• |
ide | kryesore

Tare qetëson tifozët e Lazios: “Skuadra do të përforcohet”

-Instant, Sport



“Për blerjet e reja fillimisht po zgjidhim problemet që kemi, pastaj mendoj se ekipi do të përforcohet gradualisht me ato që do të jenë nevojat”. Drejtori sportiv bardhekaltër Igli Tare kërkon qetësi, gjatë konferencës për shtyp për të prezantuar grumbullimin e ardhshëm të Lazios në Auronzo di Cadore nga data 10 deri më 28 korrik. Ndërkohë, rritet pritshmëria për prezantimin e Maurizio Sarrit: “Të dielën me presidentin do të vendosim nëse do ta bëjmë në Romë apo Auronzo”.

Në çdo rast, edhe pse pa nxitim, ekipi do të ketë injektimet e nevojshme për ta forcuar. Kjo është ajo që siguron Tare, i cili insiston të ushqejë entuziazmin e madh që mbretëron mes tifozëve në prag të fillimit të sezonit të ri. Një entuziazëm i shkaktuar kryesisht nga shpresat e mëdha që mbështetësit bardhekaltër kanë te trajneri i ri, Maurizio Sarri. Ka shumë kuriozitet në fakt për mënyrën se si drejtuesit e klubit do të ndërtojnë ekipin e duhur për t’ia besuar trajnerit toskan.

Më parë Lotito dhe bashkëpunëtorët e tij duhet të zgjidhin “problemet” e së kaluarës. Referenca e Tare mund të jetë për indeksin e likuiditetit, i cili ka ndikuar shumë në dritaret e fundit të merkatos së transferimeve të Lazios dhe që këtë vit mund të kufizojë, të paktën fillimisht, fuqinë blerëse të klubit, një problem i përbashkët me klubet e tjera pas një viti të ndikuar fuqishëm nga Covid. Kështu, të parat duhet të jenë shitjet, pastaj mund të vazhdohet me blerjet. Një refren me të cilin tifozët e Lazios janë mësuar tashmë, por që gjatë viteve gjithmonë ka çuar në ndërtimin e një skuadre konkurruese.

Ndërkohë, në Formello po mendojnë të organizojnë prezantimin zyrtar të Sarrit para shtypit dhe tifozëve. Tare dhe Lotito do të flasin deri në fund të javës për të vendosur vendin ku të zhvillohet. Grumbullimi i bardhekaltërve është planifikuar për në 7 korrik, ndërsa ndeshja e parë miqësore për në 17 korrik kundër Auronzos.



Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *