• |
ide | kryesore

Video/ Ndërhyn për ti anulluar golin, hesht për penalltinë: Tirana barazim mes polemikash me Egnatian

-Instant, F1, Sport, Video



Ka përfunduar 1-1 mes Tiranës e Egnatias, në një ndeshje që i ka lënë krejtësisht të pakënaqur bardheblutë, më tepër me sistemin teknologjik në asistencë të arbitrit VAR. Në fakt, në minutën e 63 Seferit iu anullua goli i fitores për një pozicion jashtë loje, të thirrur nga VAR, ndërsa pretendimet e kryeqytetasve në minutën e 6 shtesë për penallti mbetet të injoruara nga salla e kontrollit.

Tirana e Shehit megjithatë ka keqardhjen se e la situatën në duart e VAR pa mundur ta zgjidhë vete ndeshjen përballë rrogozhinasve. Skuadra e ish-teknikut bardheblu Magani, vinte nga humbja me Kukësin e ndoshta për këtë arsye kishte një agresivitet në presing, për të mos i lejuar kundërshtarit të bënte të vlenin kualitetet që ka në organikë. Pas një pjese të parë pa gola, por me Tiranën që goditi edhe shtyllën me Najdovskin, ndeshja u zhbllokua në të dytën me një gol brilant të Seferit. Në minutën e 51 silura e sulmuesit përfundon në rrjetë, duke entuziazmuar Shehin në pankinë dhe tifozët në Selman Stërmasi, por festa e bardhebluve zgjati vetëm 6 minuta, sepse Imeri replikoi me një super gol.

Tirana kërkoi me insistim golin e fitores dhe madje arriti të shënojë në minutën e 63, në episodin e parë kur VAR i prishi planet bardhebluve. Seferi arriti ta dërgojë topin në rrjetë sërisht, por sinjalizimi për arbitrin nga salla VAR ishte për pozicion jashtë loje.

Egnatia u mbrojt me të gjitha forcat, deri në fund, edhe pse në të 6 shtesë gjithcka e ndërtuar nga rrogozhinasit mund të shembej në depërtimin në zonë të Michael Ngo’o, që u rrëzua në kontrast me mbrojtjen. Lojtarët e Tiranës pretenduan penallti, por gjyqtari vazhdoi lojën dhe nga VAR askush nuk kontrolloi, gjë që zemëroi Shehin në pankinë. Egnatia e Gugash Maganit, ka marrë pikën e parë në kampionat, ndërsa 25 herë kampionët ngjiten në katër, pa përfituar nga ndalesa e rivalëve të tjerë në javën e dytë të Superiores.



Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *