancë e madhe dhe rikuperimi është i konsiderueshëm. Tani t’i vëmë kapakun. Të japim maksimumin tonë dhe të mendojmë vetëm ndeshjen e radhës. Të fokusohemi vetëm te ndeshja e nesërme, në fund bëhen llogaritë dhe shpresoj të jemi aty ku na takon dhe brenda objektivave”, tha tekniku në konferencën për shtyp.

Dy barazime e një fitore në Selman Stërmasi për Tiranën në përplasjet me ballshiotët, për më tepër që tre pikët që duhen në shtëpinë e Bylis, nuk është se kryeqytetasit i kanë marrë shpesh: “Këto janë statistika. Për mua është hera e parë që shkoj në Ballsh si trajner i Tiranës. Nuk do komentoj çfarë ka ndodhur në të shkuarën. E thashë se janë të fortë dhe në fushën e tyre shprehen më mirë. Nëse shohim statistikat e Tiranës, kemi fituar ndaj skuadrave që janë poshtë në renditje. Nuk fituam me Kukësin dhe Skënderbeun, fati është pjesë e futbollit, diku t’i merr pikët e diku t’i jep”, saktësoi Shehi

Nuk e thotë por i dallohet në sy. Prezenca në Europë nuk i mjafton teknikut të bardhebluve, që shpreson që në gjashtë javët e mbetura të rikuperojë edhe 6 pikët që e ndajnë nga vendi i parë: “Me lojtarët në dispozicion mendoj se mund t’i kapim objektivat. Sigurisht nuk është njësoj si të jesh trajneri i tretë në një sezon dhe të jesh trajner nga fillimi, ku t’i vendos konceptet e tua. Unë mendoj se lojtarët janë. Është kthyer Danso nga pezullimi, Tim Vairinen po përshtatet pak më shumë sepse ka ardhur në janar”.

Një punë që po duket se e projekton Shehin edhe në sezonin e ardhshëm te Tirana. Ish-portieri megjithatë e sheh këtë si pikën e fundit për të menduar në këtë moment: “Nuk jam person që merrem me të ardhmen dhe me të shkuarën. Sigurisht që është e rëndësishme që një trajner ta nisë nga fillimi, por jam i fokusuar te këto ndeshje të mbetura, që janë hallka kryesore e zinxhirit, më pas të shohim dhe bëjmë llogaritë për atë që kam dhënë. Kjo është kompetencë e presidentit dhe për mua s’është e rëndësishme”, përfundoi trajneri i 25 herë kampionëve.



Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *