• |
ide | kryesore

Situata me Covid1in në vend, çfarë duhet të dini

-Instant, Arkiva, Lajme, Të fundit



Vijon të pësojë rënie numri i të infektuarve aktivë. Aktualisht janë vetëm 1,033 raste aktive në të gjithë vendin, gjysma prej të cilave në Tiranë. Shifrat e infeksionit janë tkurrur ndjeshëm në javët e fundit, ndërsa numri i të shëruarve ka qenë i lartë. Vetëm në 24 orët e fundit sipas Ministrisë së Shëndetësisë janë shëruar 131 qytetarë, duke e çuar numrin e të shëruarve në 128,732 që nga fillimi i epidemisë.

Lidhur me rastet reja, të dielën janë konfirmuar pozitivë vetëm 33 persona nga më shumë se 2500 të testuar.

“Janë kryer 2512 testime, nga të cilat kanë rezultuar pozitivë 33 qytetarë. Rastet pozitive të konfirmuara janë identifikuar në këto bashki: 14 raste në Tiranë, nga 3 raste në Shkodër, Elbasan, Librazhd, nga 2 raste në Devoll, Berat, Pogradec, Skrapar, nga 1 rast në Lezhë, Vau i Dejës”, ka bërë me dije Ministria e Shëndetësisë. Në 24 orët e kaluara, kanë humbur betejën me sëmundjen 2 persona, ndërsa situata në spitalet COVID vijon të jetë e qëndrueshme, pasi jo vetëm nuk ka pasur shtrime të reja, por numri i të shtruarve ka zbritur në 57.

“Me gjithë përpjekjet e stafit mjekësor betejën me COVID-19 nuk e kanë fituar 2 qytetarë: 1 qytetar nga Korça, 1 qytetar nga Shkodra, të moshave 56-80 vjeç. Aktualisht në spitalet COVID po trajtohen 57 pacientë nga të cilët 8 pacientë janë në terapi intensive”, thuhet në njoftimin e Ministrisë.

Mungesa e vaksinës kineze, mbërrin dërgesa e parë me 60 mijë doza

Pas mungesës disaditore të vaksinës kineze, “Coronvac” ka mbërritur dje dërgesa e parë me 60 mijë doza.

Ministrja e Shëndetësisë Manastirliu tha se kjo sasi do të përdoret për injektimin e dozës së dytë, por në fakt numri i personave në pritje për të injektuar dozën e dytë është shumë herë me i lartë se sasia e vaksinave që mbërritën dje. Kjo, pasi prej fillimit të muajit prill, me mbërritjen e rreth 500 mijë dozave të vaksinës kineze u intensifikuan vaksinimet, me një mesatare ditore prej 15 mijë vaksina në ditë. Në këto kushte, edhe numri i qytetarëve që janë në pritje është shumë herë më i lartë se vaksinat e mbërritura një ditë më parë.

“60 mijë dozat që mbërritën sot, janë pjesë e kontratës së dytë që qeveria shqiptare ka negociuar me distributorin e autorizuar të vaksinës ‘Coronavac’ të ‘Sinovac’. 60 mijë doza, të cilat do të përdoren për qytetarët që kanë marrë dozën e parë dhe duhet të vijojnë edhe vaksinimin me dozën e dytë. Tashmë në Shqipëri janë mbi 830 mijë doza në total që kanë mbërritur”, tha Ministrja. Nga kontrata e dytë me kompaninë turke, do të sigurohen po ashtu gjysmë milionë dozash të vaksinës “Coronavac”, por ajo që nuk dihet është se kur do të mbërrijë dërgesa e radhës. Manastirliu tha dje se më mbërritjen e sasisë tjetër do të ulet fasha moshore, si edhe do të përfshihen në planin e vaksinimit punonjësit e transportit publik, por nuk dha asnjë datë se kur do të vijë sasia tjetër.

“Dhe duke filluar me ardhjen e vaksinave, pjesë e kontratës së qeverisë shqiptare me distributorin e ‘Sinovac’, 500 mijë vaksina, do të vijojmë edhe rritjen e grupeve të riskut, duke përfshire edhe punonjësit e transportit publik, të cilët janë pjesë e planit tonë të vaksinimit, ndërsa do të vijojmë edhe me uljen e fashës”, tha Manastirliu. Sipas të dhënave zyrtare, deri më tani kanë mbërritur mbi 833,010 doza vaksine anti-COVID. “Janë kryer 712,446 doza të vaksinës ndaj COVID-19. Prej tyre, 240,709 qytetarë i kanë marrë të dyja dozat e vaksinës”.

VAKSINIMI

Java e kaluar solli një ulje të ndjeshme të vaksinimeve me rreth 25 për qind. Ndërkohë që nuk munguan tensionet në qendrat e vaksinimit jo vetëm në kryeqytet, por edhe në rrethe për shkak se qytetarët që kishin datën e injektimit të dozës së dytë përcilleshin në shtëpi, pasi kishin qëndruar disa orë në pritje.

MASAT

Lidhur me situatën pandemike në vend dhe lehtësimin e masave, ministrja Manastirliu tha se treguesit janë të përmirësuar, por kujdesi do të duhet të vazhdojë. “Mund të kemi lehtësim të masave, nëse situata vijon e tillë. Por duhet të jemi të kujdesshëm në lirimin e menjëhershëm të masave, sepse sjell rritje të infektimeve. Po futemi në sezonin turistik dhe Shqipëria nuk ka asnjë kusht për turistët që të futen. Sot, në krahasim me vendet e tjera, ka tregues epidemiologjik të përmirësuar, por kujdesi duhet të vazhdojë”, tha ministrja në intervistën dhënë për “News 24”.



Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *