• |
ide | kryesore

UEFA mbërrin në Tiranë: Komiteti “HatTrick” gati projektet e futbollit europian

-Instant, F1, Sport, Video



Në 17 vite të programit HatTrick, UEFA ka financuar në më shumë se 1500 projekte me një vlerë të madhe financiare prej 3 miliardë eurosh, duke e kthyer HatTrick në programin më të madh për zhvillimin e futbollit dhe solidaritetin. Ky program natyrisht që ka qenë prezent edhe në vendin tonë, por këtë herë diskutimi i projekteve Europianë të këtij programi është mbledhur për herë të parë në Shqipëri. Një event historik që i është besuar Federatës Shqiptare të Futbollit për ta organizuar e që njëkohësisht është një mbështetje për FSHF-në si një partner i besueshëm dhe i aftë të presë aktivitete të nivelit më të lartë ndërkombëtar: “Ky aktivitet për mua është historik sepse vjen pas një kohe të vështirë pandemie dhe kemi bërë shumë takime online dhe më në fund sot takohemi për herë të parë, pas një periudhe thuajse dy vjeçare fizikisht dhe uroj që kjo periudhë e vështirë Covid-i të ketë kaluar. Besoj që ju do ta kujtoni që pas kësaj periudhe të vështirë, jemi takuar në Tiranë dhe kështu do ta kujtoni edhe më shumë Tiranën apo Shqipërinë. Gjithmonë HatTrick-u, si një nga Komitetet më të rëndësishme të UEFA-s, merr vendime të rëndësishme. Unë jam shumë i bindur që me debatet e diskutimet në mbledhje, ne do të marrim vendimet e duhura që do t’i shërbejnë projekteve të zhvillimit të futbollit europian”, u shpreh presidenti Duka pas takimit.

Komiteti HatTrick ka në përbërje të tij emra të njohur të administrimit të futbollit europian e Presidentin e FSHF-së, si një nga zv/kryetarët e tij. Gjatë mbledhjes u shqyrtuan projektet “HatTrick” të paraqitura në Komitet për aprovim, si edhe u bë një bilanc i punës së bërë deri më tani përmes implementimit të investimeve. Gjithashtu, u diskutua edhe për çështje të ndryshme dhe për Akademinë e UEFA-s.

Delegacioni i UEFA-s, i kryesuar nga kryetari i Komitetit HatTrick, Karl-Erik Nilsson, i cili është njëkohësisht edhe Zv.President i UEFA-s, kanë vizituar ambientet e Shtëpisë së Futbollit e kanë inauguruar muzeun e futbollit, duke u njohur me një pjesëz të historisë së futbollit shqiptar. Nuk ka munguar edhe vizita në stadiumin “Air Albania”, vepra më e madhe infrastrukturore e ndërtuar në vendin tonë edhe me kontributin financiar të “HatTrick”. Siç është edhe traditë në mbledhjet apo takimet e UEFA-s, anëtarët e Komitetit zhvilluan edhe një ndeshje futbolli ku nuk munguan golat dhe momentet e gëzuara. “Ju falënderoj shumë për mikpritjen e ngrohtë sot në Tiranë. Ishte bukur të shihje ambientet tuaja të reja të Federatës dhe mundësitë e shkëlqyera për të zhvilluar futbollin përmes këtyre lehtësirave fantastike dhe do të bëhet më mirë kur të mbarojnë edhe dy fushat. Dhe pastaj shkuam në stadium, një stadium i bukur, që i mbushur plot, imagjinoj një atmosferë të plotë. Sa i përket HatTrick-ut është një Komitet i rëndësishëm, ku i japim mundësinë të 55 federatave anëtare të përfitojnë nga projektet dhe është vërtetë një privilegj të punosh me këtë Komitet”, përfundoi Nilsson.

E ftuar në këtë mbledhje ishte edhe Ministrja e Arsimit Sportit dhe Rinisë, Evis Kushi, e cila në fjalën e shkurtër përshëndetëse të mbajtur para të pranishmëve, shprehu kënaqësinë që ky komitet kaq i rëndësishëm i UEFA-s mblidhet për herë të parë në Shqipëri dhe vlerësoi kontributin që qeveria e futbollit europian po jep në bashkëpunim edhe më FSHF-në për futbollin shqiptar. I ftuar nderi në këtë mbledhje ishte edhe Presidenti i Federatës së Futbollit të Maqedonisë së Veriut, Muamed Sejdini.

https://youtu.be/M__dVVFNwRs



Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *