• |
ide | kryesore

Pecorelli kërkon punë: Jam në vështirësi ekonomike

-Instant, Arkiva, Lajme



Historia e Davide Pecorelli-t është e mbuluar e tëra me mister dhe përveç tij, askush nuk e di me siguri se çfarë ka ndodhur këto ato 8 muaj, kur ai u zhduk dhe qëndronte i fshehur në Vlorë. Pasi dha deklarimet e tij për prokurorët e Perugia-s, ditët e fundit ndaj Pecorelli-t është lëshuar një hetim nga zyra e prokurorisë në Grosseto, për disa monedha ari të vjedhura në vitin 2019 në San Mamiliano të Savona-s.

Megjithatë sipërmarrësi dhe ish-arbitri i futbollit vijon të surprizojë. Pasi pretendoi se kishte gjetur thesarin e Montecristo-s në disa arka, por se nuk ishte në posedim të tij, të hënën në mëngjes ka konfirmuar se i ka kërkuar organizatës Caritas di Citta në Castello që ta ndihmonin dhe t’i gjenin një punë, edhe si punëtor, për të mbajtur familjen.

Caritas, është një organizatë që mbështet njerëzit dhe familjet që janë në vështirësi ekonomike. 45-vjeçari Pecorelli nuk është më titullar në aktivitetet e tij ekonomike. Po ashtu, italiani që mendohej se ishte i vdekur, por në fakt shijonte jetën në Vlorë, pret që të ballafaqohet me drejtësinë italiane dhe shqiptare. Por tashmë babai i katër fëmijëve thotë se ka nevojë për një mbështetje.

“Vështirësitë e mia ekonomike janë të qarta dhe kanë zgjatur prej muajsh, që kur jam nisur për Shqipëri. Në këtë fazë më duhet që të rifutem në lojë, duhet të mendoj për fëmijët, edhe pse e përsëris që nuk do të jem më sipërmarrës në Itali”, ka thënë Pecorelli.

Por pavarësisht të gjithave, Pecorelli do të japë llogari sot për historinë e tij për thesarin e gjetur në ishullin e Montecristo. Nuk përjashtohet mundësia që italiani të mos flasë fare, por të ushtrojë të drejtën që të heshtë. Pecorelli pritet që të pyetet edhe për garazhin që ka pretenduar se ka marrë me qira për tre muaj në ishullin Giglio, ku qëndronte në një dhomë hoteli me gjeneralitete të rreme.

Në këtë dhomë, janë konfiskuar rreth 20 lista me karta fotografike me detaje për monedhat antike, tre harta të ishullit Montecristo, libri i Komedisë Hyjnore dhe çelësi i garazhit, shkruan Tv Klan.

Davide Pecorelli u zhduk për 8 muaj me radhë. Ai sajoi vdekjen e tij, duke djegur makinën në Pukë dhe më pas u zhduk e të gjithë menduan se ai kishte ndërruar jetë. Por gjithçka u zbulua rastësisht për shkak se gomonia të cilën e kishte marrë me qira pësoi një avari në mes të detit dhe u detyrua që të kërkonte ndihmë nga autoritetet. Gjatë zhdukjes, Pecorelli ka qëndruar në Vlorë ku ka ndryshuar edhe pamjen e jashtme dhe ishte prezantuar me emër tjetër.



Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *