• |
ide | kryesore

Si të përgatisni akullore në kushte shtëpie

-Instant, Stil



“Ku ka si ushqimi i shtëpisë! E vërtetë, e vërtetë, por ja që ca gjëra nuk i bën dot në shtëpi. E sidomos ato për fëmijët. Si t’ia mbush mendjen vajzës dhe djalit se akulloreve të ambalazhuara nuk u “kihet besa” e se shumica janë të mbushura gjithë aromatizues dhe ngjyrosës? Si t’ia bëj hallit? U dashka ruajtur nga çdo gjë tani!”. Janë këto fjalët që dëgjojmë shpesh në biseda nënash, diskutime në rrjete sociale apo ashensorin e pallatit kur takohemi me fqinjën e rastit. Të gjithë të merakosur për ushqimin e sidomos për atë të vogëlushëve.

Vera troket menjëherë dhe së bashku me frutat e shumta vjen vapa dhe dëshira për ushqime të freskëta e të ftohta. Të parën gjë që fëmijët tanë kërkojnë janë akulloret, të cilat detyrohemi t’i blejmë në dyqanet apo supermerkatot e besuara, por shpeshherë dhe në dyqanet ambulante, ku nuk jemi të bindur aq shumë mbi sigurinë e ruajtjes së produktit. Po pse mos t’i bëjmë vetë akulloret? Pse jo, me pak mjete dhe disa teknika fare të thjeshta?

Edhe fëmijët tanë i kënaqim, edhe vitaminat, fibrat dhe vlerat ushqimore ua japim, dhe “xhepin” nuk e rëndojmë, edhe ambientin e lehtësojmë nga barra e plehrave, por dhe vetë jemi më të qetë? Për sot, tre akullore me formë “si të dyqanit” dhe shije “si të mamit” për fëmijët tanë (dhe jo vetëm).

Akullore “Twilight”
Kostoja: 12 copë/350 lekë
Përbërësit: 1 kg portokaj zemërkuq, 2 lugë mjaltë shumëlulesh, kokrriza shegësh, 20 – 30 kokrra boronica të freskëta, 1 kokërr panxhar i freskët me gjithë gjethet dhe kërcellin, 350- 400 ml ujë.
Përgatitja: Shtrydhni portokajtë dhe panxharin e freskët në shtrydhëse, shtoni ujë dhe mjaltë sipas dëshirës dhe në fund, kokrrat e shegës e boronicës. Hidheni lëngun nëpër format e silikonit dhe futini në ngrirësin e frigoriferit. Akulloret “Tqilight” mund të durojnë një muaj nëse temperatura në ngrirës nuk ndryshon.

Akullore të Gjelbra
Kostoja: 12 copë/400 lekë të reja
Përbërësit: 2 kivi, 700 gr mollë të gjelbra, 2-3 gjethe spinaqi të freskët, 1 kërcell selinoje, 2 lugë gjele mjaltë shumëlulesh, 350-400 ml ujë.
Përgatitja: Shtrydhni mollët, 1 kivi, selinonë dhe gjethet e spinaqit në shtrydhës, hidhini në një shishe, shtoni ujë dhe mjaltë, sipas dëshirës. Pritni një nga kokrrat e kivit në feta të holla dhe sistemojini në format e akulloreve. Më pas hidheni lëngun nëpër format e
silikonit që keni blerë paraprakisht dhe futini në ngrirësin e frigoriferit. Edhe Akulloret e Gjelbra, mund të konsumohen brenda muajit nëse temperatura në ngrirës nuk ndryshon.

Akullore me kos dhe tërshërë
Përbërësit: 500 ml kos i freskët lope, 1 banane e butë, 20 gr tërshërë të pjekur në furrë ose në një tigan pa yndyrë, 20 gr mana të kuqe kineze (gojiberries) ose rrush të thatë, 7-8 kokrra luleshtrydhe (një pjesë prej tyre e prerë në feta).
Përgatitja: Rrihet mirë kosi, shtohet banania e shtypur, manat e kuqe kineze dhe luleshtrydhet e shtrydhura. Shtrojmë nëpër format e silikonit ca tërshërë dhe feta luleshtrydhe dhe hedhim përzierjen e kosit. E lëmë në ngrirje jo më pak se 3 orë.iconstyle



Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *